Kërko

Vatican News
Atë Vinçenc Malaj Atë Vinçenc Malaj 

Atë Vinçenc Malaj, studiues i shquar, në përvjetorin e vdekjes

Figura poliedrike e Atë Vinçenc Malajt, françeskan e figurë poliedrike, la pas veprën e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, pastaj veprën dy vëllimshëm “Të Dhëna Albanologjike: folklor, bibliografi e histori”, botime françeskane e shumë shkrime tjera me vlerë të jashtëzakonshme. Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari për kulturën shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot, më shkurt, përvjetorin e vdekjes së Atë Vinçenc Malajt, françeskan e studiues i njohur shqiptar.

Atë Vinçenc Malaj, lindi më 1 dhjetor 1928 në Ljarje të Krajës, vdiq më 4 shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros. Ndërmjet këtyre dy datave, kemi një jetë plot veprimtari, që filloi me thirrjen për rrugë rregulltare ndër françeskanë, vijoi me studimet në liceun Illyricum, kushtet e përjetshme të jetës rregyulltare ndër bijtë e shën Françeskut të Asizit, studimet filozofike e teologjike në Zagreb e ato linguistike në Romë, me prof. Ernes Koliqin, shugurimin meshtarak e kremtimin e Meshës së parë në Tuz më 13 tetor 1957.

Pra françeskani Atë Vinçenc Malaj qe meshtar dhe studiues i njohur që la një trashëgimi të pasur kulturore. Bashkëpunoi me revistën “Shenjzat” të prof. Ernest Koliqit, ku botoi disa studime; shkroi veprën “Kuvendi I Arbënit”, studioi veprën e imzot Pjetër Bogdanit, bëri shumë gjurmime mbi historinë kombëtare të popullit shqiptar, mbi krishterimin ndër shqiptarë e mbi atletin e Krishtit, heroin Gjergj Kastriotit Skënderbeut, artin e tjera.

Në moshë të shtyrë u rikthye atje ku kishte nisur jetën rregulltare: në Shkodër, ku dha mësim në Seminarin ndërdioqezan, që sapo ishte hapur, mbi historinë e kombit dhe të krishterimit shqiptar, duke i mësuar të rinjtë shqiptarë mbi të kaluarën e rrënjët etnike e shpirtërore, shpresë e ardhmërisë së Kombit dhe të Kishës së martirizuar shqiptare.

Në përvjetorin e vdekjes së këtij meshtari fraçeskan, intelektuali e historiani të shquar, ju propozojmë disa je fragment nga një intervistë që kemi realizuar me Atë Vinçenc Malaj-n në vitin 2000, me rastin e simpoziumit mbi 2000 vjetorin e krishterimit ndër shqiptarë. Ta dëgjojmë .....

Nje fragment nga një intervistë që kemi realizuar me Atë Vinçenc Malaj-n në vitin 2000, me rastin e simpoziumit mbi 2000 vjetorin e krishterimit ndër shqiptarë. Ta dëgjojmë

“Vdekja”
Vdekje n’t’vërtetë nuk ka,
ajo s’âsht landë,
as ekzistencë...
Ajo, po, âsht ekstazë,
një kurrgjâsend,
ankth, trishtim,
tymtajë...
shkapërcim prej shtegut n’shteg,
m’tjetrânë si bazë,
kalim prej shkretisë n’oazë...
Rrugë që njitet përpjetë
prej bregut në breg
e ulet prap n’teposhtë
n’tatpjetë...

Ajo âsht urë,
tejkalim si nëpër unazë,
tunel, galerí nëndhese,
udhëtim ânemëkand
prej një jete së shkurtë
e të shueme
të këtij shekulli të zí
në tjetrën jetë:
mâ të mirë,
mâ të bukurmâ të lirë
fatlume në lumní...

Marrë nga përmbledhja poetike “Papërdhokë e gurë faqokë”, Botim i Misionit Françeskan, Tuz-Malësi, Tuz 2010, fq. 32

Mbi këtë figurë poliedrike, këtu propozojmë një artikull shkruar nga Gjovalin Çuni

Kujtojmë se në tetor të vitit 2010, në Mal të Zi, misioni françeskan në Tuz, organizoi një simpozium shkencor në qendrën polivalente kishtare në Sukruç mbi figurën poliedrike të atë Vinçenc Malajt, më rastin e 10 vjetorit të vdekjes. Në këtë simpozium shkencor u fol mbi kontributin e atë Malaj në fusha të ndryshme si në histori, arkeologji, folklor, poezi, art e teologji.

Kontributi i Atë Vinçenc Malajt

Në vargun e albanologëve mendimtarë të kohëve moderne hyn edhe i ndjeri, At Vinçenc Malaj. Vepra e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, tanimë i është nënshtruar analizave dhe vlerësimeve shkencore. Vepra është përkthyer në shqip nga muzikologu u mirënjohur, studiuesi prof. Tonin Zadeja. Studiues të tjerë para Malaj-t, janë marrë me këtë ngjarje historike kishtare e kombëtare të shekullit XVIII, duke analizuar aspekte të veçanta, ku mbizotërojnë ato gjuhësore, ndërsa në veprën e tij, Malaj përpiqet të nxjerrë në pah vlerat e këtij Sinodi me karakter juridik - kishtar dhe doktrinar, në pikëpamje historike, linguistike dhe shkencore (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2000, fq. 264).

At Vinkoja (sikurse e thërrisnin të gjithë me dashamirësi), ishte vazhdues i asaj plejade klerikësh, që deri në frymën e fundit të jetës së tyre menduan për dijen, librin, kulturën. At Gjergj Fishta, sipas bashkëvëllezërve të tij, ndërsa ndodhej në shtratin e vdekjes, në mënyrë të posaçme na linte porositë për Bibliotekën Françeskane, këndi më i dashur i jetës së tij, At Justin Rrota solli në Shqipëri të fotokopjuar në vitin 1929, “Mesharin” e françeskanit At Gjon Buzukut: At Vinçenc Prenushi i dha emrin dhe e përktheu; albanologu At Zef Valentini, italian me zemër shqiptare e shkriu vetën në biblioteka të ndryshme evropiane për të nxjerrë dokumente tepër të vlefshme historike etj. Kontributi i At Vinçenc Malaj-t në fushën e bibliotekarisë është i shumanshëm. Malaj krijoi vlera me të cilat duhet të krenohet shkenca shqiptare e bibliotekarisë.
Biblioteka personale

Detyra e klerikut dhe e dijetarit e detyruan atë të familjarizohet me librin. “Shpeshherë e kujtojnë bashkëvëllezërit françeskanë atë Malaj, që edhe bukë hante me libër në dorë. Në kishë, në bibliotekë dhe me njerëz kalonte pjesën më të madhe të kohës.” (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, fq. 254). Bibliotekat publike, si gurrë informimi janë të domosdoshme, por sado të pasura dhe komode që janë, ato nuk mund të zëvendësojnë bibliotekën e shtëpisë, nuk mund të japin gëzimin dhe intimitetin që të shkakton një libër i vjetër, një dokument i rrallë në duart tuaja.

Nga vizitorë të ndryshëm, miq të Malaj-t marrin vesh diçka për bibliotekën personale dhe vlerat e saj. Studiuesi Klajd Kapinova, mik i Malaj-t na informon, se biblioteka e tij e vendosur brenda famullisë shërbente edhe si kabinet pune dhe kishte “disa mijëra e mijëra vëllime dhe tekste të lashta, që nga shekulli XII deri në ditët e sotme, tekste në pergamenë dhe libra të rrallë të shtypshkronjave evropiane të Mesjetës. Nuk mungonin mbishkrimet e lashta latinisht...” (Klajd Kapinova, Po aty, f. 255), ndërsa nga dr. Ahmet Osja, njoftohemi se librat e vjetër kanë qenë pasioni i tij i veçantë dhe më tej shton: “Është talenti dhe përkushtimi i tij, që e bëri të arrinte të kompletonte më së miri një bibliotekë të veçantë, jo vetëm për numrin e librave, por edhe për rëndësinë e tyre në famullinë e Tuzit” (Po aty, f. 257 - 258).

Dashuria për librin nuk kaloi pa rënë edhe në sy të eprorëve të tij françeskan, të cilët e ngarkuan me detyrën e bibliotekarit në Kuvendin Françeskan të Kotorrit (1958 - 1962), në Bibliotekën e Kuvendit ‘Mala Braqa’ në Dubrovnik (1960 - 1966), censor librash në Tivar në vitin 1974.

Hulumtuesi dhe kërkuesi

Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e At Malaj-t zunë edhe hulumtimet dhe kërkimet në bibliotekat e ndryshme të ish - Jugosllavisë, Evropës, SHBA-së etj., me rëndësi të veçantë për studiuesit e albanologjisë. Bazuar në të dhënat e autorëve të ndryshëm, për historikun e zhvillimit të gjuhës së shkruar shqipe, në vitin 1995, françeskani Malaj na jep informacion të saktë edhe për ekzistencën e bibliotekave mesjetare në hapësirën shqiptare, informacion i panjohur deri atëherë.

Duke analizuar kontributin e klerit katolik në shkrimet shqipe gjatë shekullit XII, At Vinçenc Malaj shkruan: “Qendra të fuqishme të administratës e kulturës, arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Dioklesë, Tivarit, Shkodrës dhe Shkupit...” (P. Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 280) dhe më tej, duke analizuar urdhërin e Dominikanëve, themeluar në Durrës më 1224 dhe të shpërndarë në anë të ndryshme të vendit, tërheq vëmendjen në shprehjen e famshme të arqipeshkvit të Tivarit Gugliemus Adae: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në tërë librat e tyre”. Megjithëse nuk shënon gjë në studimet e tij, Malaj, duket se bashkohet me faktin e pranuar edhe nga autorë të tjerë shqiptarë mbi qarkullimin e librave tek ne ende pa lindur shtypshkronja (Injac Zamputi, “Çështje të shkrimit dhe fillimit të letërsisë”, “Hylli i Dritës”, Tiranë 1995, nr. 1- 2, f. 27 - 30), si dhe shënon faktin që në Bibliotekën e Dominikanëve në Split (Kroaci), me tërheqjen e këtyre të fundit nga Shqipëria: ruhen 7 libra koralë (4 gradualë e 3 aniforë) shkruar me pergamen nga shekulli XV bashkë me shumë inkunabula të sjella prej Kuvendit të Durrësit përkrye Venedikut në vitin 1513”. (V. Malaj, “Të dhanat albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999).

Ashtu siç vërente studiuesja Olga Peroviq, formimi i tij personal, interesimi për gjithçka, shëtitjet dhe studimet në qendrat më të zhvilluara të Evropës dhe sidomos zotërimi i disa gjuhëve të huaja evropiane dhe klasike, si: greqishtja e vjetër, e ndihmuan atë në fushën hulumtuese dhe kërkuese. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2000, f. 254).
Kulmi i kësaj veprimtarie u shënua në vitin 1968, vit në të cilin hapësirat shqiptare përgatiteshin për festimin e 500 - vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Në vitin 1968, në revistën “Shejzat” (Le Pleiadi), drejtuar nga shkrimtari prof. Ernest Koliqi, nr. 1 - 2 - 3, jep të dhëna rreth gjetjes në Bibliotekën Kombëtare të Romës të një vepre të panjohur të Gjergj Kastriotit, operën “Scanderbeg”, me libretë të Antonio Salvit, botuar në Firencë më 1718 dhe muzikë të kompozitorit të famshëm Antonio Vivaldi, luajtur për herë të parë në Firencë më 22 janar 1718, në teatrin Pergola. Zbulimi i nënshtrohet një studimi të thellë, jo vetëm letrar e historik, por edhe një analize muzikore, gjë që të lejon që të arrish konkluzionin që frati ynë kishte edhe njohuri të mira muzikore.

Një vepër tjetër e rëndësishme e panjohur u publikua nga Malaj gjatë këtyre viteve. Është fjala për një tjetër operë mbi Gjergj Kastriotin, një tragjedi e gjetur në Bibliotheque de l’Opera dhe në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Opera është e vitit 1735 me libretë të autorëve La Mote - La Serre, dhe muzikantëve Rebel - Francuer. Ajo u luajt për herë të parë më 27 tetor 1735. Gjithnjë sipas shënimeve të Malaj-t, në njërën nga 33 shfaqjet e saj, në vitin 1763, ajo u shfaq në Chosy, Fontainebleau para mbretit Luigi XV dhe oborrtarëve të Versajës. (Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 25 - 26, 57, 63, 73).

Zbulimi i këtyre dy operave pati ngjallur zilinë e studiuesve shqiptarë, të cilët u përpoqën të përvetësonin mundin dhe djersën e klerikut. “E kemi fjalën, thotë studiuesi Willy Kamsi, ndër të tjera për studimin që i bani atë Vinçenci, operës së Antonio Vivaldit, kushtue heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skanderbegut. Tjetër kush e zbuloi, tjetër kush u frynte në Tiranë për këtë zbulim” (W. Kamsi, Artikull i cituar).

Fryt i kërkimeve të tij janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e urdhrit françeskan. Duke thyer kornizat e një akademiku, ai i kushtoi një kujdes të veçantë edhe hulumtimit të kulturës popullore në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në krahinën arbëreshe të Falkonarës, Itali. Kërkimet e tij i botonte në disa revista të dëgjuara të hapësirës shqiptare dhe në gjuhë të ndryshme, ku mbizotëronte italishtja dhe serbokroatishtja.

Biografi dhe recensenti

Vend të rëndësishëm në funksionimin normal të një biblioteke padyshim luajnë edhe biografitë dhe bibliografi, ose, thënë ndryshe, njeriu që harton një listë sistematike të publikimeve të llojeve dhe autorëve të ndryshëm, bazuar në argumentet e trajtuara.

Bibliografia shqiptare, ka fillimet e saj në vitin 1870 me filologun slloven Franc Mikloshiç, me veprën: “Elementet sllave në gjuhën shqipe”, botuar në Vjenë. Por siç shkruan prof. Jup Kastrati: “... botimet e mirëfillta bibliografike mbi vendin dhe historinë tonë, shfaqen me arkitektin Georg T. Petroviç. Libri i tij “Skënderbeu”, shtypur në Paris më 1881, është një sprovë bibliografike e arsyetuar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, shkruar në nëntë gjuhë”. (J. Kastrati, “Për një bibliografi shkencore albanologjike”, Tiranë 1996, f. 13).
Pa dashur të ndalemi te të gjithë bibliografët që trajtuan probleme shqiptare, duhet theksuar se atë Vinçenc Malaj OFM hyn në radhën e bibliografëve më të shquar shqiptarë, duke u radhitur në krah të Gj. Pekmezit, Lumo Skendos, J. Rrotës, K. Gurakuqit, Dh. Paskos, J. Kastratit etj.

E veçanta e bibliografive të tij qëndron në faktin, se i referohet direkt burimit origjinal, duke u përpjekur të shmangë burimet dytësore. Bibliografitë e tij kanë edhe shenja të origjinalitetit. Shpeshherë ato janë të formës bio-bibliografike dhe shoqërohen me anonime të shumta, siç ndodh me botimin e vitit 1979, “Shënime Bio-Bibliografike mbi Gjeçovin në 50 - vjetorin e vdekjes”. (V. Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 111).

Në përgjithësi, autori nuk ndjek rregulla fikse të përpunimit të bibliografive. Ai u shmanget atyre duke u përpjekur që të lehtësojë sa më tepër punën e studiuesve. Disa nga studimet e tij të veçanta, ndonëse nuk janë thjesht punime bibliografike, falë thellësisë së argumenteve, bazuar në një literaturë të bollshme, kanë shërbyer si burime të rëndësishme bibliografike, ku mund të veçojmë studimet: “Stefano Zanovich, un sedicente erede di Scanderbeg”, 1974 dhe studimin tjetër paraqitur në Mbledhjen e V-të të Studimeve Ndërkombëtare në Palermo (Itali), në vitin 1968, “Neccissità d’un coordinamento bibliografico castriotiano”.

Autori në këtë shkrim shpreh shqetësimin e mungesës së studimeve bibliografike mbi Gjergj Kastriotin në prag të 500 -vjetorit të vdekjes së tij. I pakënaqur edhe nga puna e bërë në këtë drejtim nga shkencëtarët shqiptarë, ai hedh idenë e hartimit të kësaj bibliografie dhe hartimin e saj bazuar në ndarjet:
1. Dokumente.
2. Punime historike:
a) bibliografi;
b) studime historiko - kritike dhe artikuj mbi Gjergj Kastriotin;
3. Vepra letrare:
a) poema e poezi;
b) drama dhe melodrama;
c) romane dhe novela;
4. Vepra operistike.

Gjatë shtjellimit të ideve të tij në këtë studim, ai u referohet 137 zërave bibliografikë dhe shumë fotografive e frontespiceve të librave të ndryshëm. Megjithëse kërkonte koordinimin e veprimtarisë shkencore në të dy anët e kufirit, duke kuptuar vështirësitë politike për realizimin e kësaj pune, albanologu Malaj, inkurajonte përpjekjet që bëheshin në Shqipëri për botimin e kësaj vepre, ashtu edhe siç hidhërohej për shtyerjet e pakuptimta të botimit.

Punimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi (1454 - 1835)”, arriti të botohej vetëm në vitin 1997. Punimi është realizuar nga Kasem Biçoku dhe Jup Kastrati. Ndonëse i ndërtuar në një formë krejt tjetër nga ajo çfarë propozoi Atë Vinçenc Malaj, në të zënë vend mjaft zëra bibliografikë të pasqyruar nga Malaj në punimet: “Un opera musicale francese del settecento su Scanderbeg”, “Necessita d’un cordinamento bibliografico castriotiamo”, botuar gjatë viteve 1968 - 1969 në numra të ndryshëm në revistën “Shejzat” dhe në Aktet e Konferencës së V Ndërkombëtare në Palermo (Shih Biçoku & Kastrati “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi 1454 - 1835” 1, Tiranë, 1997, f. 440 - 441).

Në vitet 1970 dhe 1985, kemi përsëri dy botime të albanologut Malaj, në njërën si bashkautor. Botimet pasqyrojnë punën shkencore të dy personaliteteve të shkencës albanologjike, italianëve Zef Valentini dhe Antonio Baldacci (1867 - 1950), “Bibliografia di Giuseppe Valentini”, që u botua në vitin 1970. Miqësia me pader Zef Valentinin, duhet të ketë qenë e hershme. Ndonëse jo e deklaruar në shënimet e tij, Malaj duhet ta ketë njohur apo edhe patur profesor Valentinin, gjatë kohës kur në Shkodër mësonte në Gjimnazin Klasik të Jezuitëve. Kjo miqësi u përforcua akoma edhe më tepër gjatë studimeve të Malaj-t për letërsi italiane dhe botërore në Universitetin e famshëm “La Sapienza”, Romë, më 1966, ku edhe diplomoi, duke fituar gradën shkencore “Doktor” dhe në komisionin e vlerësimit ishte dhe prof. pader Zef Valentini.

Gjatë qëndrimit në Itali Atë Vinçenc Malaj ishte anëtar i “Qendrës Ndërkombëtare për Studime Shqiptare”, pranë Universitetit të Palermos. Në “Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967” të kësaj Qendre, krahas shumë albanologëve të dëgjuar, mes të cilëve edhe pader Zef Valentini si nënpresident dhe drejtor i Qendrës, gjejmë edhe emrin e pader Vinçenc Malaj. (Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967, Palermo, 1967, f. 162).
“Padre Zef Valentini, shkruan atë Malaj, e dashuronte dhe vazhdon ta dashurojë Shqipërinë, tokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që e konsideronte atdheun e tij të adoptuar dhe ideal”.

Bibliografia, është më tepër një listë librash, studimesh, artikujsh e recensionesh të renditura në mënyrë kronologjike sipas viteve të botimit. Autori Malaj, është i vetëdijshëm, se në të nuk janë përfshirë të gjitha botimet e Valentinit, por e botoi atë vetëm nisur nga vlerat albanologjike të lëndës së trajtuar.

Biografia e dytë: Antonio Baldacci (1867 - 1950), Bibliografski Vjesnik, God. XVI, Br. 1 Cetinje, 1985, është një bashkëpunim me Vukiq Puleviq. Ajo ka karakter bibliografik dhe pasqyron jetën dhe studimet e Baldaçit, botanistit të shquar, studiuesit të florës dhe veçorive të gjeografisë bimore të Malit të Zi, Shqipërisë, Greqisë, Kretës, etj. Në bibliografi jepen edhe zëra të ndryshëm që i përkasin etnografisë, toponomastikës, antropologjisë, historisë, arkeologjisë, etj. E reja që sjellin autorët në këtë bibliografi është “Literatura” mbi Baldaçin.

Me intuitën e një bibliotekari të zellshëm, Malaj-n e vërejmë edhe në rolin e recensentit. Ashtu si paraardhësit, faqet e fletores “Shejzat” u përpoq t’i kthente në tribuna të mendimit albanologjik. E deshti albanologun Aleksandër Stipçeviç, jo se ishte thjesht një arbëresh nga Arbanasi afër Zarës (Kroaci), jo se e lidhte puna e bibliotekarit, por i vlerësonte përpjekjet e bëra përmes botimeve të tij, për të nxjerrë në dritë rrënjët e kombit. E vlerësoi dhe u bëri mjaft publicitet veprave të Stipçeviçit: “L’arte degli Illiri” (1963), “Gli Illiri” (1966), si dhe botimit që përgatitej të dilte: “Bibliografi ilirjane”. Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari edhe për kulturën shqiptare.

Miku i të gjithëve
Kontributi i At Vinçenc Malaj-t ofm në fushën e bibliotekave qe i gjithanshëm. Përpos mundit dhe shpenzimeve materiale, ai i la bibliotekës shqiptare, veprën e tij, të përbërë prej 30 studimesh shkencore në fusha të ndryshme, disa kumtesa të mbajtura në Konferenca Ndërkombëtare, artikuj të shumtë që mbushën faqet e fletoreve më prestigjioze shqiptare në qendrat evropiane dhe në SHBA, materiale arkeologjike dhe shumë vepra arti, të cilat përbëjnë pjesën më të rëndësishme të kontributit albanologjik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Frati pat shumë miq. Lista e tyre është shumë e gjatë. Ata janë shqiptarë dhe të huaj; disa rrojnë akoma, të tjerët ashtu si edhe Malaj, kanë vdekur për t’u bërë të pavdekshëm.

Ambientet shkencore e vlerësuan punën e tyre. Shpërblimet e mirënjohjet nuk u munguan. Në vitin 1999, për kontributin e madh të dhënë në fushën e kulturës, si albanolog i shquar dhe i palodhur, nga Akademia malazeze u vlerësua me titullin e lartë “Akademik”. Ishte themelues dhe Kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore “Don Gjon Buzuku” në Ulqin dhe Tuz, anëtar i Shoqatës “Illyricum” në Tuz dhe i asaj “Matica Cernagorska” në Cetinë, profesor i lëndës së historisë së Krishterimit në Shqipëri, në Seminarit e Lartë të Filozofisë e Teologjisë në Shkodër.

Vdiq në vitin 2000 në kulmin e veprimtarisë së tij shkencore.

Studiues të ndryshëm, shënojnë shumë vepra që kanë mbetur në dorëshkrim, ku veçojmë: “Bibliografinë e plotë të punimeve të At Zef Valentinit” në bashkëpunim më studiuesin shkodran Willy Kamsi, “Seria e dorëshkrimeve të shkruara në gjuhën serbokroate”, “Bibliografia për martirët e krishterimit në trojet iliro-shqiptare”, një bibliografi prej 250 zërash, për të cilën vetë Malaj deklaronte: “Kjo është vepra ime më e madhe e jetës”. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, f. 256).
Pasioni i Akademik Profesor Atë Vinçenc Malaj OFM ishte shkenca, por frymëzimi i tij qe përjetësisht feja në Krishtin.
“... feja në Zotin është ajo që e fisnikëron më shumë jetën e njeriut, ajo të mbron dhe të ngushëllon në çdo moment të vështirë të jetës”, deklaronte ai.

Nga Gjovalin Çuni

04 shkurt 2020, 12:03