2019.12.19-San-Paolo-apostolo-basilica-01.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Galatasve – a besojmë vërtet?

“Të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin, sepse, gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin - me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre - grek! Nuk ka më: skllav - i lirë! Nuk ka më: mashkull - femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 2,26-28).

R.SH. - Vatikan

Përfundojmë sot shfletimin e Letrës së shën Palit Apostull drejtuar Galatasve, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

Dy fraza të kësaj Letre zgjojnë nga topitja çdo të krishterë. Në fund të kapitullit të tretë, apostulli sheh qartë atë, që askush nuk arrin ta shohë: bashkimin e racës njerëzore, duke u nisur nga kryqi i Krishtit. Intuitë fenomenale:

“Të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin, sepse, gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin - me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre - grek! Nuk ka më: skllav - i lirë! Nuk ka më: mashkull - femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 2,26-28).

Në një farë mënyre, kjo është fraza më tronditëse e Biblës! E nëse nuk jeni dakord, provojeni ta imagjinoni këtë “bombë” në botën e lashtë të dy mijë viteve më parë! Shën Pali e di se pagëzimi është diçka e re, në krahasim me të gjitha ritet dhe praktikat e botës pagane e judease. Aty është Zoti me Shpirtin e vet, që ngre banesën brenda njeriut dhe e shndërron atë.

E kështu, kur shën Palit i duhet ta shohë në sy realitetin e mëkatit e të mishit, ai, që është vizionar, por e njeh mirë peshën e mëkatit, merr këtë vendim: mëkati e mishi janë kundër Shpirtit të Zotit, por nuk është ligji, që na shpëton prej tyre:

“Veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto” (Gal 5,19-21).

Sa herë, nga frika e mishit, e tundimit, e mëkatit, Kisha ka zgjedhur ligjin si rrugë për të arritur të mirën. Ndërsa shën Pali zgjedh tjetër udhë dhe koha tregon se ai ka të drejtë gjithmonë. Ligji, vlerësimi, dënimi, premtimi, kërcënimi, burgosja, shpërblimi, nuk mund ta shpëtojnë njeriun. KURRË!

Shën Pali na përgjërohet të besojmë se vetëm përmes fesë mund të shpëtohemi. Se religjioni, pa mrekullinë e fesë, s’është asgjë. Ndërsa feja na jep mundësinë të jemi nën zotërimin e Shpirtit Shenjt e të bëhemi të frytshëm:

“Fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj” (Gal 5,22-23).

Letra e Shën Palit apostull drejtuar Galatasve është thelbësore për ata, që duan ta kuptojnë krishterimin e, edhe për ata, që duan të kuptojnë si edukohet një i krishterë. E ndoshta, edhe si edukohet një njeri, që meriton të quhet i tillë. E prapë se prapë, bukuria e Biblës qëndron në faktin se po të lexojmë, për shembull, shën Jakobin, do të zbulojmë një mënyrë të re për ta parë Krishtin, ndoshta, po aq të drejtë sa ajo e shën Palit! Bibla është “polifonike”!

Sigurisht, të jesh dishepull i Palit s’është e thjeshtë, sepse ai është mësues kategorik dhe përbuz çdo formë kompromisi, por ne, kur është fjala për fenë e për Zotin, bëjmë mjaft kompromise. Të lexosh këtë Letër do të thotë të mësosh si mënjanohet çdo gjë e padobishme dhe e tepërt, që ka rrezik ta bëjë të pafrytshme fjalën e Ungjillit. Është punë e lodhshme, por edhe me përfitim t’i thuash gjërat troç, me vendosmëri. Kështu, të mbetet jeta nën zotërimin e Shpirtit Shenjt, që fiton mbi skllavërinë e pasioneve të mishit dhe mbi atë të rregullave hipokrite. Shën Pali nuk i njeh nuancat: njerëzit janë o të shpirtit, o të mishit, o të ligjit. O bij, o skllevër, o të punësuar. E lista e nëntë fjalëve, që sapo rreshtuam, është vetëm njëri nga përfitimet e nuk është fryt i ndonjë përpjekjeje. Nuk është fryt i ndonjë urdhëri. Është Zoti, që jeton në ne e na shndërron.

Nëse imagjinojmë se e kemi shën Pali apostull përballë dhe e pyesim: “Ç’duhet të bëj për të qenë i krishterë i mirë?”, ai do të përgjigjej: “Beso në Jezu Krishtin e ringjallur, merre dhuratë Shpirtin e Tij, lejoje që të veprojë në ty e të sjellë fryte”. Por, a besojmë vërtet?

05 mars 2020, 09:54