PALESTINIAN-ISRAEL-RELIGION-SAMARITANS PALESTINIAN-ISRAEL-RELIGION-SAMARITANS 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës VI gjatë vitit liturgjik 'A'

Ligji kërkonte respektimin e fjalës së dhënë, por ka një mënyrë për të folur e vepruar, që e bën atë krejtësisht të panevojshme. Vërtet, o Jezus, kur vë në jetë të vërtetën, njeriu ruhet mirë nga çdo gënjeshtër, kur kërkon me sinqeritet drejtësinë dhe në vendimet që merr, shihet gjurma e rregullave, e ndershmërisë, e moralit, fjalët e tij kanë një peshë tejet të madhe.

R.SH. - Vatikan

Sot, në të dielën VI gjatë vitit kishtar (A), në Leximin e parë, autori i Librit të Siracidit nënvizon se ligji i Zotit nënkupton lirinë e njeriut. Meqë Hyji na ka dhënë aftësi për të zgjedhur, ne vetë jemi përgjegjës për veprat tona. Kur pranojmë të vërtetën, jemi të lirë të zgjedhim të mirën. Ndërkaq, psalmisti (Psalmi 118) mediton me urti mbi ligjin hyjnor, duke na zbuluar se paqja jonë është vullnet i Zotit. Në Leximin e dytë, shën Pali apostull flet për urtinë e Hyjit, që nuk është e kësaj bote. Ndërsa në Ungjillin sipas Mateut, Jezu Krishti shpjegon se ka ardhur për t’i çuar drejt plotësisë ligjin dhe profecitë e Besëlidhjes së Vjetër. Ai është Moisiu i ri, që përuron drejtësinë e re të Mbretërisë së Qiellit. Ta dëgjojmë këtë pjesë ungjillore:

         “17 Në atë kohë, Jezusi u tha dishepujve të vet: ‘Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. 19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit. … 22 kush do t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit. 23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!...”.

Të lutemi së bashku:

O Jezu Krisht, Ti ke guximin

për ta vënë në diskutim veten, autoritetin Tënd

kur u mëson turmave udhët e Zotit.

Prandaj, nuk kufizohesh

me kujtimin e mësimeve të ligjit të lashtë,

por tregon një mënyrë të re

për të gjykuar, për të vendosur, për t’u sjellë,

frymëzuar nga urdhërimi i dashurisë.

 

Ligji thoshte: Mos vrit.

Po ka shumë mënyra për të vrarë dikënd:

përbuzja, fyerja,

përqeshja, mënjanimi.

 

Ligji i paralajmëronte kurorëthyesit,

kundër tradhtisë, kundër pabesisë.

Por ka shumë mënyra për ta cënuar

shenjtërinë dhe madhështinë e martesës

përmes joshjes, përmes një vështrimi miklues,

përmes lakmisë për pushtet mbi tjetrin, përmes tundimit

ose përmes fjalëve mendjelehta, të paturpshme.

 

Ligji kërkonte respektimin e fjalës së dhënë,

por ka një mënyrë për të folur e vepruar

që e bën atë krejtësisht të panevojshme.

Vërtet, o Jezus, kur vë në jetë të vërtetën,

njeriu ruhet mirë nga çdo gënjeshtër,

kur kërkon me sinqeritet drejtësinë

dhe në vendimet që merr, shihet gjurma

e rregullave, e ndershmërisë, e moralit,

fjalët e tij kanë një peshë tejet të madhe.

 

Faleminderit, o Jezus, që nuk ndalesh tek ligji,

por na mëson të shkojmë përtej tij,

të luftojmë kundër së keqes,

të veprojmë me ndërgjegje, për të cilën të kujdesemi e të vigjëlojmë,

të rrimë larg nga gjithçka e lëndon dinjitetin tonë.

15 shkurt 2020, 09:32