Kërko

 Incredulità di san Tommaso (Caravaggio) Incredulità di san Tommaso (Caravaggio) 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve e festës së Mëshirës Hyjnore

Krishti Gjallë na fton ta pranojmë thirrjen e Tij që na drejton për t’u bërë njerëz të ri e dëshmitarë të sinqeritetit e të së vërtetës, si apostujt që i komunikuan Tomës takimin e tyre me Krishtin e Gjallë: “ E pamë të Ngjallurin”, e si Toma që pas dyshimeve, pas vështirësisë së besimit, ra në gjunjë duke rrëfyer fenë e tij në Zotin e Gjallë, edhe të besojmë e të biem në gjunjë para Krishtit Zot e Shpëtimtar.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së dytë të Pashkëve, të ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve e festës së Mëshirës Hyjnore

Me këtë të Diel përfundon Tetëditshi i Pashkëve, si të ishte një ditë e vetme, e bërë nga Zoti, përplot me frymën e Ngjalljes së Jezusit dhe të gëzimit të dishepujve, që shohin Jezusin e Gjallë. Që nga lashtësia, kjo e dielë njihet me emrin ‘in Albis”, ‘e Diela e Bardhë’. Gjon Pali II ia kushtoi këtë të dielë Mëshirës Hyjnore, me rastin e shenjtërimit të motër Maria Faustina Kovalskës, më 30 prill të vitit 2000

Leximet biblike të lirugjisë së Fjalës na ftojnë të vijojmë reflektimin tonë mbi misterin e Pashkëve, mbi misterin e mundimeve, të vdekjes e tё Ngjalljes së Jezu Krishtit, që është qendra dhe zemër e krishterimit.

Ungjillit i shën Gjonit (20,19-31) na rrëfen sesi Jezusi, pas Ngjalljes, i vizitoi dishepujt e tij, mbledhur në Çenakull, në sa dyert ishin të mbyllura, prej frikës së judejve. Shën Agostini shpjegon se “portat e mbyllura nuk e penguan hyrjen e atij korpi, në të cilin banonte hyjnia”.

Jezusi u tregon dishepujve shenjat e mundimeve, duke e lejuar Tomën, që nuk beson, t’ia prekë plagët. E, duke ndjekur Tomën në mosbesimin e tij, nuk mund të mos pyesim: “Si është e mundur që një dishepull të dyshojë?”.  Shenjat e kryqëzimit të cilat, sipas tregimit të ungjilltarit, dalloheshin qartë në Korpin e lumnuem të Krishtit të Gjallë. Këto plagë të shenjta, ndër duar, ndër këmbë e në kraharor të Jezusit, janë edhe për ne të gjithë burim i pashterrshëm feje, shprese e dashurie, posaçërisht për shpirtrat që kanë më shumë etje për Mëshirën Hyjnore. Në të vërtetë mirëdashja hyjnore na lejon të përfitojmë edhe nga mosbesimi i Tomës, përveçse nga qëndrimi i dishepujve besimtarë. Duke i prekur plagët e Jezusit të Ngjallur Zot, dishepulli që ngurron, Toma, shëron jo vetëm mosbesimin e vet, por edhe tonin.

Vizita e Jezusit të Ngjallur nuk kufizohet në hapësirën e ngushtë të Çenakullit, por shkon shumë më përtej, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin dhantinë e paqes e të jetës, me ‘Frymën krijuese’. Në të vërtetë Jezusi, dy herë me radhë u tha dishepujve: “Paqja me ju! e shtoi: “Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Ky, pra, është misioni i Kishës, që asistohet përjetësisht nga Ngushëlluesi: t’ua çojë të gjithë njerёzve lajmin e gëzueshëm, realitetin gazmor të dashurisë përdëllyese të Zotit, me qëllim që – siç thotë Shën Gjoni – “të besojnë se Jezusi është Krishti, Biri i Hyjit e që, duke besuar, të kenë jetë, në emër të tij”.

Pra, me pak fjalë, leximet e kësaj së diele na ofrojnë e na ftojnë të ndalemi tek frytet e Krishtit të Ngjallur: Leximi  Parë na flet për lindjen e tiparet e bashkësisë së parë të krishterë të apostujve e të anëtarëve të parë, ndërsa Ungjilli i kësaj së diele na tregon për dhuratën e Krishtit të Gjallë, paqen dhe për vështirësinë e të besuarit të Tomës në Krishtin e Gjallë.

                                                    Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë (Vap 2, 42-47)
Ringjallja e Krishtit është një ngjarje e papërsëritshme, por është e nevojshme të gjendet mënyra për ta jetuar çdo ditë. Në sytë e të krishterëve të parë mënyrë më e drejtë për ta bërë ishte jeta e bashkësisë, domethënë ajo që shprehej në një liturgji shtëpie duke kujtuar fjalët dhe shembujt e apostujve në një klimë gëzimi dhe bashkëndarjeje.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Vëllezërit ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë.
Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin të gjithë së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë asish që shëlbohen. Fjala e Zotit

Psalmi 118 (117)

Ref: I kemi medituar, o Zot,
veprat e tua të madhwrueshme.
____________________________________________

Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
_____________________________

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e përjetshme është dashuria e tij!
________________________________

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,
por më përkrahi ndihma e Zotit.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
Ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve.
_____________

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
_____________

Leximi i dytë (1 Pjt 1, 3-9) Kush beson në Jezu Krishtin e ringjallur prej të vdekurve dhe “të rilindur”; si një person i shëruar nga një sëmundje e rëndë bën sërish planet për të ardhmen, bën hapat e parë drejt një shëndeti të përsosur; mendimi i vdekjes nuk e tremb. Jezusi që ka fituar mbi vdekjen është shpresa e gjallë që na mbështet në ecjen tonë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të pakufi në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.
Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar – shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr – të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e zbulesës së Jezu Krishtit: Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia rritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit. Fjala e Zotit

ALELUJA, Aleluja.
Pse po më sheh, o Tomë, po beson.
Lum ata që nuk panë e besojnë!
Aleluja.

Ungjilli (Gjn 20, 19-31) Jezusi i ringjallur u shfaqet dishepujve dhe u jep atyre paqen dhe gëzimin e Atit.Vetëm tani ata e njohin motivin dhe vlerën e vdekjes së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuara u dhurohet atyre paqja e Shpirtit. Ringjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja, dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigji: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit!

18 prill 2020, 10:14