Kërko

Vatican News
anta Francesca Romana anta Francesca Romana 

Më 9 mars kalendari kujton Shën Françeskën Romake

Shën Françeska romake, më 1425 themeloi Kongregatën e Motrave Oblate Olivetane të Shën Marisë së Re, tri vjet pas vdekjes së bashkëshortit, bëri kushtet rregulltare e nisi të thirrej Françeska Romake. Ndërroi jetë më 9 mars 1440.

R.SH. - Vatikan

Me 9 mars kalendari kishtar përkujton Shën Françeskën romake, rregulltare. Shën Françeska Romake, bijë e një familjeje fisnike, me një shpirt edhe më fisnik, lindi në Romë në vitin e largët 1384. Ndonëse e rrethuar nga pasuria e luksi i familjes, ajo ndjeu që shpejt dëshirën të hynte në kuvend. Nuk mundi ta realizonte këtë dëshirë, sepse në atë kohë për vajzën vendoste familja.

E martuan, pa e pyetur, e megjithatë, gjë që ndodhte tepër rrallë, martesa e saj qe e lumtur. Nusja e re, 13 vjeçe, u rrethua me pasuri, dashuri, nderime, tituj fisnikërie; Zoti e bekoi familjen e e re me tre fëmijë. Po shpejt gëzimet do të ktheheshin në dhimbje. Françeska humbi njërin pas tjetrit, dy fëmijë. I shoqi u plagos rëndë gjatë një ndeshjeje ndërmjet antipapës Gjoni XXIII me mbretin e Napolit, Ladislaun, i cili e pushtoi dy herë Romën. Atëherë ajo e ktheu pallatin në strehë për të varfrit e vetveten, në nënë, motër e bijë të atyre që s'kishin nënë, motër as bijë.

Për ta zgjeruar më tej veprimtarinë e saj, më 1425 themeloi Kongregatën e Motrave Oblate Olivetane të Shën Marisë së Re; tri vjet pas vdekjes së bashkëshortit, bëri kushtet rregulltare e nisi të thirrej Françeska Romake.

Ndërroi jetë më 9 mars 1440. Trupi i saj u vendos në kishën e Shën Marisë së Re, e cila më pas mori emrin e Shën Françeskës. Mbarë Roma qe e pranishme në salikimet e asaj, që e kishte konsideruar të  shenjtë që më të gjallë. Kisha e shpalli shenjte më 1608.

09 mars 2020, 10:00