Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Kushtimit të Zotit

Sot, në të dielën e Kushtimit të Zotit, apo siç njihet ndër shqiptarë, Zoja e qirave, Ungjilli na tregon se shën Maria e shën Jozefi paraqitën Jezu Krishtin 40 ditësh në tempull, siç thoshte Ligji i Moisiut. Pjesa ungjillore është marrë nga kapitulli 2 i shën Lukës.

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, - 23 sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ - 24 dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash’. 25 Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: 29 ‘Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë, 30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin 31 që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: 32 Dritën që bën të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit’”.

Të lutemi së bashku:

Pikërisht aty, në Tempull,

vendi më i shenjtë i Jeruzalemit,

Ty, o Jezus, të njohin

si i Shumëprituri, si Mesia i kërkuar me lutje

si Ai, që do t’i paraqitej jo vetëm Izraelit,

por gjithë njerëzimit, edhe paganëve.

 

Jozefi e Maria të çuan atje,

sepse zbatonin Ligjin e Moisiut

e kështu, pranonin se një fëmijë

nuk është pronë e prindërve,

por dhuratë e Zotit, e mirësisë së Tij,

dhuratë për t’u ruajtur,

dhuratë për t’u rritur,

dhuratë për t’u përgatitur për jetën.

E kush më shumë se ty, o Jezus,

është vërtet e plotësisht dhuratë e Zotit?

 

Atë ditë, në tempull,

Shpirti Shenjt udhëhoqi dy të moshuar,

Simeonin dhe Anën, në takimin

më të dëshiruar të jetës:

në Ty, o i vogli i njeriut, vetëm 40 ditësh,

ata e ndienë se premtimi i Hyjit

më në fund, bëhej realitet.

E kjo i gëzoi, pasi e dinin

se Zoti është besnik dhe realizon gjithmonë

shumë më tepër nga sa guxojmë të shpresojmë.

 

O Jezus, dua edhe unë të ndaj me ta

gëzimin e takimit,

një takim, që e ndryshon

e vijon ta shndërrojë jetën time.

Po, Ti je drita, që e zhduk errësirën,

dritë, që jep zemër, që shndrit udhën,

dritë, që rindez shpresën.

01 shkurt 2020, 08:54