Kërko

Forca e Kryqit Forca e Kryqit 

Kreshmë në kohën e Coronavirusit: mos kini frikë nga e panjohura

Dyzeta, numër biblik i shkretëtirës, u bë këto ditë për të gjithë, fjalë me shumë kuptime.

R. SH. - Vatikan

Dyzeta, numër biblik i shkretëtirës, u bë këto ditë për të gjithë, fjalë me shumë kuptime. Nuk na kujton vetëm  40  vitet e Izraelit në shkretëtirë, për t’u vënë në provë, ose 40 ditët e Krishtit, për t’u tunduar. Tani janë edhe ditët, jo doemos dyzet, po sigurisht kreshmore, të karantinës, kohë e nevojshme për të ruajtur korpin e shpirtin nga sëmundja. Kohë izolimi, kohë largimi nga të tjerët, kohë agjërimesh (edhe liturgjike); e pikërisht për këtë, kohë e përshtashme për pastrim e rilindje! Me këtë mendim po e nisim reflektimin kushtuar Kohës së Kreshmëve - në kohën e Coronavirusit. Kohë, të cilën po e jetojmë në një botë, në kulmin e alarmit përballë sëmundjes tinzare, të njohur e të panjohur.

Dyzet ditë kreshmore

Dyzet ditë kreshmore: të gjithë mendonim si do t’i kalonim. Me agjërim, natyrisht. Me ndonjë heqje dorë nga kënaqësitë e vogla, të përditshme, si televizori, bie fjala. E pse jo, edhe me ndonjë rrëmim në qilaret e vetvetes, të papastruara ndoshta prej kohe. Duke zbuluar, kështu, sa forcë kanë  ca gjëra, që duken pa ndonjë rëndësi të veçantë, mbi stomakun e edhe mbi zemrën tonë… E kështu deri Ditën e Pashkëve, për t’u rikthyer edhe një herë tek zakonet e kahmotshme: shtëpi, kishë, punë, rrugë, festa, kremtime, dreka e darka me të dashurit, e pastaj, përsëri java e punës, e akoma, fundi i dimrit e fillimi i pranverës. E rrotullimi i përditshëm i tokës, e yni, rreth diellit!

Kujtonim se kjo do të vazhdonte pambarimisht. Deri në fund të jetës!

Po gjithçka u ndërpre papritmas!

Na ra si rrufeja mbi kokë një shuplakë e padukshme. Një sëmundje misterioze e kërcënuese si një ushtri e ardhur nga ndonjë planet tjetër, që na vuri para pikëpyetjesh të mëdha. E sikur të më ngjitet edhe mua? A nënës sime? Babait? Vëllait? Apo ndoshta më është ngjitur tashmë e nuk e di akoma?

Dyshimi

Në fillim, kur virusi shtegtonte në Kinë, ne, që ishim larg tij, nuk u shqetësuam edhe aq! Tepër larg. I duhet kohë të arrijë deri tek ne. E shpresonim se, në shtegtim e sipër, do ta humbiste rrugën….. tepër shpejt për të marrë masa mbrojtëse… Kështu mendonim, duke mbyllur veshët e sytë e duke harruar se kjo që po ndodh sot nuk do të ishte vetëm frika se po na ngjitet sëmundja. Po një frikë edhe më e frikshme: ajo nga e panjohura…

Kreshmë të jashtëzakonshme, sivjet

Kreshmë shumë të ndryshme nga të përvitshmet, këto. Nuk jemi ne që heqim dorë sivjet nga gjërat e tepërta, nuk jemi ne që vendosim si ta kalojmë kohën kreshmore, është jeta, që na i imponon këto kreshmë të jashtëzakonshme. Janë mjekët. Shteti  e, natyrisht, edhe vetë Kisha.

Dyzet, numër biblik, i ngarkuar me shqetësim!

Dyzet, numri biblik i shkretëtirës, u bë për ne  tejet aktual. Hyri në jetët tona, në çdo çast tonë. Edhe në çastet, kur më kot mundohemi të prehemi, duke e harruar se te porta ndoshta na pret virusi!

Mos kini frikë nga virusi, nuk e ka fjalën e fundit

Po si mund t’i kundërvihemi, duke e ndaluar ta kapërcejë këtë portë? Mund t’i kundërvihemi vetëm nëse e shikojmë me syrin e Pashkëve të Krishtit. Me atë sy, që di ta shikojë të keqen në dritën fitimtare të Zotit, që mund të shikojë në këtë kohë të pështjelluar, kërcënuese, humusin e elementeve të çmuara të bukurisë e të shpresës, që burojnë nga kryqi i Krishtit, shpresa jonë. Nga besimi plot mirënjohje se fjalën e fundit nuk mund ta thotë virusi: fjala e fundit mbi kreshmët tona, mbi jetën tonë, nuk i takon ngjarjeve njerëzore,  i takon gjithmonë vetëm Zotit!

12 mars 2020, 12:53