Jezusi ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër Jezusi ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Krezhmëve 'A'

Permes të verbrit të lindur Gjoni (Gjn 9, 1-41) ka dashur t’ua le besimtarëve të çdo epoke një mesazh të qartë: kur Jezusi ndërhyn, e shëron tërë personin e jo vetëm një pjesë; nuk shëron vetëm nga sëmundja fizike, por nga tërë e keqja që e kërcënon njeriun. Ai është Shpëtimtari i botës: i çdo njeriu, i njeriut në tërësi. Drita e Krishtit Zot na ndihmon të jetojmë një jetë të re e të sjellim fryte të mira, të drejta e të vërteta në jetën e përditshme.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Krezhmëve 'A'

Liturgjia e kësaj së diele na ofron një reflektim të rëndësishëm mbi Pagëzimin e krishterë, përmes të cilit hyhet në një realitet të ri: nga errësira e mëkatit kalohet në mbretërinë e dritës. Si pasojë, jemi të ftuar të ecim si bijtë e dritës.

Zgjedhja e Davidit të ri për mbret të izraelit (Leximi Parë) i përgjigjet logjikës së Zotit që lexon e shikon zemrën dhe vështrimet e tij nuk përkojnë domosdoshmërisht me tonat. Vërtet, shpesh herë, ne ndalemi te aspektet e jashtme, te përshtypja e madje edhe bindja që krijojmë nga dukja apo pamja e jashtme. Zoti shikon në thellësi dhe zgjedh me urti, kujdes e përpikëri.

Shën Pali i fton Efasianët (Leximi Dytë) t’i bien mohit errësirës dhe të jetojnë si bijtë e dritës. Të kaluarës së errësirës duhet t’i kundërvihet drita, plogëtisë veprimtaria e zelli, mos angazhimit pjesëmarrja. Besimtari, i pagëzuar në Krishtin, duhet të sjell fryte.

Shërimi i të verbrit të lindur e shëruar nga Jezusi, (Ungjilli), i ofron Gjonit ungjilltar rastin për të vënë në pah udhën e fesë që avancon mes mundimesh e vështirësish. I verbri arrit te drita, do të thotë tek feja në Zotin, dhe atë e kumton. Ne shpesh herë pretendojmë të shohim qartë e nuk vërejmë se jemi të verbër. Por nuk duhet të harrojmë se Krishti është drita që na udhëheq.

Ungjilli, i dielës sё 4-tё tё Kreshmёve, nga Gjoni, përqendrohet tek Jezusi, që ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër, duke treguar, kështu, se Ai është “drita e botës”. Ky episod ungjillor na nxit të reflektojmë për fenë tonë në Krishtin, Birin e Zotit, e njëkohësisht, na kujton edhe Pagëzimin, që është Sakramenti i parë i fesë: Sakramenti, që na bën të dalim në dritë, përmes rilindjes nga uji e nga Shpirti Shenjt Zot.

I verbri i lindur e i shëruar na përfaqëson ne, kur nuk kujtohemi se Jezusi është ‘drita e  botës’, kur shikojmë gjetiu, kur na pëlqen më shumë t’i besojmë dritave të vogla, kur ecim në terr. Fakti që i verbri nuk ka emër, na ndihmon të shikojmë fytyrën tonë, në të tijën dhe emrin tonë, në historinë e tij. Edhe ne u shndritëm nga Krishti në Pagëzim e, prej këndej, u thirrëm të sillemi si bij të dritës.

E kjo kërkon ndryshimin rrënjësor të mendësisë, aftësinë për t’i gjykuar njerëzit e sendet sipas një shkalle tjetër vlerash, që vjen nga Zoti. Sakramenti i Pagëzimit na kërkon të zgjedhim ndërmjet jetës si bij të territ a si bij të vërtetë të dritës. E të ecim në dritë. Por, ç’do të thotë të ecësh në dritë?

Do të thotë, sidomos, t’i braktisësh dritat e rreme: dritën e ftohtë e boshe të paragjykimit kundër të tjerëve, sepse paragjykimi e shtrembëron realitetin e na  mbush me neveri ndaj atyre, që i gjykojmë pa pikë mëshire e i dënojmë pa shpresë faljeje. A kjo është buka jonë e përditshme?”.

Kur i përgojojmë të tjerët, nuk ecim në dritë, ecim në errësirë. Një dritë tjetër e rreme, sepse joshëse dhe e dyshimtë, është ajo e interesit vetjak: nëse i vlerësojmë njerëzit e sendet mbi bazën e kriterit të dobisë sonë, të kënaqësisë sonë, të autoritetit tonë, marrëdhëniet e situatat tona nuk mund të jenë të vërteta. Nëse ecim në rrugën e kërkimit të interesit personal, domethënë se ecim në terr të verbër.

Në ungjillin e kёsaj sё diele vihen përballë njëra-tjetrës drita dhe errësira. Njeriu i prekur nga verbëria e pashërueshme, i mënjanuar nga shoqëria dhe feja është personifikimi simbolik i gjendjes mëkatare në të cilën është njeriu i pandriçuar nga Krishti. Vetëm takimi me Krishtin, Drita e botës, drita “që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1,9) – e heq perden nga sytë, e ripërtërin njeriun, ia kthen tërë dinjitetin, e lejon të pikasë shkëlqimin e gjërave dhe shijen e re të jetës.

Ungjilli përmes tregimit për të verbrin, të cilin Jezusi e shëroi, na fton të mos e lejojmë veten të verbohemi nga egoizmi. Gjoni na flet për shërimin e njeriut, i cili kishte lindur i verbër, por që Krishti e shëron e i tregon se ka ardhur në botë për t’i veçuar të verbërit e shërueshëm, nga ata që nuk duan të shërohen, duke kujtuar se janë shëndosh. Kështu, Fjala e Zotit na nxit të gjithëve t’i njohin verbëritë e dritëshkurtësisë tona e, posaçërisht, mëkatin e madh të mendjemadhësisë e tё pranojmë Dritёn e Jetes qё Jezusi na ofron.

                                                            Liturgjia e Fjalës së Zotit


Leximi i parë (1 Sam 16, 1. 4. 6-7. 10-13)

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë, Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Jeseubetlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij”.
Samueli bëri siç i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem.
Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij”.
Por Zoti i tha Samuelit: “Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”.
Kështu Jeseu i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Jeseut: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin”.
Samueli i tha përsëri Jeseut: “A janë vetëm këta bijtë e tu”?
Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet”.
Samueli i tha Jeseut: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu”.
Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është”.
Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë. Fjala e Zotit!

Psalmi 23 (22)

Ref
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
____________________________________________

Nëpër fusha të gjelbra, Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

_____________________________

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
________________________________

Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit`
derisa të jem gjallë.
____________________________________________

Leximi i dytë (Ef 5, 8-14)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta – vendosuni të bëni çka i pëlqen Hyjit! Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbuloni! Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të flitën! E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vërtetë të veten, sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë: “Zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!”. Fjala e Zotit!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Unë jam drita e botës, thotë Zoti,
kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë,
por do ta ketë dritën e jetës.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli (Gjn 9, 1-41)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi, duke kaluar rrugës, pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që lindi i verbër?”
“Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij - u përgjigj Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë, jam drita e botës.”
Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë: I dërguari)”.
Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”
“Ai është” - thoshin disa.
“Jo, por është një që i përngjan atij - thoshin disa të tjerë.
Ai vetë thoshte: “Unë jam”.
Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?”
Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.”
“Ku është ai?” - i thanë.
“Nuk di” - u përgjigj.
Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve.
Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava - dhe, ja, tani shoh!”
Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!”
Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta.
Pastaj e pyetën prapë të verbrin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?”
“Është profet” - iu përgjigj.
Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”
Atëherë prindërit e tij u përgjigjën: “E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.”
Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi. Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’
Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!”
“A është mëkatar - u përgjigj - s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!”
Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”
“Tashti ju thashë - u përgjigj - e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?”Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin:
“Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!” “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme - u përgjigj njeriu - ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia dha pamjen e syve të verbrit që lindi i verbër! Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”
“Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat - iu përgjigjën - e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta.
Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha:
“A beson ti në Birin e njeriut?”
Ai iu përgjigj: “Po kush është Ai, Zotëri, që të besoj në Të?”
“E pe - i tha Jezusi - Është ai që po flet me ty!”
Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij.
Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër, e të verbohen ata që shohin!”
Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”
Jezusi u përgjigj: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.”
Fjala e Zotit!

20 mars 2020, 15:30