Edikola e Varrit Shenjt në Jeruzalem Edikola e Varrit Shenjt në Jeruzalem 

Toka Shenjte: shtegtarët sjellin paqen në Tokën Shenjte

Gjithnjë më shumë turistë e shtegtarë në Tokën Shenjte: në vitin 2019 ishin një milion më shumë, në krahasim me vitin e mëparshëm. E kjo i ndihmon edhe ekonomikisht të krishterët, që jetojnë në Izrael e në Palestinë, duke u bërë faktor edhe për zbutjen e formave të ndryshme të konfliktit.

R. SH. - Vatikan

Gjatë vitit, që sapo përfundoi, Tokën Shenjte e vizituan një milion turistë e shtegtarë më shumë, në krahasim me vitin 2018. Njoftimin e japin ministritë palestineze e izraelite të turizmit, që pohojnë se vijon të bëhet gjithnjë më i madh interesi për të zbuluar thesaret e viseve të tyre. Ministria izraelite e turizmit flet për më se 4 milionë e gjysëm vizitorë, 10,6% më shumë, në krahasim me vitin e mëparshëm. Qytetet më të vizituara janë Jeruzalemi e Tel Avivi. “Për ne është gëzim i madh t’i mikpresim të gjithë këta shtegtarë, që vijnë të vizitojnë vendet e Tokës Shenjte - shpjegon Lurdinha Nunes, gazetare pranë Christian Media Center në Jeruzalem - Por duke pasur parasysh se e gjithë kjo kërkon edhe një organizim të ri të bazilikave kryesore. Për shembull, në Nazaret Bazilika e Lajmërimit të Zojës mbyllet në orën 21.00, ndërsa në Betlehem, për t’u krijuar shtegtarëve mundësinë të luten e ta vizitojnë më gjatë vendin ku lindi Jezusi, tani po mbyllet më orën 20.00.

Hapur, që në rrezet e para të agimit

Koha e mbylljes së shenjtëroreve bëhet gjithnjë më e shkurtër. Ato hapen që kur shkrepin rrezet e para të agimit. Gati për t’i pritur të gjithë ata, që  vijnë aty për t’u lutur. “Në këto vende - vijon Lurdinha -  që në orën 4 a 5 të mëngjesit rrugët janë plot me besimtarë, që nisen drejt Varrit Shenjt ose shenjtëroreve të tjetra. Duan të shikojnë gjithkça, të luten gjithkund! Të shkelin mbi të gjitha gjurmët e Krishtit, nga djepi, në Kalvar. Për shumëkënd, të vizitosh Tokën Shenjte do të thotë të realizosh një ëndërr të ëndërruar gjatë gjithë jetës. Prandaj ata që shkelin këtu, duan ta jetojnë sa më shumë që të munden tokën e premtuar. Për ta marrë pastaj me vete, në formën e një kujtimi, që nuk shlyhet kurrë më.

Ndihmë e rëndësishme për të krishterët

Prania e shtegtarëve është themelore për bashkësinë e vogël të të krishterëve në Tokën Shenjte. Është - nënvizon gazetarja - inkurajim për të krishterët tanë, si psikologjikisht, ashtu edhe ekonomikisht. E kjo, sepse turistët, para se të kthehen në shtëpitë e tyre, blejnë gjithnjë kujtime të vogla, prodhim i artizanatit vendas. Gjest ky, që i ndihmon shumë familjet vendase për të mbijetuar.

Nga shtegtarët, një urim për paqe

Themelore, prania e shtegtarëve, edhe për ruajtjen e paqes në këto vise. “Urojmë - shpjegon atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, në një intervistë dhënë Christian Media Center - që numri  i shtegtarëve të vijojë të rritet. E madje guxoj të shtoj edhe se vetë shtegtarët mund të jenë faktor  bindës për t’u dhënë fund formave të ndryshme të konfliktit. Shpresoj e lutem që besimtarët të vijojnë të vijnë në Tokën Shenjte,  siç erdhën dikur Mbretërit Dijetarë, të udhëhequr nga ylli, nga dëshira personale, por edhe, e sidomos, të prirë nga Fjala e Zotit, për të mundur të takojnë këtu ku lindi, ku u kryqëzua e ku u ngjall, vetë Jezusin!

Ëndërr shqiptare, që bëhet realitet i mundshëm

Toka Shenjte! Një ëndërr, që as mund të ëndërrohej nga katolikët e nga ëndërrimtarët shqiptarë të shtegtimeve drejt  tokave të reja, të pashkelura, por jo të panjohura! Shtegtimi në Betlehem, në Kalvar, në Jeruzalem… Po tani ëndrra shqiptare mund të bëhet realitet. Po bëhet realitet! Rruga u  hap kryesisht nga françeskanët…. A nuk është edhe kjo një mrekulli?

16 shkurt 2020, 15:39