Kërko

Quaresima Quaresima 

Më 15 mars kalendari kujton shën Luizën de Marillac

Shën Luiza de Marillac u rrit duke punuar rëndë e duke gjetur të vetmin ngushëllim në Krishtin. I lindi kështu dëshira të bëhej rregulltare. Pas vdekjes së të shoqit dhe hyrjes në seminar të të birit, Mikelit, nisi të strehonte në shtëpinë e vet vajzat e para që dëshironin të viheshin në shërbim të të varfërve, në bashkëpunim me Zonjat e dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Më 15 mars kalendari kishtar përkujton Shën Luizën de Marillac, vejushë e rregulltare. Luiza (Ludovika) lindi më 1591 në Ferrieres e pat një fëmijëri të trazuar. Pas vitit 1604 mbeti jetime nga i ati, largohet nga kolegji mbretëror dhe i besohet një “zonjushe të varfër”, që ka shumë mundësi të ketë qenë e ëma e saj, e cila e detyroi menjëherë të punonte.

U rrit duke punuar rëndë e duke gjetur të vetmin ngushëllim në Kishë. I lindi kështu dëshira të bëhej rregulltare. Po familjarët, në kundërshtim me dëshirën e saj, në vitin 1613 e martuan me stallierin e sekretarin e Maria de’ Mediçi, Antonio le Gras.

Bisedat e vazhdueshme me Françeskun e Sales, të cilin e takoi për herë të parë në Paris në vitin 1618, e ndihmuan Luizën ta duronte vuajtjen e rëndë shpirtërore. Më pas, në vitin 1624, falë takimit me Vinçencin de’ Paoli, u bë bashkëthemeluese e Institutit të Bijave të Dashurisë.

Pak më vonë, në vitin 1625, pas vdekjes së të shoqit dhe hyrjes në seminar të të birit, Mikelit, nisi të strehonte në shtëpinë e vet vajzat e para që dëshironin të viheshin në shërbim të të varfërve, në bashkëpunim me Zonjat e dashurisë. Ishte bërthama e parë e Kongregatës së re, të cilën Shën Luiza e udhëhoqi deri sa vdiq, më 15 mars 1660.

15 mars 2020, 10:11