Kërko

Gesu in gloria.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Shën Pali, filipianëve: Ruajuni prej punëtorëve të këqinj

Filluam, javën e kaluar të flasim për Letrën e Shën Palit apostull dejtuar Filipianëve, nga e cila veçuam himnin e mrekullueshëm të kapitullit II, ku thuhet se Krishti ia mohoi vetvetes natyrën hyjnore, për t’u bërë shërbëtor. Iu bind Atit Qiellor deri në vdekje, prandaj ai e lartoi e tani, çdo njeri e njeh si Zot. Vijojmë komentin, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Banorët e Filipit shihnin në horizont malin e Olimpit, banesa e perëndive të Greqisë së lashtë. Ndër ta, ishte rrënjosur thellë një ide tipike e religjiozitetit helenik, ajo e “privilegjit” të hyjnisë. Atëherë, për ta kuptuar këtë himn, duhet të imagjinojmë se ai, që e ka shkruar - ndoshta pikërisht shën Pali (i cili, gjithsesi, mund ta ketë përshtatur nga një tekst i mëparshëm) - ndiente akoma në veshë jehonën e mitit të Prometeut: titanit, mik të njerëzimit dhe të përparimit, që ua vjedh zjarrin perëndive për t’ua dhënë njerëzve e, për këtë, dënohet nga Zeusi, i cili e lidh me zinxhirë dhe e gropos thellë në Tartar, në qendër të Tokës.

 Ja si vjershëronte Gëte (Goethe), duke menduar për dënimin e Prometeut, që për të, ishte simbol i fatkeqësive njerëzore: “Unë nuk njoh në botë askënd më meskin se ju, o perëndi. Mjerisht, e ushqeni me kacidhe e lutje madhështinë tuaj e, zor se do të jetonit, nëse fëmijët e lypsarët nuk do të ishin, marrëzisht, plot shpresë”.

  Himni i Letrës drejtuar Filipianëve tregon një histori të ndryshme. Fundin e privilegjeve të kastës më të fuqishme, asaj të qiellit! Nëse ka ndonjë shprehje për ta kuptuar idenë e të krishterëve për Zotin, ajo është në fillim të këtij himni: një Zot, që nuk është xheloz dhe mohon vetveten. Në gjuhën e krishterë, na pëlqen të flasim për “kenosis” të Hyjit! Pjesa tjetër e kapitullit II të Letrës rrjedh, pa pasur shumë për të thënë, pas këtyre majave, ku mbërriti me këtë himn.

Në kapitullin III, gjërat ndryshojnë e, ndokush, me të drejtë, lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një lloj “kopjo e ngjit” të shën Palit. Për disa, versetet 3,1b-4,1.8-9 përbëjnë një letër të vërtetë polemizuese, që shën Pali e mbante me vete; një lloj memorie mbrojtëse, përgatitur për t’u përdorur në raste të ndryshme, të cilat, natyrisht, nuk i mungonin! Vërtet, toni është mjaft i ndryshëm nga atmosfera krejt e qetë, që karakterizon pjesën tjetër të Letrës. Ja si fillon ky kapitull:

“Ruajuni prej ‘qenve’! Ruajuni prej punëtorëve të këqij! Ruajuni prej rrethprerjes gjymtuese! Sepse, ne jemi të rrethprerët ‘e vërtetë’, ne që në Shpirtin e Hyjit kryejmë shërbesën hyjnore dhe mburremi në Krishtin Jezus dhe nuk shpresojmë në trup” (Fil 3,2-3).

Kush është ky njeri, që flet kaq ashpër? Duket sërish shën Pali gjaknxehtë e polemik, madje, edhe i padurueshëm nganjëherë, por nuk mund të gjykojmë kështu, nëse nuk e njohim nivelin e tensionit dhe diskutimet e asaj kohe. Problemet e Kishës së parë ishin shumë të mëdha e këto fyerje ishin reciproke. Nuk është krejtësisht e vërtetë që bashkimi i Kishës i përket së kaluarës, gjithnjë ka qenë e ardhmja e saj! E shën Pali formulon këtu një koncept, që të bën vërtet përshtypje:

“Unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom” (Fil 3,8).

Fjala greke, me të cilën mbaron kjo frazë, është “skùbala” e do të thotë: bajgë, pleh, fëlliqësirë. Ky është kuptimi i fjalës “llom”, që përdoret në përkthimin në shqip. Është e qartë se Pali, në kulmin e polemikës, dëshiron të përdorë një fjalë të ndyrë, që, përveç zemërimit të tij, shpreh edhe mjerimin e turpshëm të atyre, që e mohojnë misterin e Krishtit, i cili është shfaqur kaq lavdishëm. Ai e ndjen se mund të mburret me faktin se beson në Krishtin, por nuk e bën këtë. E lirisht, vendos të mos e përdorë këtë meritë, këtë lloj përfitimi të tij, sepse në krahasim me njohjen e Jezu Krishtit, çdo gjë tjetër është “llom”: me një fjalë, vendos të bëjë si Jezusi, që – siç thuhet në himnin e kapitullit II – nuk e konsideroi të qenët Zot, visar, nga i cili nuk mund të hiqte dorë. Kështu, shën Pali bëhet imitues i përsosur i Krishtit. Edhe ai “zbrazet”, pra heq dorë nga forma e tij primitive. Edhe ai pati një “kenosis”.

23 prill 2020, 08:31