Kërko

Vatican News
 Giotto, Kapela  Scrovegni: Jezusi ngjitet në Kalvar" Giotto, Kapela Scrovegni: Jezusi ngjitet në Kalvar" 

I dashuri dhe humnera

Sot, në të Dielën e Larit, toka mbarë jehon nga një britmë e fuqishme: britmë malli. Është malli për Parrizin e humbur, për Hyjin e humbur, për dashurinë dhe paqen e humbur. E kupton, kështu, se jeta nuk është zotërim, as rrëmbim, por dhurim i vetvetes; se Zoti dhe jeta janë dhuratë reciproke e vetvetes. Atëhere Kryqi është vërtet lumnia e Zotit, ora e lavdishme e jetës!

 R. SH. Vatikan

Jezusin e kryqëzojnë

33 E si arritën në vendin, që quhet Golgota, ose në vendin e Rrashtave, 34 i dhanë të pinte verë të përzjerë me tëmth; por Jezusi, posa e vuri në buzë, s’deshi ta pinte.35 Mbasi, pra, e kryqëzuan, i ndanë petkat e tij, duke shtënë short mbi to: kështu u plotësua çka qe thënë prej Profetit: “I ndanë petkat e mia ndërmjet tyre, e mbi petka të mia shtinë short. 36 E, duke qenë ulur ndenjur, rrinin e ruanin. 37 Mbi kokën e tij i vunë të shkruar arsyen e dënimit: “Ky asht Jezusi, mbreti i judenjve!”. 38 Së bashku me të kryqëzuan edhe dy hajdutë: njëri në të djathtën e tjetri në të majtën. 39 Ata, pastaj, që kalonin asajt, e shanin e i thonin duke tundur kokën në shenjë talljeje: 40 “Hajt, tani, ti që rrënon tempullin e Hyjit e mandej e rindërton në tri ditë, shpëtoje, de, veten! Nëse përnjëmend je i Biri i Zotit, zbrit nga kryqi!”. 41 Baras edhe kryetarët e priftërinjve së bashkut me skribë e me pleq, duke e tallur, thoshin: 42 “Shpëtoi të tjerët, por s’mund të shpëtojë veten. Nëse është vërtet mbreti i Izraelit, le të zbresë tashti prej kryqit e ne do t’i besojmë. 43 U mbështet në Hyjin: le ta shpëtojë de’, nëse e do, mbasi ai vetë ka thënë se jam i Biri i Zotit”. 44 Të njëjtat fjalë ia përplasnin në sy edhe hajdutët, që ishin kryqëzuar me të.

Agonia e Krishtit në kryq dhe vdekja e Tij

45 Prej orës gjashtë, deri në orën nëntë, mbarë tokën e mbuloi terri. 46 Rreth orës nëntë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha:Elì, Elì, lamma sabaktani?”, që do të thotë: “Hyji im, Hyji im, pse më lëshove dore?”. 47 Disa prej atyre, që ishin pranë, duke i pasë dëgjuar këto fjalë, thoshin: “Ky është kah thërret Elinë”. 48 Atëhere njëri prej tyre vrapoi me të shpejtë e, duke pasë marrë një shpuzë, e zhyti në uthull, e vuri në majë të një kallami e i dha të pijë me të. 49 Të tjerët, përkundra, thoshin: “Lëreni të shohim a po vjen Elia që ta shpëtojë”. 50 Jezusi, si bërtiti rishtas me zë të lartë, dha shpirt.

Toka mbarë jehon nga një britmë e fuqishme: britmë malli

Toka mbarë jehon nga një britmë e fuqishme: britmë malli. Është malli për Parrizin e humbur, për Hyjin e humbur, për dashurinë dhe paqen e humbur. Toka, me lulet e ferrat, me luleshqerrat e me barin e njomë, me yjet e, nganjëherë, edhe me dashurinë e saj, por vetëm nganjëherë e ngutshëm. E edhe me mizorinë e saj, shpesh, tepër shpesh; e me lotët e dënesët e saj. E një ditë Zoti nuk mundi të durojë më. Nuk mundi ta përmbajë veten. E atëhere, duke e marrë në dorë farën e Abrahamit, nisi të bërtasë së bashku me bijtë e tij, me të njëjtën britmë malli, me rrënjët në ankth, në gjak e në dashuri. Dhe u mishërua. E edhe u ngjit mbi Kryq. Vetëm që të ishte me mua e me ty. Vetëm që unë të isha me Të e si Ai. Zoti u mbërthye mbi kryq nga dashuria për njeriun, që është në kryq! Dashuria ka shumë detyra, por e para nga këto detyra, është të jesh me të dashurin.

Vetëm një Zot ngjitet mbi kryq e hyn në mort, sepse në mort hyn çdo i dashur i tij! Çdo gjest tjetër do të na e kishte përforcuar idenë e rreme mbi Zotin. Vetëm kryqi na e davarit çdo dyshim! Çdo njeri, çdo mbret, çdo president, po të mundte, do të zbriste menjëherë nga kryqi. Vetëm një Zot nuk zbret nga druri!

Kryqi është honi, ku Krishti bëhet dashuronjës, zanafillë e përkryer e Zotit ndër njerëz. Këtë na e thonë fjalët e para të shqiptuara nga bota pas vdekjes së Jezusit: me të vërtetë ky ishte Biri i Zotit. Akti i fesë lind nga kryqi:

 “Jo, të besosh në Pashkët, nuk është / feja e vërtetë:/tepër mirë je për Pashkë!/ E vërtetë është ajo e së Premtes së Madhe/ kur ti nuk ishe/ mbërthyer në maje të Kryqit!/ Kur asnjë jehonë/ s’i gjegjej britmës sate// (David M. Turoldo)

Thelbi i krishterimit, është kundrimi i fytyrës së Zotit të kryqëzuar! (Kard. Martini).

Të hyjmë, pra, në këtë Javë, në ditët e fatit tonë, ditë të “hakmarrjes së Zotit”: kur Zoti merr hak për gjithë largimin prej Tij, për gjithë indiferencën, gjithë ndarjen, duke shpikur kryqin, që e larton tokën e ul qiellin, që i mbledh të katër horizontet, udhëkryq i të gjitha udhëve tona të humbura.

Krahët e Jezusit, të kryqëzuar e të hapur në një përqafim, që nuk mund të mohohet më, janë portat e Edenit, hapur në dy kapakë përgjithmonë, janë zemra e shporuar shumë para se të goditej nga heshta, janë mirëpritja e çdo krijese, besëlidhja me gjithçka jeton: zanafillë e njeriut në Zotin. Sepse i dashuri lind nga plagët e zemrës të atij, që do. Njeriu lind nga zemra e shporuar e Krijuesit të vet.

E kupton, kështu, se jeta nuk është zotërim, as rrëmbim, por dhurim i vetvetes; se Zoti dhe jeta janë dhuratë reciproke e vetvetes. Atëhere Kryqi është vërtet lumnia e Zotit, ora e lavdishme e jetës!

05 prill 2020, 11:03