Vangelo-V-domenica-dellAnno-A---1.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës V gjatë vitit liturgjik 'A'

Në të dielën V gjatë vitit kishtar (A), pjesa e Ungjillit është marrë nga shën Mateu ungjilltar. Krishti u thotë dishepujve të vet se janë “kripa e tokës e drita e botës”, prandaj duhet t’i japin asaj shije e ta shndrisin. Dhe e shtrin këtë detyrë deri tek ne, besimtarët, dishepujt e tij të sotëm. E ashtu si atëherë, edhe sot na mëson se dishepujt e vërtetë duhet t’i dallojë feja e dashuria, që i bën kripë e dritë për botën. Le ta ndjekim këtë pjesë marrë nga kapitulli 5 i Ungjillit sipas Mateut

R.SH. - Vatikan

Në të dielën V gjatë vitit kishtar (A), pjesa  e Ungjillit është marrë nga shën Mateu ungjilltar. Krishti u thotë dishepujve të vet se janë “kripa e tokës e drita e botës”, prandaj duhet t’i japin asaj shije e ta shndrisin. Dhe e shtrin këtë detyrë deri tek ne, besimtarët, dishepujt e tij të sotëm. 

Nga Ungjilli sipas Mateut (5, 3-16)

13 Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”.

Të lutemi së bashku

Është misioni, që u beson dishepujve të tu, o Jezus,

ai, që i jep kuptim pranisë së tyre në histori,

kërkimit dhe lodhjes së tyre të përditshme:

të jenë drita… të jenë kripa…

Dritë, që ndriçon shtigjet e njerëzve

dhe i ndihmon ta kuptojnë ç’po ndodh

në këto kohët tona, kaq të vrullshme e të ndërlikuara,

dritë, që i lejon të gjejnë rrugën e drejtë

për ta bërë më njerëzore e më të banueshme këtë botë,

dritë, që e mund errësirën, e cila hyn tinëzisht

në zemra e në mendje dhe i pengon

t’i shohin ngjarjet e çdo dite

me urti, thellësi, largpamësi.

Shndërrime epokale po ia ndryshojnë

fytyrën kësaj botës sonë

e ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin

për të ndenjur në dritare, pa i ndyer duart.

Sot, më shumë se kurrë, ti o Krisht, na kërkon

të marrim me dy duar nga urtia e Ungjillit

e të gjejmë shokë udhe të gatshëm

të flijohen për drejtësinë e të vërtetën.

Ti na fton të jemi edhe kripë,

e të mos përpiqemi për t’u dukur,

të mos mburremi me forcën tonë numerike,

por t’i lemë të tjerët ta ndiejnë shijen e mirë

të dhembshurisë e të vëllazërisë,

shijen e pastër të ndershmërisë,

të impenjimit të vazhdueshëm, plot kompetencë.

O Zot Jezu Krisht, mos na lejo

të shqetësohemi pak si tepër për veten

e për fatin e bashkësive tona.

Na mëso të dalim në det të hapur, me guxim,

për të çuar kudo shpresën Tënde.

08 shkurt 2020, 08:24