Kërko

Kremtim kishtar Kremtim kishtar 

Pandemia e koronavirusit: çmimi i paguar nga meshtarët

Janë të paktën 30, meshtarët, që humbën jetën në Itali, për shkak të pandemisë Covid-19, 16 viktima vetëm nga dioqeza e Bergamos. Famullitarë, formues, njerëz të përkushtuar, nga jeta e tyre del një pamje e Kishës, që Papa Françesku e do fort, Kishë, në të cilën barinjtë mbajnë erën e deleve dhe ndajnë fatin e tyre me grigjën.

R.SH. - Vatikan

Ndër të prekurit nga koronavirusi ka edhe shumë meshtarë. Disa janë në izolim, të tjerë në terapi intensive. Së paku 30 prej tyre kanë humbur jetën këto ditë, nga ndërlikimet, që sjell kjo sëmundje, Covid-19. E megjithatë, veçanërisht në këtë çast dramatik, meshtarët vijojnë ta sigurojnë praninë e tyre përkrah njerëzve. Në Engjëllin e Tënzot të 15 marsit, edhe Papa Françesku u shprehu mirënjohjen më të sinqertë. Me atë rast, Ati i Shenjtë falënderoi “meshtarët, që mendojnë një mijë mënyra për t’u qëndruar pranë njerëzve, që ata të mos ndihen të braktisur”. Më 13 mars, gjatë meshës në shtëpinë e Shën Martës, Papa u lut që “Shpirti i Shenjtë t’u japë barinjve të Kishës aftësinë e shoshitjes baritore”. “Populli i Zotit - tha Françesku - të ndihet i shoqëruar nga barinjtë dhe nga ngushëllimi i Fjalës së Hyjit”.

Deri më sot, 23 mars

 Kisha e Bergamos është në zi sot për vdekjen e një meshtari tjetër. Është fjala për don Fausto Resmini-n, 67 vjeç, i shtruar në terapi intensive në Komo, prej disa ditësh. Prift i të fundmëve, pati themeluar Bashkësinë Don Milani në Sorisole, që kujdesej për të miturit. Kapelan burgu, me kamperin e tij të shërbimit “Eksodi”, për vite me radhë, u çoi një pjatë të ngrohtë të pastrehëve të stacionit të Bergamos.

Dioqeza e Bergamos në zi

Vetëm në dioqezën e Bergamos, qytet i prekur seriozisht nga pandemia Covid-19, të paktën 16 meshtarë kanë humbur jetën nga pasojat e ndërlikimet që lidhen me koronavirusin. Imzot Tarcisio Ferrari ishte, për më se 30 vjet, famullitar i kishës së Shën Aleksandrit të Kryqit, në Bergamo. “Prej viteve të shumta, kaluar në këtë famulli – kujtonte me emocion, kohët e fundit - mbaj në zemër gëzimin e shugurimit të pesë meshtarëve të rinj e ndihmën, që u kam dhënë, shumë të varfërve dhe nevojtarëve. Pastaj, bujarinë e njerëzve, njohjen me shumë familje dhe përjetimin e shumë ngjarjeve e kremtimeve në këtë famulli të mrekullueshme”.

Don Mariano Carrara ishte i sëmurë prej kohësh, por, pavarësisht nga sëmundja, nuk e kishte ndalur punën e tij të çmuar në shërbim të bashkësisë së krishterë të Urgnano-s. Pas keqësimit të shëndetit, rezultoi pozitiv për koronavirusin dhe vdiq pasi u shtrua në spitalin “Papa Gjoni XXIII”. Imzot Achille Bellotti, si meshtar i ri, shërbeu si kapelan mes emigrantëve italianë në Belgjikë. Një temë, ajo e migracionit, e cila është gërshetuar me gjithë shërbimin e tij baritor. “Ka disa elemente - kujton Zyra e Migrantëve në dioqezën e Bergamos - që i dallojnë njerëzit, të cilët vijnë nga bota e fshatit: janë konkretë e të vendosur, por kanë edhe një lloj qetësie të brendshme. Don Achille u ushqye kështu nga familja e tij”.

Don Tarcisio Casali e kremtoi meshën deri disa ditë para vdekjes. “Unë jam prift - shkroi ai me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë - i cili ka jetuar që nga fillimi i Koncilit II të Vatikanit. Kanë qenë vite të paharrueshme, plot entuziazëm dhe shpresë, sepse në Kishë, filloi të agonte një ditë me dritë të shkëlqyeshme. Ishte vetëm aurora, por fillonin të prekeshin me dorë rrezet e para të diellit që lindte”. Don Silvano Sirtoli u lind në Bergamo në vitin 1960. “Jeta e tij - kujton don Mario Carminati, vikari ipeshkvnor për veprimtaritë ekonomike, i shuguruar bashkë me të - ishte Ungjill i jetuar, duke lënë shenja të mëdha kudo”. Don Giancarlo Nava shërbeu për disa vite në Paraguai. Në këtë vend, ku themeloi një shkollë formimi për fshatarët, u kërcënua pse denoncoi plagë si korrupsioni dhe trafiku i drogës dhe i armëve.

Don Giuseppe Berardelli ishte kryeprift në Casnigo. Përshëndetja e tij ishte gjithmonë e njëjtë: “Paqe e të mira”. Vitin e kaluar, bashkësia famullitare i pati blerë një ventilator mekanik për mushkëritë. Por atë Berardelli hoqi dorë për t’ia dhënë dikujt, që ishte më i ri se ai. Atë Giosuè Torquati u lind në Bergamo në vitin 1938. Meshtar dehonian, quhej nga të gjithë “Magjistari i gëzimit”, sepse jepte shfaqje me lojra prestigji në orator, famulli, shkolla dhe shtëpi për të moshuarit. Thoshte se Zoti “nuk donte shelgje që qanin”.

Don Umberto Tombini e kreu shërbimin e tij meshtarak në komunën e Zogno-s. Këto janë fjalët, që i drejtoi disa vite më parë bashkësisë së tij: “Kam shumë fytyra në zemër, vështirë t’i harroj. Falenderoj Zotin që më bëri t’ju njoh ju të gjithëve, sepse më keni dhënë shumë dashuri”. Pas shugurimit, don Gaetano Burini e filloi shërbesën e tij meshtarake më 1962, në Peia. “Më entuziazmonin homelitë me dialog – thoshte, kur kujtonte periudhën e shërbimit si famullitar në Urgano – i mbaja gjatë meshës të së djelës me fëmijët e të rinjtë. Dy ose më shumë fëmijë dhe një i ri vinin në ambon dhe thoshin me zë të lartë ndjenjat, që u zgjonin leximet biblike”. Don Remo Luiselli pati themeluar një bashkësi për shërimin e të droguarve, në Ghisalba, në vitin 1989. Më 1993, u sulmua nga disa të rinj në sakresti. “Ishte ekspeditë ndëshkuese - tregonte ai - sepse në ato vite, kisha arritur të dërgoja 43 të droguar në një komunitet shërimi e kjo ishte kundër interesave të ndyra të ndokujt”.

Për dyzet vjet, don Piero Paganessi ka qenë pikë referimi për banorët e Comonte-s, në Seriate. Ishte i njohur për angazhimin e tij në Shoqatën “Veprimtarët e Paqes”, e cila vepron që prej vitit 1992 në Indi, për të ndihmuar njerëzit në nevojë në shtetin e Andra Pradeshit. Don Enzo Zoppetti u shugurua meshtar në vitin 1955. Fillimisht, shërbeu si koadiutor i famullitarit në bashkësinë e Camerata Cornello-s, më pas, u bë famullitar i Cantoni d'Oneta-s (1959-76) dhe më pas i Rosciano-s. Edhe në moshë të shtyrë, për aq kohë sa ia lejoi shëndeti, ndihmoi në famulli të ndryshme. Imzot Francesco Perico ua kushtoi shërbimin e tij, veçanërisht, të rinjve. Shumë prej tyre, tashmë të moshuar, e kujtojnë me dashuri nëpër rrjetet shoqërore. Don Adriano Locatelli, më 1 mars, në ditët e para të kufizimeve për shkak të koronavirusit, kremtoi meshën në Facebook për bashkësinë e tij. Don Guglielmo Micheli ishte, ndër të tjera, drejtor i Shtëpisë së Studentëve në Bergamo, nga viti 1968 deri në vitin 1997 dhe, asistent kishtar i Shoqatës S. Guido i Anderlecht-it, nga viti 1993 deri më 2001.

Viktimat e dioqezës së Parmës

Edhe dioqeza e Parmës paguan një haraç të rëndë. Kanë vdekur, deri tani, gjashtë meshtarë. Don Giorgio Bocchi, famullitar i Coltaro-s dhe don Pietro Montali ishin 89 vjeç. Një nga meshtarët më të rinj, që vdiq nga pandemia, është don Andrea Avanzini, i cili ndërroi jetë në moshën 55 vjeç. Tre viktimat e tjera të dioqezës së Parmës janë don Fermo Fanfoni, famullitar i Mezzano Inferiore-s, don Giuseppe Fadani, nga famullia e Carignano-s, dhe don Franco Minardi, famullitar i Ozzano Taro-s dhe ish-drejtor i Karitasit dioqezan.

Meshtarët, që ndërruan jetë, në dioqezën e Kremonës

Edhe katër meshtarë në dioqezën e Kremonës ndërruan jetë, për shkak të Covid-19. Don Albino Aglio u shugurua në vitin 1949. Kreu vitet e para të shërbimit si “prift i Oratorit”. Imzot Vincenzo Rini ishte meshtar dhe gazetar. Për vite me radhë, drejtoi të përjavshmen dioqezane “La Vita Cattolica”. Ka qenë edhe kryetar i Agjencisë kishtare të lajmeve Sir dhe i Federatës Italiane të të përjavshmeve katolike (Fisc). Për shkak të ndërlikimeve, që lidhen me koronavirusin, vdiqën dy kanonikë nderi në katedralen e Kremonës: imzot Giuseppe Aresi, shuguruar në vitin 1953 dhe imzot Mario Cavalleri, prifti më i vjetër i dioqezës. Ishte 104 vjeç.

Në kryedioqezën e Milanos kanë vdekur tre meshtarë

 Edhe kryedioqeza e Milanos vajton meshtarët e vet. Prifti i parë ambrosian, viktimë e virusit, është don Marco Barbetta, 82 vjeç, kapelan i Politeknikut, udhëheqës shpirtëror i shumë të rinjve. Po në Milano, pas ditësh lufte në terapi intensive, vdiq don Luigi Giussani, 70 vjeç, famullitar i kishës popullore milaneze të San Protaso-s, me të njëjtin emër me themeluesin e organizatës kishtare “Bashkim e Çlirim”. Në ditën e Solemnitetit të Shën Jozefit, mbërriti edhe lajmi për vdekjen e don Ezio Bisiello-s, për kohë të gjatë, famullitar i Ronco Briantino-s.

Viktima e parë në Jug

I përkiste dioqezës së Salerno-Campagna-Acerno-s, meshtari i parë nga Italia e Jugut, që vdiq pasi rezultoi pozitiv për koronavirusin. Është fjala për famullitarin e Caggiano-s, don Alessandro Brignone, i cili ndërroi jetë në moshën 45 vjeçare. “Sa funerale ka kremtuar! - kujton sivëllai, don Luigi Pierri. - E tani asnjë funeral për të. Le ta shoqërojmë të paktën me lutjen tonë vëllazërore plot mirënjohje”.

23 mars 2020, 17:45