Meshtari e Poeti Cardenal Meshtari e Poeti Cardenal 

Amerika Latine në zi. Vdiq Ernesto Cardenal, meshtar e poet

Askush nuk mund të ma shuante etjen, veç Zotit. Gjë që Zoti e dinte, po unë jo! Me këto fjalë e përshkruante thirrjen meshtarake Ernesto Cardenal, meshtar e poet, që vdiq nga probleme të frymëmarrjes. Ishte 95 vjeç.

R. SH. - Vatikan

“Meshtari e poeti Ernesto Cardenal pushon në paqen e Zotit”. Me këto fjalë kryedioqeza e Managuas e dha mbrëmë njoftimin për vdekjen e tij, në moshën 95 vjeçe.

“Askush nuk mund të ma shuante etjen, veç Zotit. Gjë që Zoti e dinte, po unë jo!”. Me këto fjalë e përshkruante në kujtimet e tij, titulluar “Vida perdida”, thirrjen meshtarake, që e kishte nxitur, më 1957, të hynte në manastirin trapist të Gjetsemanit, në Kentucky, ku njohu mësuesin e tij shpirtëror, Thomas Merton. Përvojë themelore, kjo, për biografinë e tij njerëzore, shpirtërore e artistike. Aty Cardenal pati idenë e themelimit të një bashkësie arti - art popullor, art peshkatarësh e katundarësh të varfër, si mjet për t’i afruar tek Ungjilli. Kështu hyri në Nikaragua, ku u shugurua meshtar, themeloi Solentiname në një ishull të humbur të liqenit Cacibolca. Aty, në livadhin përballë kishës, ndërtuar me punë krahu, do të varroset të enjten a të premten, pas funeralit kremtuar sot në katedralen e kryeqytetit.

“Meshtar e poet” ose “meshtar-poet”, sepse ai shprehej me vargje, që e bënë një nga autorët më të njohur e më të vlerësuar të Amerikës Latine. Mistik - por siç e quante mikja e tij, poetja Gioconda Belli - me rrënjët e ngulura thellë në tokë. Kështu ishte Cardenal,  në vijë të parë të njërës nga stinët më të ndërlikuara të historisë së vendit të vogël qendroamerikan, që u bë kufi i egër i luftës së ftohtë. Meshtari mbështeti së pari Frontin stalinist e pastaj hyri si ministër i kulturës në qeverinë e dalë nga Revolucioni i 1979-tës. Rrugën që zgjodhi iu desh ta paguante me largimin nga misioni meshtarak, pasi Gjon Pali II i kërkoi publikisht të largohej nga kjo detyrë.

Ndërsa më 17 shkurt 2019 nunci Waldemar Stanisaw Sommertag i komunikoi Cardenalit vendimin e Papës Françesku për ta shpenguar nga çdo masë kanonike kishtare, siç kishte kërkuar ai vetë. Meshtari i motuar e  priti me gëzim të madh këtë lajm. E kremtoi menjëherë Meshën, akoma i shtrirë në krevatin, ku e kish gozhduar sëmundja.

Gjatë gjithë jetës, Cardenal përdori  një armë kryesore: atë të fjalës. E kur iu afrua ora për t’u takuar me Zotin, shkroi “Njeriu u krijua për dashuri; vetëm për të dashur Krijuesin e tij. E gjithë koha, që nuk kalohet në shërbim të kësaj dashurie, është kohë e humbur!”.

Për ta kujtuar si Poet, që shumë herë qe propozuar për Çmimin Nobel, zgjodhëm poezinë e titulluar

Psalmi 5

Dëgjoji fjalët e mia, o Zot,

vërja veshin gjëmës sime.

Dëgjoma protestën Ti,

që nuk je mik diktatorësh

e nuk ua ndjek politikën.

S’ndikohesh nga propaganda

e s’ rri në shoqëri me gangsterët.

 

Ti nuk u beson fjalëve të tyre

as konferencave të shtypit:

Flasin për paqen pambarim,

e pambarim prodhojnë armë.

Flasin për paqen për ditë,

e tinëz përgatisin luftën.

Radiot e tyre ulurijnë

gënjeshtra gjithë natën e lume.

 

Shkritoret tyre janë plot

me plane kriminale

e praktika ogurzeza.

Po ti o Zot, do të na shpëtosh nga planet e tyre,

që flasin me gojë mitrolozash

e gjuhë bajonetash.

Ndëshkoji, o Zot,

Dështojau në dorë politikën,

Ngatërroji memorandumet e tyre,

pengojau programet…

 

Në orë të sirenës së alarmit

e di, Ti do të jesh me mua:

streha ime në ditën e Bombës.

Bekoji ata, që nuk u besojnë!

 

Rrethoji me dashurinë tënde,

si t’i rrethoje me tanke!

Pëkthim i lirshëm

02 mars 2020, 17:51