Kërko

2020.04.23 preghiera interreligiosa Gerusalemme 2020.04.23 preghiera interreligiosa Gerusalemme 

Izrael. Coronavirus: liderët fetarë luten së bashku

“Zoti i shëroftë të sëmurët dhe e largoftë murtajën prej botës së Tij”: kështu u lutën drejtpërdrejt në streaming, përfaqësuesit hebrenj, të krishterë, myslimanë e drusë, duke uruar që lutja e përbashkët të vijojë edhe pas kësaj krize të rëndë.

“Qindra mijëra të vdekur, miliona të sëmurë. Na shpëto, të lutemi, o Zot!”:   këto ishin fjalët e para të kësaj lutjeje të jashtëzakonshme, që i bashkoi dje pasdite, në Izrael, krerët e feve të ndryshme. Sipas Media Center Kath Svizzera, ishin të pranishëm krerët hebrenj, të krishterë, myslimanë e drusë. Ngjarja u transmetua drejtpëdrejt në streaming, në internet, për t’u krijuar besimtarëve mundësinë të marrin pjesë, në këto kohë përplot me kufizime e ndalesa karantine.

“Zoti i shëroftë të sëmurët dhe e largoftë murtajën nga bota e Tij” - u lutën  përfaqësuesit fetarë, që më pas kënduan së bashku Psalmin 121,  Kënga e shtegtarëve që ngjiten në Jeruzalem, për të kërkuar mbrojtjen e Zotit dhe bekimin e Tij:

1Sytë e mi drejt maleve i lartoj:

Prej nga do të më vijë ndihma?

2 Ndihma  më vjen veç nga Zoti,

që qiellin e tokën krijoi! 

3.  Nuk do të lejojë që këmba të më luhatet,

e roja ime s’ ka për të dremitur kurrë.

4.  S’do të dremisë, as gjumi s’do ta zërë,

rojtarin e Izraelit. 

5.  Është Zoti roja jote,

Zoti n’e djathtën të është strehë.

6.  Ditën dielli s’do të të mundojë,

as natën hëna. 

7.  Zoti  do të të shpëtojë nga çdo e keqe,

e jetën tënde do ta mbrojë.

8.  Do të të ruajë Zoti, kur të dalësh e kur të hysh;

që sot e përgjithmonë! 

Në Izrael këndohet edhe ditën e përkujtimit të ushtarëve izraelitë, viktima të terrorizmit, që do të kremtohet më 28 prillin e ardhshëm.

Nuk ka kufij për krizën: përballohet vetëm të bashkuar

“Coronavirusi nuk njeh kufij ndërmjet feve, racave a partive politike - kujtoi kryeipeshkvi Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i patriarkatit latin  të Jeruzalemit - jemi të bashkuar në sëmundje,  e kjo gjë i shembi shumë kufij dhe paragjykime, që kishim mes nesh”. Prelati  shprehu, më pas, besimin se ky bashkim do të mund të vijojë edhe pas përfundimit të krizës së coronavirusit.

Të gjithë shprehën dëshirën të marrin pjesë në lutje

Ishte një takim lutjeje. Rabini britanik Rosen, i angazhuar në frontin e dialogut ndërfetar, e quajti “historik”: “Liderët fetarë të këtij vendi - kujtoi - u mblodhën për herë të parë, për t’u lutur së bashku, për të kërkuar hirin hyjnor e mëshirën e Zotit, në çastin kur pandemia po e sfidon mbarë njerëzimin”. Kështu u shpreh Rabini Rosen për këtë çast “sa të mrekullueshëm, aq edhe të trishtë”: “Edhe ata, që zakonisht nuk janë   aq të gatshëm për dialog ndërfetar, i bashkoi lutja! I harruan ndryshimet përballë tragjedive, përballë dhimbjes e vuajtjes së përbashkët”.

Lutja ndërfetare, e transmetuar drejtpërdrejt, ishte nismë e autoriteteve dhe organizatave të ndryshme, duke nisur nga Rabinati i Madh Izraelit dhe Këshilli botëror i liderëve fetarë. Përveç kryerabinëve sefarditë e ashkenazistë Jitzchak Josef e David Lau, morën pjesë edhe patriku greko-ortodoks Teofili III dhe kryeipeshkvi Pizzaballa, administrator  apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit si dhe përfaqësues të rangut të lartë myslimanë e drusë. 

24 prill 2020, 12:03