2019.04.25 San Marco Evangelista 2019.04.25 San Marco Evangelista 

Më 25 prill Kisha kremton festën e Shën Markut, ungjilltar

Shën Marku shkroi katekizmin e Shën Pjetrit për bashkësitë e para të krishtera, duke hartuar kështu Ungjillin më të vjetër kanonik. Në të gjitha epokat e njerëzimit janë të paktë shkrimtarët që hartuan vepra, të cilat përshkuan shekuj e hapësira, duke u ribotuar, duke u përkthyer e duke u studiuar në të katër anët e tokës. Këtë fat pati Ungjilli i Markut, që u shkrua rreth vitit 70 pas vdekjes së Krishtit. Titullohej: To Euaggelion” – “Lajmi i mirë”.

R.SH. - Vatikan

Shën Marku, ungjilltar, një pjesë të mirë të jetës e kaloi duke ndjekur e bashkëpunuar në veprimtarinë apostolike me apostujt kryesorë, Palin, të cilit i qe afër edhe gjatë burgimit, e pastaj si dishepull i Pjetrit, shkroi ungjillin e dytë, duke mbledhur predikimin e apostullit mbi të thënat dhe mbi faktet e Jezusit, shpallur Bir të Hyjit të dëftuar nga Ati Qiellor. Pastaj, si vdiq Pjetri, ishte ai që i priu veprimtarisë apostolike. Këtë na tregon tradita për Shën Markun, autor i Ungjillit më të lashtë, festën e të cilit e kremtoi sot Kisha katolike. 

Është viti 64 pas Krishtit. Mbi një kodrinë të Romës, pranë Rrugës Kornelia, që njihej si Kodra e Vatikanit, zhvillohet një ngjarje tepër prekëse. Trupi i një njeriu të kryqëzuar varroset në një gropë të hapur në varrezën e vogël, pranë cirkut privat të Neronit, që ngrihet po në këtë kodrinë. Në arenën e këtij Cirku, pak orë më parë, ndërmjet gjamëve të hatashme të qindra të krishterëve të torturuar mizorisht, ka vdekur ai që solli në Romë lajmin e shëlbimit të Krishti: Simoni, i thirrur Pjetër, peshkatar nga Galileja. Nuk është e vështirë të përfytyrojmë, në grupin që varros dëshmitarin e parë të Nazarenit, edhe praninë e një njeriu, një farë Gjoni, që njihej me emrin Mark.

Për të krishterët e parë Marku, prej kohe ndjekës i Palit të Tarsit, është dishepulli të cilin Pjetri, në një letër të tij, e quan përzemërsisht ‘biri im’ (1 Pt. 5, 13). Marku është sekretar që di greqisht, që mund të shërbejë si përkthyes e, për më tepër, i njeh më mirë se të gjithë, mësimet gojore të Apostujve të parë. Papia i Gjerapolit, një nga ipeshkvijtë e parë të krishterë, kujton mësimet një farë “presbiteri” me emrin Gjon. Shkruan: “Marku, përkthyes i Pjetrit, shkroi gjithçka që kujtonte, si fjalët, ashtu edhe veprat e Zotit Jezus, pa i kushtuar kujdes rendit të ngjarjeve”. 

Por ky njeri, që vite me radhë jetoi nën hijen e kryetarit të Kishës së lindur në Jeruzalem, ishte shumë më tepër se një kopist: ishte njëri nga të katër Ungjilltarët e Mëdhej, që na la trashigim Ungjillin, i cili njihet me emrin e tij: Ungjilli i Shën Markut. 

Pas vdekjes së Apostullit, Markun nis të shkruajë në mënyrë të rregullt tregimet e Pjetrit. E kryen librin e tij rreth vitit 70 pas Krishtit. Titulli është To Euaggelion, Lajmi i mirë. Kështu i pari nga të katër Ungjijtë, më i lashti, u bë realitet. Ai që të gjithë e pandehnin thjeshtë kopist, kishte krijuar një gjini krejt të re letrare. E edhe në se, në vijim, prototipi do të tejkalohej për stil, ndërtim e dendësi njoftimesh, nga Ungjijtë e tjerë kanonikë, gjithsesi në të ndjehet shija e predikimit të parë të krishterë.

Marku e shkroi për të krishterët me origjinë pagane, për t’iu përgjigjur pyetjes ‘Kush është Jezusi?’ e për të dhënë përgjigjen ‘Jezusi është Mesia’. E Ungjilli i Markut arrin të na bindë plotësisht për këtë, posaçërisht kur na përshkruan flijimin e Krishtit në Kryq. Zëri i të krishterëve të rinj në Ungjillin e tij shprehet përmes mahnitjes së Çenturionit mbi Kalvar, që thërret: “Vërtetë ky njeri ishte Biri i Hyjit!”.

Në gjurmët e Pjetrit, Marku tani bëhet predikatar. Për disa kohë, së bashku me Pjetrin, pati jetuar e vepruar në Akuilea, në ato troje të lindjes italiane, me të cilat do të lidhej ngushtë emri i tij. Më pas i erdhi radha Aleksandrisë, apostullimit në Cirenë, gjë që e pasqyrojnë mrekullisht bukur disa nga pikturat e famshme të Tintoretos.

Si kthehet në Aleksandri, edhe për Markun arrin ora e martirizimit. Trupi i tij mbetet në këtë qytet deri në vitin 828, kur sundimtari arab vendos ta rrënojë shenjtëroren ku ruheshin reliket e Ungjilltarit, për t’i përdorur mermerin dhe shtyllat në ndërtimin e një pallati në Babiloni. Nga frika e dhunimit të relikeve, dy tregtarë venedikas, Buono nga Malamoku dhe Rustiku nga Torçelo vendosën ta merrnin tinëz trupin e ungjilltarit e ta sillnin në Itali, të fshehur ndërmjet koshave, ku kishin shtënë derrkucë, për të shmangur rrezikun e kontrollit nga ana e myslimanëve. Venediku do të bëhej, kështu, qyteti i Shën Markut!

25 prill 2020, 10:54