Kryqi i Krishtit Kryqi i Krishtit 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Pas Letrës së shën Palit Apostull drejtuar Galatasve, fillojmë sot Letrën e tij drejtuar Efesianëve, që bën pjesë në të ashtuquajturat “letrat e burgut”. Kuadri historik, sipas të gjitha gjasave, është i njëjtë me atë të Letrës drejtuar Kolosianëve dhe me atë për Filemonin. Pali ndodhet në burg, i rrethuar nga shokët vet, ndër të cilët, Tikiku, që duket në fund të tekstit. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Siç ndodh shpesh në studimet e ekzegjezës kishtare, ka një mal me libra, ku diskutohet kush e ka shkruar me të vërtetë këtë Letër: nëse shën Pali, nëse një lloj sekretari i tij apo ndonjë dishepull i brezit të mëpasëm; nëse është shkruar gjatë burgosjes në Çezare apo gjatë asaj të Romës; nëse është shkruar për të krishterët e Efesit apo për ata të Laodiçesë apo për Kishat e Azisë së Vogël.

Nuk po hyjmë në këto diatriba, që pothuajse asnjëherë nuk arrijnë në një zgjidhje të vetme, por po vëmë në dukje disa përshtypje nga Letra:

-         Shën Pali duket sikur nuk i njeh personat, të cilëve u drejtohet (pak si e çuditshme, në të vërtetë, sepse në Efes, Pali ndenji gjatë…), prandaj, teksti nuk është “i personalizuar” si në Letrat drejtuar Korintasve dhe në atë drejtuar Galatasve, por është më pranë stilit didaktik të Letrës drejtuar Romakëve.

-         Nuk gjejmë “pathosin” e apostullit e të misionit të tij, e as polemikat e Palit.

-         Ndihet një farë jehone e teologjisë së shën Palit, brenda një teksti mjaft të ripërpunuar.

-         Terminologjia dhe teologjia na tregojnë një perspektivë të re.

-         Letra e ka stilin, skemën dhe vizionin teologjik, të përbashkët me atë drejtuar Kolosianëve.

-         Himnet e shumta, që gjejmë në të, të japin idenë e një tradite kishtare e liturgjike, që po konsolidohet gradualisht.

-         Toni i këshillave morale merr një karakter gati magjisterial.

E, pasi sqaruam këto gjëra, le të kalojmë në tekstin, i cili përbëhet nga dy pjesë të mëdha. Në pjesën e parë (1,3-3,21), që quhet “doktrinore”, gjejmë shumë tema teologjike, shprehur edhe përmes lutjeve të ndryshme. Në pjesën e dytë (4,1-6,20), që studiuesit e quajnë “parenetike” (nga greqishtja “parainetikós”, që ka të bëjë me këshillimin e nxitjen), gjejmë me shumicë këshilla morale dhe përdorimin e mënyrës urdhërore.

Letra drejtuar Efesianëve është dëshmi e qartë e mendimit të krishterë, që po zhvillohej, forcohej dhe vetëdijësohej. Shën Pali kalon përmes dritës verbuese të Pashkëve dhe synon të dëshmojë gjithë fuqinë e saj. Në mënyrën e vet, ky është tekst glorifikimi. E kjo përpjekje bën të lindë diçka e re.

Shën Pali shpall Ungjillin e hirit (Pashkët e Krishtit, nga të cilat rrjedh dhurata e Shpirtit Shenjt), por është sikur, duke ndjekur përhapjen e kësaj drite, ai të shkojë për të parë deri ku arrin ajo. E Pali zbulon se gjithçka ka ndodhur në kohë, ekzistonte para të gjitha kohrave! Kalohet nga tregimi historik në atë kozmik: nga Dalja kthehemi në Zanafillë!

Është sikur një regjizor, pas një sekuence të gjatë filmike e pas disa planesh të para, t’i kushtohet një plani të gjatë dhe një flashback-u (kthim mbrapa)!

Ja ku duken Ati e Shpirti Shenjt në një përqafim, që i jep zanafillën teologjisë trinitare.

Ja ku kuptohet zanafilla e gjithçkaje ka bërë Krishti në kohë, duke e ekstrapoluar jashtë kohrave, pra, “që para krijimit të botës”.

Ja ku lind shprehja “misteri i Krishtit”, në të cilën veprimi historik i Jezusit çohet më parë mbrapsht, në planin hyjnor që udhëheq krejt gjithësinë e, pastaj, përpara, në kulmin e këtij plani, pra, në përsëritjen e të gjitha gjërave në Krishtin.

Zemërimi i shën Palit me galatasit apo me korintasit, debatet për rrethprerjen e për Ligjin janë larg; këtu duket se po lind një mendim, që i bën ballë dijes helenike e urtisë judease. Por më hollësisht, do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

12 mars 2020, 14:52