7 domenica del tempo ordinario amare i propri nemici 7 domenica del tempo ordinario amare i propri nemici 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës VII gjatë vitit liturgjik 'A'

Ungjilli, i dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, nga Mateu na mëson se sekreti i shenjtërisë qëndron në aftësinë tonë për ta njohur e pranuar Zotin si Atë. Kjo vetëdije na bën ta konsiderojmë çdo njeri si vëlla, sepse është bir i të njëjtit Atë Qiellor. Prej këndej lind kërkesa për t’i dashur të tjerët si të ishin anëtarë të së njëjtës familje.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli, i dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, nga Mateu na mëson se sekreti i shenjtërisë qëndron në aftësinë tonë për ta njohur e pranuar Zotin si Atë. Kjo vetëdije na bën ta konsiderojmë çdo njeri si vëlla, sepse është bir i të njëjtit Atë Qiellor. Prej këndej lind kërkesa për t’i dashur të tjerët si të ishin anëtarë të së njëjtës familje. Ç’duhet bërë? Nëse i shohim të tjerët jo me sytë e botës, por me ato të Zotit, mund t’ia hapim zemrën urdhërimit të dashurisë.

Vetëm kjo na bën të arrijmë t’i duam deri armiqtë, sepse në ta gjejmë të pasqyruar Krishtin, i cili u mishërua për të na shpëtuar të gjithëve. Vetëm atëherë mund të bëjmë një hap cilësor e nga falja, të arrijmë deri t’i duam ata, që na urrejnë. Sepse në çdo familje, Kaini e Abeli jetojnë bashkë. Por askush nuk mund të mos ketë parasysh faktin se janë vëllezër. Dashuria për armikun, kaq e vështirë për njerëzit, rrjedh nga atësia universale e Zotit e duhet të konkretizohet në gjestet e jetës së përditshme e në sjelljen tonë. 

Në Librin e Levitikut, Leximi I i liturgjisë së kësaj së diele, Zoti e fton popullin e vet të jetë shenjt. Çdo njeri mund të bëhet shenjt në masën me të cilën do të arrijë ta dojë të afërmin porsi vetveten. Shën Pali Apostull në Letrën e parë dërguar Korintasve, në Leximin II, ngul këmbë mbi shenjtërinë e të pagëzuarit, i cili, me anë të Sakramentit, bëhet tempull i Hyjit.

Nga Ungjilli sipas Mateut Mt 5, 38 – 48

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’.  Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, madje atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën. Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.  E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,  për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? [...]”.

Të lutemi së bashku me Ungjillin e së dielës

Duaje atë që të urren

Fale ke të fyen

Përqafoje atë që me ty është i padrejtë

Buzëqeshi atij që të mundon.

 

O Zot, tepër po më kërkon!

E pamundur, s’e bëj dot

Pastaj, është e drejtë kjo, apo mundohem kot?

 

Ende s’e ke kuptuar, më thotë Zoti

Se nata nuk mposhtet me natë

Por me dritën e ditës,

Se nuk ndalet lufta me luftë,

Por me një firmë për paqen.

 

A mos qe e lehtë vallë për mua

T’i fal ata që më kryqëzuan?

E pra, unë i fala!

Tani e ke radhën ti

Bëj edhe ti kështu

Nëse më gjithë shpirt do,

Me mua Alelujën e Pashkëve ti këndo.

 

Mendova se ishte e lehtë, o Zot

Të vij pas Teje

Por tani e di se është vështirë tmerrësisht

Për mua që jam i dobët e i thyeshëm.

 

Por jam i sigurt se nëse Ti je pranë meje

E unë jam pranë Teje,

E pamundura, e paarritshmja nuk ekziston më

Sepse Ti je Ai

Që botën ke krijuar nga asgjëja,

Lulja lind në shkretëtirë prej teje

Ujë rrjedh edhe nga shkëmbi,

Jeta lulëzon edhe nga vdekja.

Amen!

 

22 shkurt 2020, 10:22