Conferenza Episcopale dell'Albania Conferenza Episcopale dell'Albania 

Ipeshkvijtë katolike të Shqipërisë falënderojnë e mbështesin meshtarët në misionin e tyre gjatë Covid-19

Në këtë kohë të pandemisë, të vështira për mbarë njerëzimin, Ipeshkvijtë e Kishës katolike në Shqipëri u drejtohen meshtarëve me një letër falënderimi, afërsie, inkurajimi dhe nxitjeje për të vazhduar me dëshmimin e dashurisë së Zotit ndaj çdo personi, “sepse jeni shpresë dhe një rreze drite për shumë njerëz në këto ditë, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe me anë të dëshmisë tuaj”.

R.SH. - Vatikan

Në këtë kohë të pandemisë, kohë e vështirë për mbarë njerëzimin, Ipeshkvijtë e Kishës katolike në Shqipëri u drejtohen meshtarëve me një letër falënderimi, afërsie, inkurajimi dhe nxitjeje për të vazhduar me dëshmimin e dashurisë së Zotit ndaj çdo personi, “sepse jeni shpresë dhe një rreze drite për shumë njerëz në këto ditë, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe me anë të dëshmisë tuaj”.  Në vijim Letra e Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë drejtuar klerit të vendit: 

KONFERENCA IPESHKVORE E SHQIPERISE

PROT. NR. 10/20

Tiranë, 23.03.2020

Të dashur meshtarë,

këto ditë të vështira për mbarë racën njerëzore, për shkak të Covid-19, nuk kanë se si mos të prekim edhe zemrat tuaja. Ne duam t’ju falënderojmë, sepse jeni shpresë dhe një rreze drite për shumë njerëz në këto ditë, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe me anë të dëshmisë tuaj.

Meshtarët janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të urdhrit ipeshkvor dhe në këtë moment ne e ndjemë fortë këtë të vërtetë. Ju po ndani bashkë me ne peshën e udhëheqjes së grigjës së Hyjit në këtë orë terri. Por feja jonë na thotë se ky terr e ka një cak. Në Ungjillin e Lukës thuhet se terri e mbuloi tokën nga mesdita deri në orën tre të pasditës (krh. Lk 23,44). Hyji i ka vënë një cak territ e nuk mund të shkojë më përtej. Ne nuk e dimë nga pikëpamja kohore këtë cak e prandaj detyra jonë është të mbështesim me fe, shpresë dhe dashuri popullin që Hyji na ka besuar derisa ky terr të mbarojë.

Ju e dini tashmë se disa bashkëvëllezër tanë në Itali kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-19. Duam të sjellim në vëmendje shembullin heroik të don Giuseppe Berardelli të klerit të Bergamos i cili ia dha aparaturën e tij të oksigjenit një më të riu se vetja e tij. Vetë ai vdiq. Në kohë të tilla Hyji nxjerr edhe shenjtër. Meshtarë të tjerë që kanë qenë mjekë janë kthyer në korridoret e spitaleve për t’u shërbyer pacientëve. E të gjithë ne të tjerët po mundohemi sa më shumë t’u gjendemi pranë njerëzve tanë.

Në këto momente ndjejmë nevojën t’ju drejtohemi juve duke ju inkurajuar që të mos bini pre e pesimizmit dhe e trishtimit. Edhe kur këto ndjenja zënë fole në zemrat tona, për shkaqe nganjëherë shumë reale, që na vijnë nëpërmjet lajmeve apo të njohurve tanë, të dimë të nxjerrim edhe nga ky moment të mirën dhe të bukurën. Në Shkrimin e Shenjtë historia e Jozefit, djalit të Jakobit, të shitur nga vëllezërit e tij, na tregon shumë mirë sesi Zoti mund të nxjerrë diçka të mirë nga një përvojë e keqe. Ja fjalët e Jozefit drejtuar vëllezërve të tij që e kishin shitur në Egjipt: “Mos kini frikë! Vallë, a mund t’i kundërshtojmë vullnetit të Hyjit? Ju njëmend ma menduat të keqen, por Hyji e ktheu atë në të mirë që të më lartësojë, si po shihni se ndodhi me të vërtetë, dhe për të shpëtuar një popull të madh. Mos druani! Unë do të kujdesem për ju dhe për fëmijët tuaj” (Zan. 50, 19-21).

Besimtarët tanë kanë nevojë të shohin tek ne pika referimi të forta, duan të shohin te ne sigurinë se Zoti nuk na braktis në asnjë moment. Kush më mirë se ju mund ta bëjë këtë gjë?

Prandaj kjo kohë na fton më së pari të bëjmë atë detyrë që kemi marrë me shugurimin tonë: të lutemi për popullin e Hyji që na është besuar, qoftë nëpërmjet Litugjisë së Orëve, Meshës së shenjtë apo edhe Lectio divina. Është një kohë hiri në të cilën ne mund të ushqejmë jetën tonë shpirtërore. E ky ushqim shpirtëror do të na ndihmojë të shohim më thellë e të shpresojmë kundër çdo shprese (krh. Rom 4,18). Shpresa nuk lind një optimizëm naiv, por kurajë. Ja pse kemi shume nevoje per shprese ne kete situate. Në lutjet tona te ftojmë edhe besimtarët tanë që në fëmijët apo në zemrat e tyre t’ju bashkohen edhe falë mjeteve të komunikmit social. Pervec meshes, në mënyrë të veçantë t’ju kujtojmë Rruzaren e orës 21.00.

Së dyti të mos harrojmë të varfërit. Ankthi i sëmundjes shoqërohet edhe me ankthin e pasigurisë ekonomike të shumë familjeve tona të varfëra. Të angazhohemi në mënyrë që të varfërit tanë të ndjejnë dorën e butë të Hyjit provani nëpërmjet nesh. Mund të bashkëpunohet me shërbimet sociale të bashkive, ose ku nuk është e mundur, thjesht si bashkësi famullitare apo edhe ne si individë t’u gjendemi afër atyre që nuk kanë të hanë.

Së treti të rrisim e të forcojmë vllazërinë meshtarake duke iu gjendur njëri-tjetrit qoftë edhe me një telefonatë, një mesazh apo edhe duke ndejtur bashkë aty ku është e mundur.

Së katërti ju porosisim që për çdo shqetësim të na kontaktoni si etërit tuaj e ne do të jemi të gatshëm për t’ju përgjigjur e për të ndarë së bashku përgjegjësitë tona. Ne mirëpresim sugjerime nga ana juaj se si mund të veprojmë më mirë në këtë kohë të vështirë duke jetuar kolegjialitetin kishtar i cili na ndihmon të marrim vendimet e duhura për të mirën e shpirtrave që na janë besuar.

Të dashur meshtarë!  Ju falënderojmë për çfarë po bëni. Zoti jua shpërbleftë mundin dhe sakrificën. Ia besojmë jetën dhe shërbesën tuaj Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë dhe Martirëve tanë. Qofshin ato shembull i besimit pa kushte në vullnetin e Hyjit.

Ipeshkëvinjtë tuaj

24 mars 2020, 11:44