PHOTO-2020-04-06-11-11-28.jpg

E Diela e Larit në dioqezën e Sapës

Ipeshkvi i dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli, e kremtoi meshën e së Dielës së Larit vetëm me famullitarin don Mark Shthefni dhe motrat dorotee. Ai bekoi larin e degët e ullinjve, sipas ritit përkatës. Ashtu siç u lajmërua edhe nëpërmjet Dekretit të ipeshkvit, besimtarët e kanë ndjekur meshën në rrjetet shoqërore, nga ku kanë marrë bekimin e Zotit dhe bekimin e degëve të larit në shtëpitë e tyre.

R.SH. - Vatikan

Në gjendjen e jashtëzakonshme, të krijuar nga pandemia e koronavirusit, e Diela e Larit u kremtua edhe në dioqezën e Sapës në Shqipëri. Natyrisht, në kishën-katedrale të shën Nënë Terezës, në Vaun e Dejës, ishin të pranishëm vetëm ipeshkvi, imzot Simon Kulli, dhe famullitari, don Mark Shtjefni, por me ta, në lidhje mediatike, ishin bashkuar mijëra besimtarë. Të dëgjojmë informacionin e bashkëpunëtores sonë, Violeta Marashi…

Dëgjo Vileta Marashin...

Covid 19 tashmë është kthyer në kryefjalën e ditëve tona. Situata e pazakontë ka kapluar gjithë botën, e njëkohësisht edhe vendin tonë.

Kjo ka bërë që të ndalojë gjithcka por vetëm Zoti nuk ndalon kurrë; nuk ndalon kurrë me mëshirën, dashurinë dhe mrekullitë e tija për njerëzimin. Ritmi i jetës së mëparshme na duket si dicka e largët, por me Zotin në zemër do t'ia dalim. Lutemi për këtë situatë që na ka mbërthyer të na kthehet në qetësi shpirtërore. Të gjitha ditët janë të Zotit, por aq më tepër këto ditë e kjo javë e shenjtë i kushtohen Krishtit me vuajtjet, mundimet dhe Ringjalljen e Tij. Por më ndryshe se heret tjera  këto ditë do të kremtohen në një mënyrë tjetër, pa praninë fizike të besimtarëve, por gjithnjë të bashkuar shpirtërisht në lutje e uratë. Në këtë formë u kremtua edhe e Diela e Larit në të gjitha kishat famullitare  të dioqezës Sapë dhe në kishën katedrale "Shën Tereza e Kalkutës" në Vau Dejës. Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli ka kremtuar Meshën Shenjte vetëm me famullitarin d. Mark Shthefni dhe motrat Dorote, ku bëri  bekimin e Larit sipas ritit përkatës. Ashtu sic ishte lajmëruar edhe nëpërmjet Dekretit të ipeshkvit, besimtarët e kanë ndjekur Meshën nëpërmjet transmetimit në rrjetet sociale, ku kanë marrë bekimin e Zotit dhe bekimin e degëve të larit në shtëpitë e tyre. Edhe pse një veprim i tillë ishte në këto rrethana të jashtëzakonshme, vlen njëlloj sikur besimtarët të ishin fizikisht në kishë. Me shpresën se Zoti do ta lirojë botën nga kjo situatë, mbetemi në lutje gjatë gjithë kësaj jave të shenjtë duke kërkuar hirin dhe bekimin e tij.

06 prill 2020, 13:14