Santa-Faustina-Kowalska-Divina-Misericordia.jpg

20 vite më parë shpallej shenjte motër Faustina, apostulle e Mëshirës Hyjnore

Më 30 prill 2000, të Dielën e parë pas Pashkëve, Papa Gjon Pali II shpalli shenjtore murgeshën polake Faustina Kowalska. Sa shpirtra, pati thënë Papa Wojtyla, janë ngushëlluar, duke thënë: “Jezus, kam besim në Ty” – lutje, që vetë Krishti ia sugjeroi murgeshës.

R.SH. - Vatikan

Shenjtërim, që u dëshirua fuqimisht nga Papa Gjon Pali II, për t’i transmetuar botës së mijëvjecarit të ri, mesazhin e mëshirës së Zotit, “i cili jo vetëm që fal mëkatet, por plotëson edhe të gjitha nevojat e njerëzve”, duke u përkulur “mbi çdo mjerim njerëzor, material e shpirtëror”. Karol Wojtyla, në mes të Jubileut të Madh të vitit 2000, e shpjegoi kështu kanonizimin e motër Faustina Kowalska-s, murgeshës së vogël polake, së cilës Jezu Krishti, përmes vegimeve të shumta ndërmjet viteve 1926 dhe 1938, i besoi mesazhin e Tij të mëshirës.

Takimi i Papës me motër Faustinën

          Ishte 30 prilli i vitit 2000, e Diela e parë pas Pashkëve, e, vetëm pak ditë më pas, Papa do të kalonte pragun e 80 viteve, tashmë i sëmurë. Gjatë meshës, kujtoi periudhën ndërmjet Luftës I dhe II Botërore, pushtimin nazist të Polonisë, kur si seminarist klandestin, nga viti 1940 deri më 1944, punonte në fabrikën e sodës Solvay, jo larg nga kuvendi i Motrave të Zojës së Mëshirës në Lagiewniki, periferi e Krakovit. Aty kishte ndërruar jetë motër Maria Faustina Kowalska, në moshën 33 vjeç, më 5 tetor 1938. Gjatë meshës së shenjtërimit, Gjon Pali II përmendi edhe fjalët, që Jezusi i pati thënë motër Faustinës e që i përshtaten mirë asaj kohe e të gjitha kohrave me luftë: “Njerëzimi nuk do të gjejë paqe, deri sa të mos i drejtohet me besim Mëshirës hyjnore”.

Kuvendi i Łagiewniki-t, në Krakov, tani shenjtërore, ku prehet trupi i Shën Faustina Kowalska-s
Kuvendi i Łagiewniki-t, në Krakov, tani shenjtërore, ku prehet trupi i Shën Faustina Kowalska-s

I riu me këpucë të drunjta, në lutje në Łagiewniki

          20-vjeçari me këpucë të drunjta – Papë i ardhshëm – ndalej për t’u lutur pranë varrit të motër Faustinës. Si ipeshkëv-ndihmës i Krakovisë, që nga viti 1958 e, më pas, si Pasardhës i Shën Pjetrit, që nga viti 1978, Karol Wojtyla e ndoqi me vëmendje çështjen e shenjtërimit të apostulles së Mëshirës Hyjnore. E shpalli të Lume, më 18 prill 1993 e pastaj, shenjte, pikërisht si sot, më 30 prill 2000, ditën kur kjo murgeshë - që nuk u pranua nga shumë kuvende para se të hynte në atë të Zojës së Mëshirës në Varshavë - filloi noviciatin, në vitin 1926. E Diela e dytë pas Pashkëve, me vendim të shenjtit të ardhshëm Gjon Pali II, u kthye në të Dielën e Mëshirës Hyjnore. Pikërisht në Ungjillin e asaj së diele, Jezusi i Ringjallur u kumton dishepujve mesazhin e mëshirës së vet: “Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i falen”.

Altari kushtuar Shën Gjonit Pali II, në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në Shpirtin Shenjt në Sassia, foto Reflexa
Altari kushtuar Shën Gjonit Pali II, në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në Shpirtin Shenjt në Sassia, foto Reflexa

Nga zemra e të Ringjallurit, mëshira shndrit botën

          Fugurja e Krishtit të Ringjallur, me dy fasha drite, që fillojnë nga zemra dhe rrezatojnë botën, është ajo, që Krishti i kërkoi motrës Faustina ta pikturonte; është ajo që Krishti e bekoi; është ajo, që mban mbishkrimin “Jezus, kam besim në Ty!”.

“Përmes zemrës së Krishtit të kryqëzuar, - shkruante motër Faustina në Ditarin e saj të mirënjohur - Mëshira hyjnore arrin tek njerëzit: ‘Bija ime, - i kërkoi Krishti në njërin nga vegimet e saj - thuaj që unë jam vetë Dashuria dhe Mëshira’ (Ditari, 374)”.

Jetë, që kthehet në himn për Zotin

          Jeta e shkurtër e asaj, që Jezusi e quajti, siç shkruan motër Faustina në Ditar, “Sekretare e Mëshirës Hyjnore”, nuk ishte aspak e lehtë, por Krishti ia kishte thënë në një vegim. Shëndetligë, jeta e ashpër dhe agjërimet e 13 viteve të jetës rregulltare ia minuan shëndetin. Ajo u sëmur nga tuberkulozi dhe u shtrua dy herë në një sanatorium afër Krakovit. Motër Faustina i pranoi pa fjalë detyrat e përvuajtura, që iu besuan, si kuzhiniere, kopshtare e portiere, por “e fshehur në kuvendin e saj në Lagiewniki të Krakovit – pati kujtuar gjatë meshës së shenjtërimit Gjon Pali II – e ktheu jetën në himn për mëshirën: Misericordias Domini në aeternum cantabo”, thotë Psalmi 88.

          Motra Faustina Kowalska la të shkruar në Ditarin e saj: “Ndiej dhimbje të jashtëzakonshme kur vërej vuajtjet e të afërmit. Të gjitha dhimbjet e të afërmve janë me pasoja për zemrën time; unë i mbaj në zemër ankthet e tyre, në një mënyrë që më ligështon edhe fizikisht Do të dëshiroja që të gjitha dhimbjet të binin mbi mua, për t’i lehtësuar të afërmit”(Ditari, f. 365).

Fugurja e Jezusit të Mëshirshëm dhe shtatorja e Shën Faustinës në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, foto Reflexa
Fugurja e Jezusit të Mëshirshëm dhe shtatorja e Shën Faustinës në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, foto Reflexa

Ngushëllimi: Jezus, kam besim në Ty!

          Mesazhi i Mëshirës Hyjnore, shpjegoi Gjon Pali II, 20 vite më parë, duke e shpallur shenjte motër Faustinën, “u drejtohet mbi të gjitha atyre që, të prekur nga një sprovë veçanërisht e vështirë, ose të shtypur nga pesha e mëkateve, e kanë humbur çdo besim në jetën dhe tundohen të bien në dëshpërim”. Atyre u duket Fytyra e ëmbël e Krishtit,  për ta janë ato fasha mëshire, që nisen nga Zemra e Tij dhe ndriçojnë, ngrohin, tregojnë rrugën e dikojnë shpresën.

“Sa shpirtra – pati thënë Gjon Pali II - janë ngushëlluar, duke thënë lutjen shigjetore ‘Jezus, kam besim në Ty’, të cilën Provania Hyjnore na e sugjeroi përmes motrës Faustina!”

Ky akt i thjeshtë lëshimi në duart e Jezu Krishtit, i davarit edhe retë më të dendura e bën të kalojë një rreze drite në jetën e secilit.

30 prill 2020, 15:06