E Diela e Larit: në prag të ditës së ringjalljes!
R. SH. - Vatikan
Meditim
Me lavd e brohori të rrethuan
atë të dielë, Jezus.
Ish gëzimi i të pastrehëve,
që e dinin se Ti je Mesia,
i ëmbli, i buti, i pritur kahmot
nga dora e Zoti dërguar,
mes njerëzve të pafat!
Ish gëzimi i atyre
që i panë me sy,
e i prekën me dorë mrekullitë;
atyre, që i dëgjuan fjalët tua
plot shpresë e ngushëllim,
e panë edhe shenjat
që i mbushën me gëzim.
Ish gëzimi i njerëzve
që thyhen më dysh
nën barrën e rëndë
të vuajtjes, të kapitjes,
e në Ty shikojnë shokun
e gatshëm për të ndarë
me ta barrën e kryqit.
Shohin profetin, që nuk i fsheh poshtërsitë,
po i bërtet me zë të lartë mes turmash,
duke dëftuar kështu,
fytyrën e Zotit të vërtetë.
Ti e pranon këtë shpërthim shprese,
dhe pse e di mirëfilli se çka të pret:
intrigat e njerëzve të pushtetshëm,
akuzat thurur me nge mbi shkritore,
dhuna, që shpërthen gjithnjë
kundër atij që s’ka
as krah as shpatë.
E di se të pret fundi
mbërthyer përmbi kryq.
Vetmia e frikshme,
ankthi më i idhtë të pret,
Po di edhe se Atin
përherë do ta kesh pranë,
sepse i Tiji është plani i dashurisë
që duhet çuar deri në fund të fundit!
Derisa njerëzit ta gjejnë
në terr dritën e humbur,
der’sa të mos ketë kurrë më
kufij të paarritshëm
ndërmjet tokës e qiellit!
Derisa të shkrihet
e mbramja pikë e dyllit, në djegie!
Deri te britma, që e lëkund tokën në themel:
“O Atë, pse më lëshove dore?!”.
E derisa mbi botën të shpërthejë
drita e ringjalljes!