Djalli tundon Krishtin në shkretëtirë Djalli tundon Krishtin në shkretëtirë 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës I të Kreshmëve 'A'

Ungjilli i kësaj së diele, e para e Kreshmëve, na çon në shkretëtirë, ku Jezu Krishti agjëroi për 40 ditë me radhë dhe u rezistoi tundimeve të djallit. Kreshmët, që sapo kanë filluar, janë pikërisht imitimi i këtyre 40 ditëve, kur secili prej nesh, në shkretëtirën e vet, mundohet t’i kapërcejë tundimet e kësaj bote, për t’i përngjarë Mësuesit Hyjnor. Ja, pjesa ungjillore, marrë nga kapitulli IV i shën Mateut:

R.SH. - Vatikan

1 Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. 2 Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund pati uri. 3 Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: ‘Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!’ 4 Por Jezusi iu përgjigj: ‘Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’’.

5 Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit 6 dhe i tha: ‘Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë:

‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh…’. 7 Jezusi iu përgjigj: ‘Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!’ 8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote… 9 e i tha: ‘Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron’. 10 Atëherë Jezusi tha: ‘Ik, o djall, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’”.

Të lutemi së bashku:

O Zot Jezu Krisht,

më kanë mësuar t’u iki tundimeve.

Ndërsa Ti duket sikur shkon e i kërkon,

madje, me bashkëpunimin e Shpirtit Shenjt!

Po, e di, unë jam vetëm njeri,

e mëkate, bëj sa të duash.

Madje, janë po ato, gjithmonë,

nuk arrij të ndalem e shpesh, bie në to me të dyja këmbët.

E atëherë, dorëzohem, jetoj me to

e me një fill zëri të kërkoj falje,

ose përpiqem t’i harroj

me shpresën e vagullt se edhe Ti bën kështu.

Tani, më jep të kuptoj se po gaboj edhe perspektivën.

Atit Qiellor nuk i interesonin aq pengesat

për të cilat Ti ishe i vetëdijshëm:

priste vetëm që Ti ta kuptoje veprën e djallit

edhe në gjërat më të zakonshme e më të lakmuara

nga njerëzit e tu e, ndoshta - po të dyshoje - edhe nga Ty.

Prandaj, unë i varfri të lutem të ma hapësh zemrën e mendjen,

të më ndihmosh t’i shoh rrënjët e së keqes në shpirtin tim.

Jo aq veprat, sa sjelljet që kthehen në zakon.

Jo aq difektet, sa shtysat e brendshme.

Jo aq mëkatet, sa përparësitë e gabuara e vlerat e rreme.

Edhe unë kam nevojë për një shkretëtirë

që të kthehem tek vërtetësia e shembëllimit të Zotit

brenda meje.

29 shkurt 2020, 11:14