2019.12.19-San-Paolo-apostolo-basilica-01.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

“Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë!” (Fil 1,21). Kjo është fraza më e bukur e, edhe më e famshmja, e Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve, të cilën fillojmë ta komentojmë në emisionin e sotëm. Gjithnjë, ndjekim librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në këtë Letër, procesi i identifikimit të Shën Palit me Krishtin arrin shprehjen e e tij më të lartë, aq sa apostulli ka mundësi edhe një herë t’u kërkojë ndjekësve të vet ta imitojnë, pa pasur frikë se mos e keqkuptojnë.

Duket si arrogancë, krenari e tepruar e mendjemadhësi, por si mund të jesh shenjt pa këtë këmbëngulje, që s’lejon as dyshime e as frikë? Shën Pali nuk ka më frikë nga vdekja, pavarësisht se shkruan nga burgu, i dënuar me vdekje. E ka shpirtin plot e duket kaq i gëzuar sa Letra drejtuar Filipianëve quhet edhe “Letra e gëzimit”.

  Fjala “gëzim” përmendet për 12 herë me radhë e toni i përgjithshëm i Letrës është i qetë e ngushëllues. Është fjala për një Letër, që nuk motivohet nga probleme baritore o nga diskutime teologjike, por nga një arsye e dyfishtë: t’i përforcojë filipianët “e tij” dhe t’u tregojë për gjendjen në të cilën ndodhet.

Filipi është qytet shumë i dashur për Palin, sepse në këtë qytet të themeluar nga i ati i Aleksandrit të Madh apo i Lekës së Madh, ai mbërrin pas një ëndrre, ku një nga banorët e zonës (Maqedonia e lashtë) e fton për vizitë. Falë atij vizioni, për herë të parë, kumtohet Ungjilli në Evropë. Ishte viti 50.

Pali e viziton edhe tri herë të tjera bashkësinë, që e ndien të vetën, dhe e shkruan këtë Letër, për të cilën po flasim, dy ose tre vite më vonë, gjatë burgimit në Efes. U shkruan filipianëve, pa u kujdesur fort për gjendjen e tij personale si i burgosur, madje, nuk mban mëri për të:

“Ani, çka ndodh? Asgjë tjetër veçse predikohet Krishti, qoftë për qëllime të tjera, qoftë me çiltëri. Kësaj i gëzohem dhe do t’i gëzohem!” (Fil 1,18).

 Shën Pali nuk pyet për ç’mund t’i ndodhë! E arsyeja është e qartë. Nëse jeton, jeton për të kumtuar Ungjillin; nëse vdes, edhe më mirë, sepse do të takohet me Jezusin.

 Kapitulli i dytë i Letrës na vë përpara një perlë të mendimit paolin, një himn me shije liturgjike, thjeshtësia e koherenca i të cilit e bëjnë vërtet unik. Do të duhej ta mësonim si dëshmia e parë e vërtetë e mendimit të krishterë, që tregon dhe kremton misterin e Krishtit. Janë fjalë, që e ndryshojnë mënyrën e konceptimit të fesë, sepse kupton me të vërtetë ç’ndodhi me Jezusin:

“Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus:

i cili, edhe pse me natyrë Hyj

barazinë e vet me Të

nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

por ia mohoi vetvetes

e mori natyrën e shërbëtorit

dhe u bë i ngjashëm me njerëz

dhe, për kah pamja e jashtme,

dukej vetëm njeri.

E përuli vetveten

duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,

mu deri në vdekje në kryq.

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve

dhe i dha emrin, që është mbi çdo emër,

që në Emër të Jezusit

të përkulet çdo gju

i atyre që janë në qiell, në tokë e nën tokë

dhe çdo gjuhë të dëshmojë:

‘Jezu Krishti është Zot!’

Në nder të Hyjit Atë” (Fil 2,5-11).

Duhet thënë se në tekstin grek, në fillim, nuk flitet për “ndjenja”. Fjalia e parë do të ishte kështu: “gjithçka mendojeni në të njëjtën mënyrë si ishte në Jezu Krishtin”.

Teksti na bën të kundrojmë kohën para ardhjes së Jezusit, natyrën hyjnore para asaj njerëzore dhe pohon, për herë të parë në Besëlidhjen e Re, se në Jezusin e Nazaretit u duk hyjnia e Zotit në formë njerëzore. Me pak fjalë, këtu lind mendimi i krishterë: biri i zdrukthëtarit, njeriu i kryqit, ekziston para fillimit të të gjitha sendeve e bart në vetvete formën hyjnore, por zhvishet prej saj, duke na u dukur në formë njerëzore, duke u bërë i përvuajtur deri në vdekjen në kryq. E pastaj, siç këndohet në këtë himn të mrekullueshëm, lartohet, që çdo gjuhë të dëshmojë se Krishti është Zot. Në emisionin e ardhshëm, do të vijojmë të flasim edhe pak për këtë himn të bukur. Deri atëherë, ju ftojmë ta lexoni Letrën e shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.

16 prill 2020, 09:13