Toka Shenjte: ipeshkvijtë katolikë flasin për akte të reja frikësuese në fshatin Jish
R. SH. - Vatikan
Vijojnë aktet frikësuese në fshatin Jish, në Galile, ku grupe ekstremistësh hebrenj, pranë lëvizjeve të kolonëve, që nënshkruajnë me shprehjen “Çmim për t’u paguar!”, dëmtuan dhjetra auto e lanë mbi muret shkrime në hebraisht. Një episod i ngjashëm pati ndodhur në të njëjtin qytet, më 19 korrikun e kaluar. Asokohe, ashtu si edhe sot, Asambleja e ipeshkvijve katolikë e dënoi ashpër aktin, përmes një note, botuar nga Agjencia Sir, duke nënvizuar se “pas 19 korrikut nuk ka pasur asnjë të dyshuar e aq më pak, të arrestuar”. Të shkakton dhimbje fakti që, vetëm pas pak muajsh, na duhet të denocojmë një ngjarje tjetër të ngjashme. E nuk mund të mos zemërohemi nëse pas këtyre ngjarjeve, në shumicën e rasteve, asnjë fajtor nuk i dorëzohet drejtësisë”- theksojnë prelatët.
Ipeshkvijtë katolikë u kërkojnë institucioneve dhe funksionarëve të sigurimit të bëjnë çmos që krime të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen” dhe u shprehin solidaritetin e tyre banorëve të Jish:
“I lutemi Zotit të gjithëpushtetshëm - shkruajnë - t’i inkurajojë t’i përballojnë vështirësitë, të luten për agresorët dhe për ata që i mbështesin, që të pendohen për veprimet e tyre të këqija e t’i lejojnë të gjithë të jetojnë në një vend të sigurt, ku askush nuk e sulmon tjetrin”.
Ngjarja, që ndodhi në Jish, është e fundmja e një serie aktesh frikësuese, nënshkruar “Price tag”, nisur që më 2012-tën, që ka goditur xhami e vende të krishtera si Tabgha, Letrun, Beit Jamal e Beit Hanina, lagje e jashtme e Jeruzalemit lindor. Krime, siç kujton Asambleja e ipeshkvijve katolikë, që gjithnjë më shpesh mbeten të padënuara.