Kërko

Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem 

Betlehemi në karantinë, lutet për Italinë e për botën

Të bashkuar si vëllezër: nga Shpella e Lindjes së Krishtit mbërrin lutja e të krishterëve për gjithë botën. Sipas fjalëve të françeskanit Emad Kamel, animator i Baritorisë rinore në Rojtarinë e Tokës Shenjte, këto Pashkë do të jenë, pa dyshim, Pashkë ringjalljeje, nëse i ndryshojmë zemrat dhe i lëmë hapësirë Zotit.

R.SH. - Vatikan

Rreth 40 raste, që po përmirësohen, por qyteti është i blinduar. Koronavirusi ka mbërritur edhe në Izrael e Palestinë dhe këto ditë, Betlehemi u duket banorëve të tij si qytet fantazmë: pa shtegtarë, pa njerëz nëpër rrugë, shkolla e universitete, pa besimtarë në vendet e kultit, edhe ato myslimane, që kanë pezulluar kremtimet bashkë me të krishterët. Në zemra bie një vel trishtimi e, megjithatë, lutja vazhdon edhe më shumë se më parë, në shtëpitë e në bashkësitë fetare, që shohin drejt botës. Ja ç’na shkruan fratel Emad Kamel, françeskan, veprimtar i Baritorisë rinore në Rojtarinë e Tokës Shenjte:

Bashkohemi me ju si me vëllezërit

          “Italia është në zemrën e gjithë të krishterëve edhe këtu – na shpjegon – prandaj, dhimbja dhe shqetësimi për këtë vend shndërrohen në lutje korale. Shumë famulli italiane janë të lidhura me famullitë tona, prandaj, ndihemi një familje e vetme. Lutemi për të gjithë para yllit të Lindjes së Krishtit, në Shpellën Shenjte e, prej këndej, i përgjërohemi Zotit për ngadhnjim mbi të keqen e koronavirusit. Jemi pranë jush e bashkohemi me ju në lutje, si vëllezër”.

          Në fjalët e fratel Emadit ndihet çasti, që po përjetojmë dhe, edhe ndjenja se Pashkët do të jenë kulmi i një Udhe të vërtetë Kryqi, që po e përshkojnë të gjithë, për shkak të pandemisë. Ditëve të kaluara, edhe Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit ftuan popuj e bashkësi të respektojnë “dispozitat dhe udhëzimet e autoriteteve civile të vendeve ku jetojnë”, por sidomos ta lusin së bashku Zotin e Gjithpushtetshëm që “të përkulet për ta parë situatën e të tregojë mirësinë e tij ndaj botës së vuajtur”. Ne fjalët e tyre, siguria se këtë çast “jemi të thirrur ta jetojmë me besim në Atin Qiellor, i cili kujdeset për të gjitha krijesat e veta”.

Shtëpitë si kisha të vogla shtëpiake

          “Në këtë situatë të vështirë, ata që dëshirojnë ta shenjtërojnë ditën e Zotit me meshë – tregon më tej fratel Emadi – i inkurajojmë t’i kthejnë shtëpitë në kisha të vogla shtëpiake, ku të luten e të ndjekin kremtimet në rrjetet shoqërore e ta marrin Jezu Krishtin në zemër heshtazi e në mënyrë shpirtërore”.

Zoti mbretëroftë në zemrat tuaja

          Mesazhi, që i mbërrin botës nga Toka Shenjte, është ai i shpresës: “Krishti do të ngadhnjejë – thotë françeskani i Betlehemit – e Pashkët do të jenë të gëzueshme, nëse do të arrijmë t’i ndryshojmë zemrat, duke i dhënë përparësi Zotit në jetën tuaj e duke pranuar se forcat njerëzore janë të kufizuara, siç po na e tregon realiteti. Ju urojmë t’i kremtoni Pashkët, duke lënë hapësirë për Zotin në zemrat tuaja, që Ai të mbretërojë në to”.

18 mars 2020, 16:54