Kërko

Vatican News
Ringjallja e Lazrit Ringjallja e Lazrit 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës V të Kreshmëve

Në pjesën e sotme ungjillore, në të Dielën V të Kreshmëve, Krishti ngjall Lazrin së vdekurish. Vetë Jezusi mallëngjehet deri sa derdh lot e ka mëshirë për të vdekurin e për të motrat. Na jep edhe një mësim të madh: “Unë jam ringjallja dhe jeta”. Janë fjalë, që jehojnë edhe sot e kësaj dite, sidomos në situatën e vështirë, në të cilën ndodhemi, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila merr jetë e shton numrin e varreve. Por le ta dëgjojmë këtë pjesë, marrë nga kreu 11 i Ungjillit sipas Gjonit…

R.SH. - Vatikan

1 Aso here ishte i sëmurë një farë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës… 5 Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. 6 Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. 7 Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude”… 20 Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para… 21 Atëherë Marta i tha Jezusit: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur”... 25 Jezusi iu përgjigj: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. 26 E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë...”. 28 Si tha kështu, shkoi dhe thirri Marinë, motrën e vet… 32 Maria, kur arriti atje, ku ishte Jezusi e, kur e pa, ra përmbys para tij dhe i tha: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla s’do të kishte vdekur!” 33 Jezusi, …u trand në shpirt, u turbullua… 35 e i ngufi vaji. 36 Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!”… 38 Mandej Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë e grykën ia kishin zënë me një gur... 41 E hoqën, pra, gurin. Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha: “O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën…”. 43 Si foli kështu, thirri me zë të madh: “Lazër, dil jashtë!” 44 Dhe, ai që pat vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”

Të lutemi së bashku:

Ka shumë të këqija, është e vërtetë, o Jezus,

por asgjë s’na tmerron më shumë se vdekja,

sepse na duket e pashmangshme:

kërcëllin dhëmbët e merr me vete

njerëzit më të dashur,

ndërpret lidhjet më vëllazërore,

largon të njohurit e miqësitë më të bukura.

E sidomos, fillon e duket

edhe në horizontin e secilit prej nesh,

duke na lënë të përhumbur, sepse nuk e dimë

as ditën, as orën.

Shpesh, pastaj, mbërrin pas një kalvari të gjatë

vuajtjesh e dhimbjesh,

pas terapive të padobishme e rraskapitëse,

pas një sekuence pa fund

shpresash të brishta e disfatash dërrmuese.

 

Vetëm Ti, O Zot i kryqëzuar e i ringjallur,

mund të më çlirosh nga pushteti i vdekjes,

nga frika, që ngre krye,

në shpirtin tim të shqetë,

nga terri, që zbret

deri në fund të zemrës,

nga shkurajimi, që më pengon

të luftoj ballë për ballë

me shpresë e këmbëngulje.

 

Vetëm Ti, O Zot i kryqëzuar dhe i ringjallur,

mund të më shkëputësh nga kthetrat e saj,

nga izolimi që sjell,

nga dëshpërimi që ta shkreton shpirtin,

nga lodhja që të dërrmon.

Ti je ringjallja e jeta,

sepse Ti e pe në sy vdekjen

dhe fitove mbi të, një herë e përgjithmonë.

Amen

28 mars 2020, 08:19