Kërko

Shërimi i të verbërit Shërimi i të verbërit 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës IV të Kreshmëve

Në pjesën e sotme ungjillore, në të Dielën IV të Kreshmëve, Krishti shëron një të verbër, që në të të duket vepra e Zotit, por kritikohet nga farisenjtë, sepse e shëron të shtunën, kur duhej të pushonte sipas Ligjit. Por ja ç'thotë kjo pjesë, marrë nga kreu i nëntë i Ungjillit sipas Gjonit…

R.SH. - Vatikan

1 Duke kaluar rrugës pa një njeri të verbët, që kishte lindur i verbët. 2 Nxënësit e tij e pyetën: ‘Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që leu i verbët?’ 3 ‘Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij – u përgjigj Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit…’. 6 Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë 7 dhe i tha: ‘Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë ‘I dërguari’)’. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte… 13 Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbët, te farisenjtë. 14 Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve… 16 Atëherë disa prej farisenjsh thanë: ‘Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!’ Por disa tjerë thoshin: ‘Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?’ Dhe u bë përçarje ndër ta”.

Të lutemi së bashku:

Kam ecur nëpër natë,

me dritën e pishtarëve,

i kam paraprirë agimit

dhe kam përballuar errësirën,

nganjëherë, jam udhëhequr

vetëm nga shkëlqimi i yjeve dhe i hënës.

 

Por errësira më e thellë,

terri më i dendur,

më kanë kapluar

në çastet kur humbja rrugën,

kur nuk dija më

ku të shkoja e çfarë të bëja

e ankthi kthehej

në këshilltarin më të keq.

 

E shi atëherë, o Jezus, e pata vlerësuar

dritën tënde pa bujë

që nuk të verbon e nuk të hap plagë,

dritën tënde plot mirësi

që nuk poshtëron e nuk gjykon,

dritën tënde të mëshirshme

që jep prapë shpresë e besim.

 

Po, Ti je drita e vërtetë

që e shndrit çdo burrë e çdo grua,

dëshirtarë për të gjetur

udhën e jetës.

 

Ti je drita, që hedh poshtë

çdo paragjykim e çdo dyshim

e dhuron një vështrim të qashtër,

të aftë t’i shohë mrekullitë e dashurisë.

 

Ti je drita, që shoqëron

çdo kërkim të sinqertë

vëllazërimi, drejtësie e paqeje.

21 mars 2020, 09:28