Kërko

Vatican News
San Leonardo Murialdo famiglia cristiana San Leonardo Murialdo famiglia cristiana 

Më 30 mars kalendari kishtar përkujton shën Leonardin Murialdo, meshtar

Shën Leonardo Murialdo, prifti i jetimëve dhe i dinjitetit të punës. Themeloi Kongregatën e Shën Jozefit për t’i ndihmuar rinjtë e varfër dhe më 1871 Bashkimin e punëtorëve katolikë. Është njëri prej Shenjtorëve më të mëdhenj shoqëror nga Piemonte.

R.SH. - Vatikan

Më 30 mars kalendari kishtar përkujton shën Leonardin Murialdo, shembull i meshtarisë dhe i dashurisë së krishterë.

Jeta e tij na flet për dëshminë e krishterë në ndihmë të të varfërve si dhe për koherencën e meshtarisë së tij. Qe njeri i dërguar në botë nga Provania Hyjnore, së cilës i besoi, i shërbeu, e dëshmoi. Piemontez, njeri i veprimit, i njohur për veprat në ndihmë të më të varfërve, në Torinon e tetëqindës, qytetin e dom Boskos, meshtar i shenjtë, shembullor, Shën Leonardi e shkriu gjithë jetën në shërbim të Zotit, duke e dëshmuar me vepra dashurinë e krishterë.

Shën Leonardi Murialdo ndërroi jetë më 30 mars të vitit 1900 e u shpall Shenjt nga Pali VI, më 3 maj. Torinez, bir i tetë i një familjeje të thjeshtë, Leonardi pati një formim të mirë të krishterë, që u pasua nga një krizë shpirtërore e, menjëherë pas, nga një rikthim në dritë, siç u shpreh ai vetë. U shugurua meshtar, njohu dom Gjon Boskon, që e vuri në krye të një Oratori e arriti një pjekuri të madhe në veprimtarinë shoqërore, edukative dhe apostolike.

Më rëndësi të nënvizohet se bërthama e përshpirtërisë së Murialdos është besimi i patundur në dashurinë përdëllyese të Zotit: një Atë gjithnjë i mirë, i durueshëm e bujar, që e dëfton madhështinë dhe pafundësinë e mëshirës së tij me faljen.  Leonardi do të ishte gjithnjë njeri e meshtar plot mirënjohje ndaj Zotit: e tregojnë disa rreshta, që i shkroi një ditë kur “ndodhej në fundin e greminës e Hyji shkoi ta kërkonte”. Pikërisht atë ditë, ai e dëgjoi qartë zërin e Zotit.

Prandaj jetoi me vetëdijen e kufizimeve të veta, duke e shoqëruar me një impenjim të vazhdueshëm e bujar pendese e kthimi në rrugën e Hyjit, pa harruar kurrë misionin e jetës së tij: meshtarinë! Ai ishte meshtar e detyra e tij kryesore - të shpëtonte shpirtrat. Shën Leonardi i kujtonte gjithnjë vetvetes dhe sivëllezërve se duhet të jetonin në përkim të plotë me sakramentin, që kishin marrë. Dashuria e Zotit e dashuria për Zotin: kjo ishte forca e tij, forca e udhës së tij drejt shenjtërisë, ligji i meshtarisë së tij, kuptimi më i thellë i apostullimit të tij ndërmjet të rinjve të varfër dhe burimi i lutjes së tij.

Ashtu si Shën Leonardi, që e lëshoi veten, me besim të plotë, në dorë të Provanisë Hyjnore – mbi vullnetin e së cilës hodhi bazat e Kongregatës së Shën Jozefit, themeluar në vitin 1873 e kushtuar ndihmës së fëmijëve të braktisur – të veprojmë edhe ne, me dashuri e përkushtim të hapur për të gjithë njerëzit, që kanë nevoja shoqërore, njerëzore e shpirtërore.
Të jemi gjithnjë gati për ta ndjekur Provaninë Hyjnore e për t’i shërbyer, pa bërë kurrë pyetje. Thoshte Shën Leonardi: “Unë nuk jam i zoti për asgjë, madje s’e kuptoj as atë që bëj. Por jam i bindur se Provania Hyjnore e di mirë ç’ kërkon nga unë. Mua më takon vetëm ta ndjek. Përpara, në Zotin! Kur ishte fjala për të varfërit, për nevojtarët, e quante gjithnjë veten ‘punëtor krahu i Provanisë Hyjnore”.

30 mars 2020, 11:18