Ndihma e Karitasit Ndihma e Karitasit 

Karitasi Ndërkombëtar: të shpejtë e aktivë në ndihmën për më të ligshtit

Në një deklaratë për shtyp, organizmi bamirës i Kishës Katolike njofton për themelimin e një fondi, që do të financojë projektet e asistencës shëndetësore e të parandalimit të sëmundjes Covid-19.

R.SH. - Vatikan

Karitasi Ndërkombëtar është në Komisionin për Covid-19, formuar me dëshirën e Papës Françesku. Konfederata e Karitaseve vendore të Kishës Katolike do të koordinojë grupin e parë të punës, kushtuar dëgjimit dhe mbështetjes së bashkësive lokale të krishtera, në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Në vijën e parë të frontit

Në një komunikatë të sotme për shtyp, Sekretari i përgjithshëm i Karitasit Ndërkombëtar, Aloysius John, nënvizon se “në Afrikë, në Lindjen e Mesme, në Amerikën e Jugut, në Oqeani e në Evropë, Karitasi është në vijën e parë të frontit për t’i dhënë përgjigje sëmundjes Covid-19, edhe në zonat ku nuk vepron asnjë organizatë tjetër. Puna jonë është dëshmi e gjallë e misionit të Kishës në shërbim të më të brishtëve e të krejt familjes njerëzore”.

 Së bashku me Dikasterin vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, Karitasi Ndërkombëtar ka filluar të dëgjojë Kishat lokale. “Mbi 140 Konferenca Ipeshkvnore i janë përgjigjur një pyetësori, duke njoftuar për nevojat më urgjente në çdo vend e për programet e përballimit të përhapjes së pandemisë. Kjo do të na japë mundësinë, në sinergji me Dikasterin, të japim përgjigjet e duhura”, shkruhet në komunikatën e Karitasit.

“Përpiqemi të jemi të shpejtë e aktivë”

 Prania e tij kapilare edhe rrënjosja në realitetet shoqërore, po i jep mundësinë Karitasit të reagojë menjëherë në gjithë botën, kundër gjendjes së krijuar nga koronavirusi, si edhe të vazhdojë zbatimin e të gjitha programeve të ndihmës. “Përpiqemi të jemi të shpejtë e aktivë për të vazhduar shërbimin ndaj më të ligshtëve – thekson komunikata. – Këtë na kërkoi edhe Ati i Shenjtë pak ditë më parë, kur i paraqitëm planin tonë kundër Covid-19: ‘Të jeni aktivë e të shpejtë e ta vijoni punën tuaj. Nëse nuk e bëni ju, kush do ta bëjë?’”, u tha Papa Françesku.

Fondi për Përgjigjen ndaj Covid-19

Me qëllim që të japë përgjigje të menjëhershme e të frytshme, Karitasi Ndërkombëtar ka krijuar Fondin për Përgjigjen ndaj Covid-19. Menduar për të qenë shenjë e dukshme e solidaritetit të Kishës universale, ky fond global do t’i mundësojë Karitasit dhe organizatave të tjera katolike të vazhdojnë veprën e asistencës e, njëkohësisht, të marrin masa parandaluese për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, me vëmendje të veçantë për ato vende, ku pandemia mund të ketë pasoja më shkatërrimtare, në krahasim me Evropën.

Ka zona ku pandemia konsiderohet e keqja më e vogël

Fondi do t’i japë përparësi disa shërbimeve shëndetësore, si: parandalimi dhe kontrolli i infeksioneve, furnizimi me ujë të pijshëm dhe me shërbime higjieniko-shëndetësore, furnizimi me mjete për mbrojtjen individuale (maska, doreza, etj.). Do të merren parasysh edhe propozime, që synojnë pakësimin e përhapjes së virusit, ku përfshihet sensibilizimi e informimi për parandalimin e infektimit, si edhe forcimi i shërbimeve në mbështetje të bashkësive, siç mund të jetë garantimi i sigurisë ushqimore. “Fatkeqësisht – shpjegon në komunikatë Sekretari i përgjithshëm i Karitasit Ndërkombëtar, Aloysius John – ka zona ku pandemia konsiderohet e keqja më e vogël nga popullsitë më të ligshta. Në Ruandë, për shembull, në disa zona, njerëzit nuk i respektojnë masat e sigurisë, për shkak të mungesës së theksuar të ushqimit. Na thonë: ‘preferojmë të vdesim nga Covid, më mirë se sa nga uria’”.

Karitasi i disa vendeve, në vështirësi

Sot, më shumë se kurrë, është e rëndësishme të garantohen shërbimet e mbijetesës, si ato që jep Karitasi, pavarësisht se “Covid-19 po ndikon dukshëm mbi punën tonë për më të brishtët – nënvizohet në komunikatë. – Për shembull, personeli i Karitasit të Jeruzalemit, në Palestinë, po mbaron fondet e ka rrezik ta ndërpresë shërbimin e vet, që përfshin edhe shpërndarjen e ushqimeve dhe të mjeteve për higjienën personale ndër 500 familje nevojtare”.

Kërkesat e para për ndihmë kanë mbërritur tashmë, por aftësia për t’u përgjigjur do të varet nga fondet, që do të mblidhen. Për këtë, Karitasi Ndërkombëtar i nxit të gjithë të kontribuojnë në Fondin për Përgjigjen ndaj Covid-19. Të dhënat janë publikuar në faqen e internetit të Karitasit “caritas.org”(https://www.caritas.org/donation/covid-19-response-fund/) e llogaria bankare në IOR (Instituti vatikanas për Veprat Fetare) është me IBAN: VA29001000000020179007.

“Sot jemi të gjithë të bashkuar nga frika – pohon Aloysius John – por duhet të jemi të bashkuar edhe me solidaritet, përmes vëllazërimit universal. E vetmja mënyrë për ta kapërcyer këtë pandemi është bashkimi në përballimin e kësaj sfide të jashtëzakonshme për njerëzimin”.

16 prill 2020, 12:52