Kërko

Vatican News
 Tutti Santi Tutti Santi 

Shenjtorёt e javёs 22-29 mars

Ungjilli i së dielës nga Gjoni, përqendrohet tek Jezusi, që ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër, duke treguar, kështu, se është “drita e botës". Ky episod ungjillor na nxit të reflektojmë për fenë tonë në Krishtin, Birin e Zotit, e na kujton edhe Pagëzimin, Sakramentin e parë të fesë: Sakramenti, që na bën të dalim në dritë, përmes rilindjes nga uji e nga Shpirti Shenjt Zot.

E diel 22 mars, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të e të kohës së Kreshmëve. Gjithnjë më 22 mars, kalendari kujton shën Lean, vejushë romake e shën Palin, ipeshkëv i Narbonës. Liturgjia e kësaj se diele që flet për shërimin e të verbrit të lindur (Ungjilli) i ofron Gjonit ungjilltar rastin për të vënë në pah udhën e fesë që avancon mes mundimesh e vështirësish. I verbri arrit te drita, do të thotë te feja në Zotin, dhe atë e kumton. Ne shpesh herë pretendojmë të shohim qartë e nuk vërejmë se jemi të verbër. Por nuk duhet të harrojmë se Krishti është drita që na udhëheq.

Të hënën më 23 mars, kalendari pёrkujton shën Turibin e Mogrovejos, ipeshkëv i Limës e shën Rebeken. Liturgjia e ditёs na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të martën  më 24 mars, kalendari kujton shën Katerinën e Suedisë, virgjër, bijën e shën Brigjidës. Emri Katerina vjen nga greqishtja dhe do të thotë “e pastër”. E tillë qe Katerina Ulfsdotter, e njohur ndryshe si Katerina e Suedisë, e dyta e tetë fëmijëve të Shën Brigitës, mistikes së madhe suedeze, që la një shenjë të pashlyeshme në historinë dhe letërsinë e vendit skandinav. Lindur më 1331, në moshë fare të re e martuan me një burrë nga një derë fisnike. Fisnik, mbi të gjitha në shpirt, ai jo vetëm që e miratoi dëshirën e vajzës për të zbatuar kushtin e pastërtisë, por e lidhi edhe vetë atë kusht. Në moshën 19 vjeçare, Katerina u bashkua me nënën në Romë, ku ndau me të përkushtimin e thellë ndaj fesë dhe shtegtimet e shumta. Pas vdekjes së Brigitës, Katerina e barti trupin e së ëmës në atdhe, në vitin 1375, dhe hyri në kuvendin e Vadstenës, ku u zgjodh edhe abateshë. Vdiq më 24 mars 1381.

Të mërkurën më 25 marskalendari përkujton Lajmërimin e Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit. “Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, me emrin Nazaret, tek një virgjër e fejuar me një burrë prej shtëpisë së Davidit, me emrin Jozef. Virgjëra quhej Mari. (...) Engjëlli i tha: “Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty, fuqia e të Tejetlartit do të të mbulojë. Ai që do të lindë do të jetë i shenjtë dhe do të quhet Biri i Hyjit. (...) Atëherë Maria tha: Ja, jam shërbëtorja e Zotit, ndodhtë në mua sipas fjalës sate” (Lk 1 26.3538). Mishërimi i Krishtit na kujton se historia e njeriut është historia e Hyjit, që nga ngjizja deri në lavdinë e ringjalljes. Duke kaluar përmes misterit të kryqit dhe të vdekjes. 

Të enjten më 26 mars, kalendari  përkujton Shën Eutikun, nëndiakon i Aleksandrisë së Egjiptit. U martirizua nga ipeshkvi heretik arian Gjergji, në kohën kur perandor i Romës ishte Kontanci, për shkak të fesë së tij katolike. Liturgjia e ditёs na kujton se të kesh fe në Hyjin, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të Tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu, apostujt e të tjerët. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.

Të premten më 27 mars, kalendari përkujton Shën Rupertin. Me prejardhje nga Irlanda, pinjoll i një dere fisnike, rreth vitit 700 shkoi në Bavari, ku iu përkushtua predikimit dhe jetës murgare. Me ndihmën enjë konti bavarez themeloi ndërtoi një kishë kushtuar Shën Pjetrit, pranë liqenit të Wallerit dhe një manastir pranë lumit Salzach, në afërsi të qytetit romak Juvavum. Rreth këtij manastiri lindi qyteti i Salsburgut (qyteti i kripës), i cili e kujton Rupertin jo vetëm si ipeshkvin e parë, por edhe si ri-themeluesin e qytetit, mbi rrënojat romake. Vdiq më 27 mars, të dielën e pashkëve të vitit 718. Ikonografia e përshkruan me një enë me kripë.

Të shtunën më 28 mars kalendari kujton të lumen Jeane Marie de Maillé (Zhanë Mari de Majé). E veja me prejardhje fisnike, pasi e humbi të shoqin në luftë, e dëbuar nga shtëpia ku kishte lindur dhe e zhveshur nga të mirat tokësore, jetoi, e mbyllur në një qeli të vogël pranë një kuvendi françeskan, duke lypur bukën e gojës dhe plot me besim në Zotin. Vdiq në vitin 1414.

Të dielën e ardhshme më 29 mars,  Kisha do të kremtojë të Dielën e 5-tё e tё fundit tё kohёs liturgjike tё Kreshmёve, e gjithnjë më 29 mars kalendari pёrkujton të lumin John Hambley (Gjon Hëmbli), meshtar e martir. U dënua me vdekje në vitin 1587 gjatë mbretërimit të Elizabetës I, vetëm sepse ishte meshtar.

22 mars 2020, 09:55