Kërko

Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme  Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme  

E Diela e Larit e të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht

T’i përgjigjemi me dhurimin e vetvetes, dhuratës më të madhe që Jezu Krishti do të na bëjë sërish gjatë kësaj Jave të Madhe të Pashkëve. Kjo ftesa e liturgjisë së Dieleës së Larit

R.SH. - Vatikan

Fjala e Zotit e kësaj së diele të Larit apo të Luleve që hap Javën e Madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve na fton të gjithëve e posaçërisht rinjtë t’u kundërvihemi me guxim dhunës e gënjeshtrës e të mos kënaqemi me atë që mendojnë apo që bëjnë të gjithë, por të kërkojmë Zotin, të ndjekim Jezu Krishtin, Mbretin e paqes e të drejtësisë, që pësoi mundimet për shpëtimin tonë.

Me bekimin e palmave e gemave të ullinjve, Kisha na shpjegon se me këtë gjest e imitojmë shoqërimin e turmës e të dishepujve të cilët, plot gëzim festiv, ndjekin Zotin Jezus që hynte në Jeruzalem. E ashtu si ata, edhe ne, përmes ketij riti e gjesti, duam lavdërojmë me zë të lartë Zotin për të gjitha mrekullitë, që i kemi parë me sytë tonë e përjetuar në jetën tonë. Edhe sot shohim sesi Ai frymëzon burra e gra të heqin dorë nga rehatia e jetës së tyre, për t’u vënë plotësisht në shërbim të njerëzve që vuajnë e që janë të sëmurë, të persekutuar padrejtësisht; sesi Ai u jep guxim burrave e grave të kujdesë për të tjerërt, t’i kundërvihen dhunës e gënjeshtrës, për t’i bërë vend në botë dashurisë e së vërtetës; sesi Ai nxit burra e gra t’u bëjnë mirë të tjerëve në heshtje, fshehurazi e, pa kërkuar të duken, të çojnë pajtimin ku vret urrejtja, të frymëzojnë paqen, ku mbretëron armiqësia.

Me bekimin e Palmave, pra, shpallim besojmën tonë mbi pushtetin mbretëror të Krishtit, e njohim Jezusin si “Mbret të paqes e të drejtësisë”. Ta njohësh si Mbret do të thotë: të pranosh se është Ai që tregon udhën, Ai në të cilin besojmë, Ai që e ndjekim. Do të thotë ta pranosh ditë për ditë Fjalën e Tij si kriter me vlerë për gjithë jetën tonë. Do të thotë të shikosh në Të pushtetin të cilit i nënshtrohemi plotësisht, sepse pushteti i Tij është pushtet i së vërtetës”. Kisha na nxit t’i themi edhe ne ‘po’ Krishtit e të rinisemi pas Tij kudo që dëshiron të na çojë, duke ecur besimplotë në rrugën ku na prin.

Në liturgjinë e së Dielës së Larit këndohet Psalmi 24, që këndohej edhe në Izrael. Kënga shoqëronte procesionin që ngjitej në malin e Tempullit. Ky Psalm përmes figurës së ngjitjes fizike, simbolizon ngjitjen shpirtërore e shpjegon ç’do të thotë të ngjitesh bashkë me Krishtin. E ata që ngjiten e duan të arrijnë vërtetë lart, duhet të jenë njerëz që kërkojnë Zotin. Njerëz që vëzhgojnë rreth vetes për të kërkuar Zotin, për të parë Fytyrën e Tij të vërtetë. Të dashur miq, sa rëndësi të madhe ka kjo, pikërisht sot, për secilin prej nesh: të mos ia lejojmë vetes të luhatemi nga fryn era; të mos kënaqemi me atë që mendojnë, thonë e bëjnë të gjithë. Të hetojmë rreth vetes në kërkim të Zotit. Të mos lejojmë që në shpirtin tonë të zhduket dëshira për ta gjetur Zotin. Dëshira për Atë që është gjëja më e madhe. Dëshira për ta njohur Atë – fytyrën e Tij, zemrën e Tij.

Në se dëshiron vërtetë të ngjitesh – na kujton Psalmi - duhet të plotësosh një kusht: t’i kesh duart të pafajshme e zemrën, të pastërt. Duar të pafajshme janë duart që nuk përdoren për akte dhune. Janë duart që nuk janë njollosur me korrupsion, me ryshfete, me favorizime, me abuzime të çfarëdo natyre. Zemër e pastër, po, kur është zemra e pastër? E pastër është zemra që nuk shtiret, që nuk e njollos vetveten me gënjeshtra e hipokrizi. Që mbetet e tejdukshme si uji i burimit, sepse nuk e di ç’do të thotë të jesh mësallë me dy faqe. E pastër është zemra që nuk dehet nga vetkënaqësia; zemra në të cilën dashuria është e vërtetë e jo pasion i çastit. Duar të pafajshme e zemër të pastër: në se ne ecim me Jezusin, pastrohemi e ngjitemi vërtetë në lartësinë për të cilën njeriu është paracaktuar: në lartësinë e miqësisë me vetë Zotin.

Në liturgjinë e vjetër të së Dielës së Larit meshtari, sapo arrinte para Kishës, trokiste fort me Kryqin e procesionit në portën ende të mbyllur, që pas kësaj trokitjeje, hapej… figurë kjo tejet e bukur për misterin e vetë Jezu Krishtit që, me drurin e Kryqit të vet, me forcën e dashurisë së vet që dhurohet, troket, nga ana e botës - në portën e Hyjit; nga ana e njerëzimit që nuk po e gjente më rrugën për të hyrë te Hyji Atë.

Me Kryq Jezusi hapi portën e Hyjit, portën ndërmjet Zotit e njerëzve. Ajo tani është e hapur. Por Zoti troket me Kryq edhe nga ana tjetër: troket në portat e botës, në portat e zemrave tona, që tepër shpesh e shumica e tyre janë të mbyllura për Hyjin e për të afërmin. E na flet pak a shumë kështu: Në se provat që Zoti të jep në krijim për ekzistencën e tij nuk arrijnë të të bëjnë t’ia hapësh zemrën; në se e ndjek me indiferencë fjalën e Hyjit dhe mesazhin e Kishës, atëherë më shiko mua, na thotë Jezusi, më shiko mua Zotin që u mundua për ty, që vuan personalisht me ty – shiko se unë vuaj për dashurinë tënde e hapma zemrën, mua e Hyjit Atë”. Na ndihmoftë Zoti t’ia hapim dyert e zemrave që kështu Ai, Zoti i gjallë, të mundet nëpër Birin e vet të arrijë në kohën tonë, të arrijë në jetën tonë e të shkëlqen me dritën e Tij Hyjnore.

04 prill 2020, 14:19