Kërko

 E Diela e Larit 2020 E Diela e Larit 2020 

E Diela e Larit: në prag të ditës së ringjalljes!

Kremtojmë sot të Dielën e Larit. Ditë galdimi, që vijon me ditën e tmerrshme të kryqit! Kur tokë e qiell tronditen deri në themele nga britma e Krishtit të kryqëzuar: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?”. Britmë e fortë e të pafajit, që kërkon ndihmë!

R. SH. - Vatikan

Meditim

Me lavd e brohori të rrethuan

atë të dielë, Jezus.

Ish gëzimi i të pastrehëve,

që e dinin se Ti je Mesia,

i ëmbli, i buti, i pritur kahmot

nga dora e Zoti dërguar,

mes njerëzve të pafat!

 

Ish gëzimi i atyre

që i panë me sy,

e i prekën me dorë mrekullitë;

atyre, që i dëgjuan fjalët tua

plot shpresë e ngushëllim,

e panë edhe shenjat

që i mbushën me gëzim.

 

Ish gëzimi i njerëzve

që thyhen më dysh

nën barrën  e rëndë

të vuajtjes, të kapitjes,

e në Ty shikojnë shokun

e gatshëm për të ndarë

me ta barrën e kryqit.

 

Shohin profetin, që nuk i fsheh poshtërsitë,

po i bërtet me zë të lartë mes turmash,

duke dëftuar kështu,

fytyrën e Zotit të vërtetë.

Ti e pranon këtë shpërthim shprese,

dhe pse e di mirëfilli se çka të pret:

intrigat e njerëzve të pushtetshëm,

akuzat thurur me nge mbi shkritore,

dhuna, që shpërthen gjithnjë

kundër atij që s’ka

as krah as shpatë.

 

E di se të pret fundi

mbërthyer përmbi kryq.

Vetmia e frikshme,

ankthi më i idhtë të pret,

Po di edhe se Atin

përherë do ta kesh pranë,

sepse i Tiji është plani i dashurisë

që duhet çuar deri në fund të fundit!

 

Derisa njerëzit ta gjejnë

në terr dritën e humbur,

der’sa të mos ketë kurrë më

kufij të paarritshëm

ndërmjet tokës e qiellit!

Derisa të shkrihet

e mbramja pikë e dyllit, në djegie!

Deri te britma, që e lëkund tokën në themel:

“O Atë, pse më lëshove dore?!”.

E derisa mbi botën të shpërthejë

drita e ringjalljes!

 

 

04 prill 2020, 11:10