Kërko

Vatican News
 Mons Ottavio Vitale, vescovo Lezhe in Albania Mons Ottavio Vitale, vescovo Lezhe in Albania 

Imzot Ottavio Vitale: ta kremtojmë Pashkën në thjeshtësinë e gëzueshme të familjeve tona

Imzot Vitale, ipeshkëv i Lezhës, në mesazhin e tij për Javën e Madhe të Pashkëve, në kushte të jashtëzakonshme të krijuara nga koronavirusi, u drejtohet besimtarëve, e kujton se “nëse nuk mund ta kremtojmë Pashkën në mënyrë solemne, së bashku, si familje dioqezane, në Katedrale dhe në Kisha famullitare, ju ftojqë ta bëni në thjeshtësinë e gëzueshme të familjeve tuaja”. “Jemi të sigurt se Hyji ynë, që është Zoti i jetës, nuk i braktis bijtë e vet dhe vigjilon mbi secilin prej nesh dhe mbi Atdheun tonë”.

Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës, në mesazhin e tij për Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve 2020, në kushte të jashtëzakonshme të krijuara nga koronavirusi, u drejtohet besimtarëve, e kujton se “nëse nuk mund ta kremtojmë Pashkën në mënyrë solemne, së bashku, si familje dioqezane, në Katedrale dhe në Kisha famullitare, ju ftoj ngrohtësisht që ta bëni në thjeshtësinë e gëzueshme të familjeve tuaja”. “Jemi të sigurt – shton imzot Ottavio, se Hyji ynë, që është Zoti i jetës, nuk i braktis bijtë e vet dhe vigjilon mbi secilin prej nesh dhe mbi Atdheun tonë”. Po ta dëgjojmë mesazhin e ipeshkvit të Lezhës, imzot Vitale, për Javën e Shenjtë të Pashkëve 2020.....

Ta dëgjojmë mesazhin e ipeshkvit të Lezhës, imzot Vitale, për Pashkët 2020

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Zemra jonë në të e ka shpresën,

shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

(Psalmi 32,20-21)

 

Fort të dashur Vëllezër e Motra në Krishtin,

Pas disa ditësh do të festojmë Pashkën dhe do ta bëjmë në një mënyrë krejt të pazakontë, duke i kremtuar Ritet e Javës së Shenjtë dhe Meshën e Pashkës me dyer të mbyllura. Pandemia, e krijuar nga virusi korona, e shtrëngon edhe bashkësinë kishtare që t’i nënshtrohet kufizimeve të vendosura nga autoritetet civile për ta ruajtur shëndetin e popullsisë.

Pamundësia për ta bashkëndarë me popullin e Hyjit kremtimin e Vdekjes dhe të Ngjalljes së Zotit, që është edhe solemniteti kryesor i krishterë, ma trishton thellësisht shpirtin, ashtu siç e trishton edhe shpirtin e çdo meshtari, të shtrënguar pothuajse si në fshehtësi, kundër një armiku të padukshëm si ky virus vdekjeprurës që po e pushton mbarë botën. Mirëpo, nëse nuk mund ta kremtojmë Pashkën në mënyrë solemne së bashku si familje dioqezane në Katedrale dhe në famulli, ju ftoj ngrohtësisht që ta bëni në thjeshtësinë e gëzueshme të familjeve tuaja.

Jemi të sigurt se Hyji ynë, që është Zoti i jetës, nuk i braktis bijtë e vet dhe vigjilon mbi secilin prej nesh dhe mbi Atdheun tonë. Besimi i krishterë, i vënë sot në provë, nxitet që ta dëftojë gjallërinë e vet pikërisht në ngushtica si këto që po jetojmë. Populli ynë, nga ana tjetër, ka pasur raste edhe më të rënda jo fort larg në kohë, për ta treguar dhe për ta shprehur në fshehtësinë e familjes besimin e vet shekullar të krishterë. Të nxitur edhe nga Papa Françesku, le ta shtojmë edhe më shumë lutjen në familje, duke e shoqëruar atë me vepra pendese dhe agjërimi, duke ia ofruar Zotit, që të kërkojmë nga Ai përfundimin e kësaj gjendjeje dhe kthimin tonë dhe të botës mbarë.

Kufizimet e lëvizjes dhe pezullimi i pjesës më të madhe të veprimtarive, të vendosura për nevojë nga autoritetet në fuqi, po i vënë në provë të rëndë shumë familje, tashmë të detyruara që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, pasi puna e tyre që mungon mbart pasoja ekonomike të shkaktuara nga ky fenomen. Për një numër familjesh në rritje, kjo situatë mbart flijime të mëdha sidomos për ato që tashmë gjenden në një gjendje varfërie.

E falënderoj nga zemra Caritas-in Dioqezan, i cili në këto ditë po provon bashkë me vullnetarët e vet duke shpërndarë ushqime dhe veshmbathje për më nevojtarët e territorit tonë. i falënderoj edhe meshtarët për mbarështimin e zakonshëm që e ushtrojnë për të siguruar ofrimin e sakramentit të rrëfimit, vizitat te të sëmurët, bekimin e të vdekurve. I falënderoj rregulltarët dhe rregulltarët që, duke u bashkërenduar me Caritas-in, vihen në shërbim për t’iu ndihmuar familjeve më në nevojë. Koha e tyre, në këto javë pezullimi të veprimtarive të rregullta baritore, i është kushtuar në mënyrë të lavdërueshme shtimit të lutjes dhe meditimit, vepra që ndihmojnë forcimin e shpirtit dhe besimin me shpresë të sigurt në Atë që mundet gjithçka dhe që mund të nxjerrë për ne, edhe nga këto rrethana, mësime të dobishme për jetën tonë njerëzore dhe shpirtërore.

Zemër, vëllezër e motra! Kemi besim në Atë që përsërit: “Unë jam me ju në të gjitha ditët, deri në të sosur të botës!” (Mt 28,20).

Nga ana ime, jua siguroj lutjen dhe afërsinë atërore.

Do t’ju jem në mënyrë të veçantë afër në Triditëshin e Pashkës, që do ta kremtoj në Katedrale me dyer të mbyllura, sipas programit që do t’jua përcjell me këtë letër.

Do të ndihemi vëllazërisht të bashkuar në lutje, në përkujtimin sakramentor me ritet përkujtuese të liturgjisë së Mundimit, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit.

Të gjithëve, ju dërgoj urimet e mia për një Pashkë të Shenjtë, që t’i qetësojë të gjitha Familjet tona dhe ta sjellë në to paqen dhe shpresën.

Mbi të gjithë dhe secilin, zbrittë Bekimi im, në Emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit Shenjt! Amen!

                                                          † Atë Ottavio Vitale, rcj

03 prill 2020, 10:32