San Giorgio San Giorgio 

Më 23 prill kalendari kishtar kujton Shën Gjergjin, martir

Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet dhe mund draguan.

R.SH. - Vatikan

Më 23 prill Kisha katolike kremton festën liturgjike tё Shën Gjergjit, martir, është një nga shenjtorët më të njohur, simbol i triumfit mbi të keqen dhe kasnec i pranverës. Është një nga shenjtorët më të njohur, simbol i triumfit mbi të keqen dhe kasnec i pranverës.

Shën Gjergji lindi në Kapadokie, ku edhe u bë oficer i ushtrisë romake. I kthyer në fenë e krishterë nga e ëma, hoqi dorë nga ky rang. Gjatë shpërthimit të martirizimit kundër të krishterëve, u burgos dhe u martirizua. I përballoi me një heroizëm të pashoq të gjitha torturat e edhe vdekjen, në emër të Krishtit .

Po figura e Shenjtit mbështillet me mister. Të pakta, të dhënat historike, të shumta, gojëdhënat, që u krijuan në shekuj për Shenjtin, kulti i të cilit u përhap shumë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, duke nisur që nga shekulli IV. Ato pak të dhëna, që erdhën deri në ditët tona, mund t’i lexojmë në “Passio Georgii”, apo historia e martirizmit të Gjergjit, të cilën “Decretum Gelasianum” i vitit 496 e klasifikon ndërmjet veprave apokrife. Shën Gjergji, simbol i triumfit mbi të keqen, kasnec i pranverës, lindi në Kapadokie, ku edhe u bë oficer i ushtrisë romake. I kthyer në fenë e krishterë nga e ëma, hoqi dorë nga ky rang. Gjatë shpërthimit të martirizimit kundër të krishterëve, u burgos dhe u martirizua. I përballoi me një heroizëm të pashoq të gjitha torturat e edhe vdekjen, në emër të Krishtit.

Kulti i tij nisi të përhapej së pari në Palestinë. Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi kuçedrën, në përfytyrimin popullor, simbol i fitores së kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik, që ndeshet me kuçedrën dhe e mund.

Legjenda e kuçedrës nisi në mesjetë, kur figura e Shenjtit mori pamjen e kalorësit heroik. Rrëfehet se në qytetin e Silenes, në Libi, banorët sulmoheshin nga një kuçedër, që jetonte në një kënetë. Për ta qetësuar, nisën t’i jepnin çdo ditë dy dele; më pas një dele e një vajzë, zgjedhur me short. Një ditë shorti i ra bijës së mbretit. Në sa po e çonin te kuçedra, kaloi andej pari Shën Gjergji, i cili u ndesh me kuçedrën dhe e mbyti me heshtën e tij të mprehtë. Atëherë mbreti dhe gjithë nënshtetasit e tij u kthyen menjëherë në fenë e krishterë.

Prej këndej, Shenjtit iu kushtuan shumë vepra letrare e artistike, nga të cilat kujtojmë “De situ terrae sanctae”, shkruar rreth vitit 530 nga Teodor Perigeta, në të cilën lexojmë se në Lida të Palestinës, sot Lod, pranë Tel Avivit, në Izrael, ishte një bazilikë kostandiniane, ngritur mbi varrin e Shën Gjergjit e të shokëve të tij. Pavarësisht nga kjo e dhënë, me ngjyrime historike, studiuesit vijojnë edhe sot e kësaj dite të bëjnë kërkime, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Kush ishte Shën Gjergji, historia e të cilit e frymëzoi aq shumë artin, duke mbetur edhe sot e kësaj dite shumë e dashur për botën e krishterë?”.

Devocioni ndaj Shenjtit u rrit e u përhap gjithnjë më tepër në rrjedhë shekujsh. Në mesjetë, kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas tyre u zgjodh edhe Pajtor i mbretërve të Anglisë, duke nisur nga Rikard Zemërluani. Mbetet dhe sot e kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore angleze e trojeve të saj. Emrin e tij e mbajnë 21 komune italiane

Shën Gjergji është shenjt tepër i njohur edhe në trevat shqiptare. Devocioni i tij ka përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së pranverës, siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në dyert e jashtme e të brendshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse të festës së Shenjtit i përshkruan shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e njohur “Ditë Shëngjergjash”.

Në trevat shqiptare i ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’, që dëshmon për ekzistencën e Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri e në Jug: mjafton të kujtojmë Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ku i fundit i njohur edhe në botë për bukuritë e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit në Nënshat të dioqezës së Sapës, që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta në kohë të reja.

Së fundi theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajtat Gjergj, Gjergjush, Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat e Gjorgjina për gratë. E mjafton të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e Shenjtit: Gjergj Kastrioti, Gjergj Guzzetta,  Gjergj Fishta e të tjerë.

23 prill 2020, 09:56