Kërko

Tutti Santi - ognissanti Tutti Santi - ognissanti 

Shenjtorët e javës 15 - 22 mars

Liturgjia e ditës që na shoqëron drejt Pashkëve, na paraqet takimin e Jezusit me gruan mëkatare të zënë në kurorëshkelje, të cilën Ai e shpëton nga poshtërimi i mëkatit e nga gjykimi i tjerëve duke i thënë: “Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”, ndërsa akuzuesve të saj: “Kush është prej jush pa mëkat. Le ta qesë i pari gurin mbi të!”. Kështu Ungjilli na tregon mundësinë e rilindjes së jetës në faljen e dashurinë e Hyjit.

R.SH. - Vatikan

E diel 15 mars, Kisha katolike kremton të dielën e 3-të të kohës së kreshmëve, e gjithnjë më 15 mars, kalendari kujton shën Zakarinë papë; shën Luizën de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të shën Klementin Hofbauer, meshtar redentorist. Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na flet për takimin ndërmjet Jezu Krishtit dhe samaritanes, e cila ia shoi etjen, pavarësisht se habitet kur judeu (Jezusi) iu drejtuar asaj, që konsiderohej ndër të fundmit e shoqërisë. Në këtë pjesë Ungjilli ndeshemi me dhuratën e ‘Ujit të gjallë”, me kultin e vërtetë të Zotit dhe me misionin e krishterë.

Të hënën më 16 mars, kalendari kujton shën Hilarin e shën Tacianin, martirë të Akuilesë. Liturgjia e ditës nënvizon se Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit. 

Të martën më 17 mars, kalendari kujton shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjonin Sarkandër. Liturgjia e ditës që na shoqëruar drejt Pashkëve, na paraqet takimin e Jezusit me gruan mëkatare të zënë në kurorëshkelje, të cilën Ai e shpëton nga poshtërimi i mëkatit e nga gjykimi i tjerëve duke i thënë: “Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”, ndërsa akuzuesve të saj: “Kush është prej jush pa mëkat. Le ta qesë i pari gurin mbi të!”. Kështu Ungjilli na tregon mundësinë e rilindjes së jetës në faljen e dashurinë e Hyjit.

Të mërkurën më 18 mars, kalendari kujton shën Çirilin, ipeshkëv të Jerusalemit e doktor të Kishës dhe shën Anselmin, ipeshkëv të Lukës. Liturgjia e ditës na kujton se në këtë shtegtim kreshmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”

Të enjten më 19 mars, kalendari kremton festën e Shën Jozefit, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtorin e Kishës katolike universale. Është dita e emrit të Papës së nderit Joseph Ratzinger. Festa e Shën Jozefit na bind se mënyra si veproi Zoti me shën Jozefin, është po ajo që përdor edhe sot me çdonjërin prej nesh. Hyji i gjen gjithnjë njerëzit të përshtatshëm, për realizimin e planeve të tij hyjnore.

Të premten më 20 mars, kalendari kujton shën Gjon Nepomuçenin e shën Klaudien. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara për t’u lutur e për të kundruar, nuk do të thotë se Ai i braktisë nxënësit e vet. Vetëm atëherë kur Ai është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të shtunën më 21 mars, kalendari kujton shën Nikollën nga Flye, Pajtor i Zvicrës. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e vetëm, Jezu Krishtin, duke pranuar vdekjen e Tij në kryq për të na liruar nga vdekja e përjetshme.

Të dielën e ardhshme më 22 mars, Kisha katolike do të kremtojë dielën e 4-të e të fundit të kohës së Kreshmëve. Gjithnjë më 22 mars, kalendari kujton shën Lean, vejushë romake e shën Palin, ipeshkëv i Narbonës. Liturgjia e ditës na kujton se të kesh fe në Hyjin, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të Tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu, apostujt e të tjerët. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.

15 mars 2020, 10:15