EL SALVADOR-RELIGION-CANONIZATION-ROMERO EL SALVADOR-RELIGION-CANONIZATION-ROMERO 

Më 24 mars kalendari kishtar kujton Shën Oscar Romero, martir i Salvadorit

Shën Oscar Romero, kryeipeshkëv e martir, shenjt më 14 tetor 2018, mbetet në kujtesën e Kishës e të popullit si kundërshtar i papajtueshëm me dhunën dhe padrejtësitë, që rëndojnë mbi kurrizin e popujve.

R.SH. - Vatikan

Óscar Arnulfo Romero y Galdámez (Ciudad Barrios, 15 gusht 1917- San Salvador, 24 mars 1980) ishte ipeshkëv katolik salvadorian. Kryeipeshkëv i San Salvador, kryeqytet i El Salvador, u vra nga një snajper i skuadrave të vdekjes, për shkak të denoncimit të hapur të dhunës, ushtruar mbi popullin e  thjeshtë nga diktatura ushtarake e vendit të tij.

Ishte në altar, kur e vranë. Po kremtonte Meshën në kapelën e një spitali. E gjatë dhe e ndërlikuar, udha e lumnimit të tij, përfunduar më 23 maj 2015. Më e shkurtër, ajo e lartimit në altar, që pritet më 14 tetor 2018. Imzot Romero mbetet në kujtesën e Kishës e të popullit si kundërshtar i papajtueshëm me dhunën dhe padrejtësitë, që rëndojnë mbi kurrizin e popujve.

Kundërshtarët e Romeros

Shikohej me sy të keq, sidomos nga oligarkia, që kishte në dorë gjithë pushtetin në vend; pushteti zyrtar ishte ai i regjimit ushtarak, por vetë ky regjim lidhej me oligarkinë e udhëhiqej prej saj. Në të vërtetë u vra nga një ‘skuadron i vdekjes’, domethënë, nga grupet e çmendura të së djathtës ekstreme, që shquheshin për ushtrimin e  dhunës. Në këto rrethana, Konferenca ipeshkvnore ishte e ndarë: disa ipeshkvij, si Arturo Rivera Damas, i cili qe pasardhësi i tij, e mbështetën, të tjerët - kush më pak e kush më shumë, nuk ia përkrahën qëndrimin.

Zë i të pazëve

I mbeti atij angazhimi të mbronte paqen dhe popullin. Çdo të diel, gjatë  predikimeve, vinte në dukje çka kishte ndodhur në vend, në mënyrë që t’u jepte zë desaparecidos-ve, atyre që zhdukeshin pa gjurmë, viktimave e familjeve të tyre. Ishte gjithnjë në mbrojtje publike. E predikimin e shikonte si një nga mënyrat për t’u thënë atyre, që  ushtronin dhunën: “Ki mendjen, mbasi dihet mirëfilli tashmë se shtypi është i regjimit e nuk flet, po unë flas”, e pra ky martir është një zë, që flet. Imzot Romero nuk pretendonte se thoshte të vërtetën, por, një një farë mënyre, njerëzit e kuptonin se zëri i tij ishte zë i së vërtetës, de verdad, thoshin. E kështu ai nisi të thirrej: “Zë i të pazëve”, “voz de los sin voz”. 

Refuzim i dhunës e respekt për jetën

Shën Oscar Romero mishëroi figurën e Bariut të Mirë, Jezu Krishtit, që jep jetën për delet e tij. Prandaj, është shembull e nxitje për ipeshkvijtë, meshtarët e edhe besimtarët. Shembull i preferencës për më nevojtarët e mëshirës së Zotit, e nxitje për të dëshmuar dashurinë e Krishtit e kujdesin për Kishën. Imzot Romero - ka shkruar Papa Françesku në një letër me rastin e  lumnimit të kryeipeshkvit salvadorian - na fton të reflektojmë për jetën, ta respektojmë, atë e harmoninë ndërmjet njerëzve. Na kujton se duhet hequr dorë nga shpata e urrejtjes, për të jetuar dhunën e dashurisë, atë dhunë, që e la Krishtin të gozhduar mbi një kryq; pikërisht atë, që përpiqet të bëjë secili për ta mundur egoizmin e për ta zhdukur pabarazinë e pamëshirshme ndërmjet njerëzve.

Dashuria për të varfërit

“Ai diti ta shikojë dhe ta provojë mbi korpin e vet - lexohet akoma në letrën e Papës - egoizimin e fshehur në zemrat e atyre, që  pasuritë i duan vetëm për vete, pa menduar fare se ka edhe të tjerë. E, me zemër ati, thellësisht i shqetësuar për shumicën e varfër, u kërkoi të pushtetshëmve të heqin dorë nga armët e t’i kthejnë “pallat në parmenda”.

Imzot Romero, zë që nuk shuhet

Zëri i imzot Romeros vijon të jehojë, për të na kujtuar se Kisha, mbledhje e vëllezërve rreth Krishtit, është familje e Zotit, ku nuk mund të ketë pabarazi e përçarje.  Feja në Krishtin, e kuptuar besnikërisht dhe e pranuar deri në pasojat e mbrame, lind bashkësi, që dinë të krijojnë paqe e solidaritet. Për këtë është e thirrur Kisha në El Salvador, në Amerikë e në mbarë botën: “Të jetë e pasur me mëshirë e të bëhet tharm pajtimi për mbarë shoqërinë”.

Shën Imzot Oscar Romero u lartohet në nderimet e altarit si njeri i Kishës, mbrojtës i desaparecidos-ve, mik i të varfërve dhe i paqes, zë i të pazëve, ndërmjetësues pranë Zotit për të gjithë ata, që i kundërvihen luftës e dhunës, në emër të lirisë dhe të jetës.

24 mars 2020, 16:07