Kërko

Krishti, mbret i gjithësisë Krishti, mbret i gjithësisë 

Çelësi i fjalëve të Kishës. Shën Pali: Krishti ekziston para të gjitha kohrave

Filluam javën e kaluar komentin e Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve, që bën pjesë në të ashtuquajturat “letrat e burgut”. Ajo është dëshmi e qartë e mendimit të krishterë, që po zhvillohej, forcohej dhe vetëdijësohej. Shën Pali kalon përmes dritës verbuese të Pashkëve dhe synon të dëshmojë gjithë fuqinë e saj. Të shpresojmë që reflektimi i Apostullit të Popujve të na ndihmojë ta inkuadrojmë në fenë e krishterë edhe këtë periudhë të vështirë, që po kalojmë, duke u munduar të kemi të njëjtën siguri si Shën Pali se gjithça shëlbohet përmes Krishtit. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Njeriu i kryqit, sipas shën Palit, ekziston para të gjitha kohrave e përmban në vetvete plotësinë e çdo gjëje: kjo është një nga pjesët më të guximshme të Letrës, që bën pjesë në teologjinë e krishterë me pohime si ky:

“Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet… d.m.th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qenësit që janë në qiell e në tokë… Atë e vendosi mbi çdo gjë - për Krye të Kishës, e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në çdo gjë” (Ef 1,9-10;22-23).

Në dy versete, për tri herë me radhë, përsëritet kjo shprehje: “çdo gjë”. Asgjë s’mund të jetë më e madhe se kaq e kjo shërben për të treguar sa i madh është misteri i Krishtit. Shën Pali përdor shprehje, që mund t’i kuptonin si judeasit, ashtu edhe grekët, flet për “pleroma” – plotësi, dhe për “berakah” – bekim.

Ç’është Krishti në botën, që i besonte Zeusit e perëndive të tjera? Ç’është Krishti, nëse krahasohet me “gnosis”(aftësinë për të njohur) të judaizmit? Ç’është Krishti në vizionin e fuqishëm filozofik të stoicizmit, ose në kultet e mistershme të mitraizmit?

Shën Pali, ashtu si bashkëkohësit e tij, i njeh këto tradita dhe e di se Jezu Krishti ka rrezik të mbetet një legjendë judease, që nuk ka asgjë për t’i thënë asaj bote. Prandaj, drita e Krishtit duhej përhapur, duhej të hynte thellë, të dëshmohej, të shpallej e, kështu, dy kapitujt e parë të Letrës drejtuar Efesianëve përbëjnë përpjekjen e parë sistematike të mendimit të krishterë.

Letra hapet me një himn, që ka forcë të jashtëzakonshme e që mund të barabitet vetëm me shën Gjonin e Ungjillin e tij. Sipas stilit të bekimit hebraik, me të cilin besimtari e bekon Zotin për veprat e Tij, Letra dëshiron ta bekojë Zotin, për gjithçka ka realizuar në Krishtin:

“Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nderë të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit: në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij” (Ef 1,3-7).

Shëlbimi, kryqi, mëkatet, hiri: këto janë të gjitha koncepte paoline, por këtu shfaqen në brendësi të një vizioni më të guximshëm, që e lidh veprën e Krishtit me gjithçka ishte para krijimit të botës. Mendimi zgjerohet, perspektiva bëhet më e shtrirë dhe “shpirti” kthehet në element vendimtar:

“Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij” (Ef 1,17-18).

Shprehje tejet e bukur paoline kjo, Shpirti i dijes dhe i zbulesës, që e udhëheq besimtarin drejt njohjes, drejt dijes! Lindin kështu terma të reja në fjalorin e krishterë: shndritje, mirëkuptim, shpresë, sytë e mendjes. Fjalori është i ri, sepse i ri është vizioni i Krishtit të Ringjallur, që propozon shën Pali. Nëse reflektimi për ta kuptuar Krishtin kishte arritur deri “para Krijimit”, tani është në gjendje të shohë “përmbi gjithë Krijimin”, përtej tij:

“[Zoti] e tregoi [forcën e vet] me vepër në Krishtin e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell, mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme” (Ef 1,20-21).

Kjo dosologji (formulim ritual) duket gati si fronëzim i Krishtit në olimpin e botës së lashtë, pika e parë në reflektimin teologjik të Pashkëve: I Ringjalluri është glorifikuar, pra, nuk është njeri, është para se të ekzistonin të gjithë njerëzit e madje, është plotësia e tyre.

Ky është kapitulli i parë i Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve, që na bën të kundrojmë planin hyjnor e zbulesën e tij në epërsinë e Krishtit, që rri në të djathtën e Atit.

19 mars 2020, 14:14