Vatican News
 Gesù resuscita  Lazzaro Gesù resuscita Lazzaro 

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të Kreshmëve ‘A’

Fjala e Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit na flet për ringjallje e besim në Krishtin, dhurues jete. Kur flasim për jetën e vdekjen, fenë e shpresën, duhet të ndjekim fillin e Ungjillit, që na tregon ringjalljen e Lazrit. Rikthimi i tij në jetë në një farë mënyre duhet parë si paralajmërim i vdekjes për Jezusin.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 5-të të kohës kishtare të Krezhmëve, që paraprijnë e përgatisin Pashkët. Kjo e diel hap para nesh perspektivën e Ngjalljes.

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të kohës së Krezhmëve ‘A’

Ezekieli profet (Leximi Parë), në emër të Zotit, u flet të mërguarve në Babiloni, për kthim e për shpresë, si për një ringjallje. Gjoni ungjilltar me tregimin mbi ringjalljen e Lazrit shëmbëllen (paraqet) ngjalljen e Jezusit(Ungjilli).

Pra, Ungjilli flet për ringjalljen e Lazrit, e na kujton se sipas fesë, vdekja e korpit është rënie në gjumë, nga i cili Zoti mund të na zgjojë në çdo çast. Fjala e Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit na flet për ringjallje e besim në Krishtin, dhurues i jetës. Kur flasim për jetën e vdekjen, fenë e shpresën, duhet të ndjekim fillin e Ungjillit, që na tregon ringjalljen e Lazrit. Rikthimi i tij në jetë në një farë mënyre duhet parë si paralajmërim i vdekjes për Jezusin.

Me këtë mrekulli të madhe e të fundme – ringjalljen publike të vëllait të Martës e të Marisë - Krishti u jep Kryepriftërinjve të Sinedrit dhe skribëve (shkronjësve) ‘provën e gjallë të hyjnisë së tij’: është pikërisht mrekullia ajo që i zemëron e i shtyn të mendojnë për ta mbytur Nazarenasin. Por episodi  i Ungjillit përmban edhe vlerat e mëdha humane: miqësinë, mëshirën e dhimbjen për vdekjen e njeriut të dashur, vetë thelbin e misionit tokësor të Jezusit: fitoren e Hyjit mbi vdekjen. “Mikun tonë, Lazrin, e ka zënë gjumi; po shkoj ta zgjoj” u thotë Jezusi nxënësve të vet tejet të habitur. Krishti Zot e shikon vdekjen fizike si gjumë, nga i cili mund të na rizgjojë.

Ky sundim mbi vdekjen, nuk e pengoi Jezusin të provonte dhimbje për ndarjen nga miku, njeriu i dashur. Duke parë lotët e Martës, të Marisë e të atyre që kishin shkuar për kryeshëndosh për vdekjen e Lazrin, edhe Jezusi u prek thellë në shpirt, u turbullua e më në fund, shpërtheu edhe ai në vaj. Zemra e Jezusit është hyjnore-njerëzore: në Të Hyji e njeriu takohen përsosurisht, pa ndarje, pa pështjellim. Ai është shëmbëllimi, madje, mishërimi i Hyjit, që është dashuri, mëshirë, dhëmbshuri atërore e amtare, jetë.

Edhe Marta, motra e Lazrit, në një farë mënyre shprehu pakënaqësinë për arritjen me vonesë të Jezusit. Por pati privilegjin të dëgjonte, nga goja e vetë Mësuesit Jezus, pohimin, që është zemra e mesazhit të krishterë: “Unë jam Ngjallja dhe Jeta; kush beson në mua, edhe në se vdes, do të jetojë; kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë në amshim”. E të njëjtën pyetje, që ia bëri Martës më pas: “A e beson ti këtë?”, Krishti ia bën prej mëse dynmijë vjetësh secilit nga ne,

Një pyetje që e kapërcen aftësinë tonë për të kuptuar e që na fton t’ ia besojmë veten atij, ashtu si ia besoi ai Atit. Shembullore përgjigjja e Martës: “Po Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhet të vijë në botë”. Po, o Zot! Edhe ne besojmë, megjithë dyshimet tona e paqartësitë tona; besojmë në Ty, sepse ti ke fjalët e jetës së pasosur; duam të besojmë në Ty, që na dhuron shpresën e sigurt të jetës së përtejme, jetës së vërtetë e të plotë në mbretërinë tënde të dritës e të paqes.

                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 37, 12-14)
Profeti Ezekiel shpall se Zoti vetë do ta nxjerrë popullin e Izraelit jashtë nga varri dhe do ta çojë në atdheun e tij. Kjo është shenja e një çlirimi tjetër, shumë më i rëndësishëm dhe mbarëbotëror, me të cilin Hyji nëpërmjet mundimeve të Jezu Krishtit do të fitojë mbi vdekjen dhe mbi të keqen.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj - thotë Zoti Hyj.” Fjala e Zotit!

Psalmi 130 (129)
Ref: Zoti është mirësia dhe mëshira.
____________________________________________

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

_____________________________

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.
________________________________

Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
_____________

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.
____________________________________________

Leximi i dytë (Rom 8, 8-11)
“Mishi”dhe “Veprat e trupit” janë simboli i egoizmit tonë, kundër të cilit Shën Pali na paralajmëron dhe na fton të luftojmë. Apostulli na kujton arsyen e kësaj lufte që duhet ta përballojmë çdo ditë: forca e Jezu Krishtit të ringjallur është me ne; Ai që ka fituar mbi vdekjen na jep forcën për të përballuar provat e përditshme.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit, e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. – Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Fjala e Zotit!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Unë jam ringjallja dhe jeta, thotë Zoti,
kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli (Gjn 11, 1-43)
Tregimi i vdekjes së Lazrit ka një domethë-nie që i përket Pagëzimit dhe një tjetër që i përket Pashkëve. Pas vdekjes së Lazrit shihet vdekja e Krishtit. Vdekja takohet me Jezusin në personin e mikut të tij dhe Ai është i turbulluar. I gjithë tregimi shpall se vdekja e Jezusit po ndodh, por Ai është më i fortë dhe do të fitojë mbi vdekjen me anë të ringjalljes.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Aso here ishte i sëmurë njëfarë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. Maria ishte ajo, që e pati lyer Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte i sëmurë. Prandaj motrat i çuan fjalë:
“Zotëri, ai që ti e do, është i sëmurë.”
Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj i Biri i Hyjit.”
Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude.”
Nxënësit i thanë: “Mësues! Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?”
Jezusi iu përgjigj: “Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë? Kush ecën ditën, nuk merr në thua, sepse e sheh dritën e kësaj bote. Kush ecën natën, merr në thua, sepse nuk ka dritë në të.”
U tha kështu, pastaj shtoi: “Lazri, dashamiri ynë fle, por po shkoj ta zgjoj.”
Atëherë, nxënësit e tij i thanë:
“Zotëri, nëse fle, do të shërohet!” Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. Atëherë Jezusi u tha haptas: “Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, pikërisht për ju - që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!”
Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!”
Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. Shumëjudenj kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllain e tyre.
Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit:
“Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. (Por) edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.”
“Do të ngjallet vëllai yt!” - i tha Jezusi.
“E di se do të ngjallet - iu përgjigj Marta - në ringjallje - Ditën e fundit.”
Jezusi u përgjigji: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?”
Marta iu përgjigj: “Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit - ai që duhej të vijë në botë!”
Si tha kështu, shkoi dhe thirri Marinë, motrën e vet dhe i tha lehtë: “Mësuesi është këtu dhe të thërret.”
Kjo, posa dëgjoi, u çua me vrap e shkoi tek ai. Jezusi ende nuk kishte hyrë në fshat, por deri atëherë qëndroi atje, ku e kishte ndeshur Marta. Tashti judenjtë që ishin me Marinë në shtëpinë e saj dhe po e ngushëllonin, kur panë se si u çua me të shpejtë dhe doli përjashta, shkuan pas saj të bindur se po shkonte te varri për të qarë.
Maria, kur arriti atje, ku ishte Jezusi e, kur e pa, ra përmbys para tij dhe i tha: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla s’do të kishte vdekur!”
Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?”
“Zotëri, eja e shih!” - iu përgjigjën.
E Jezusit i ngufi vaji. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbërit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?”
Mandej Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë, e grykën ia kishin zënë me një gur.
Jezusi tha: “Hiqeni gurin!”
Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Ka tashmë katër ditë që ka vdekur!”
“A nuk të thashë - iu përgjigj Jezusi - nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?”
E hoqën, pra, gurin.
Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha:
“O Atë, të falënderoj që ma dëgjove lutjen. Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.”
Si foli kështu, thirri me zë të lartë: “Lazër, dil jashtë!” Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë, i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”
Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të. Fjala e Zotit!

28 mars 2020, 15:33