Kërko

 Të krishterë nigerianë të persekutuar Të krishterë nigerianë të persekutuar 

Shqetësim i thellë në Nigeri: rrëmbehet edhe një prift tjetër

Sekuestrim i ri në Nigeri, dy javë pas gjetjes së trupit të një seminaristi, rrëmbyer së bashku me dy shokë.

R. SH. - Vatikan

Pas rrëmbimit të një seminaristi, që u gjet i vdekur, në Nigeri zhduket një prift tjetër. Quhet atë Nicholas Oboh. I përket dioqezës së Uromit, në shtetin jug-lindor të Edos. Zhdukjen e  tij të papritur  e denoncoi  atë Osi Odenorer, kancelar i dioqezës së Uromit. Rregulltari u rrëmbye pardje, vetëm dy javë pas gjetjes së trupit pa jetë të Michael Nnadi-t, një nga katër të rinjtë e Seminarit të Madh të Bariut të Mirë në Kakau, në Shtetin veri-perëndimor të Kadunës, rrëmbyer më 8 janarin e kaluar. Tre seminaristët e tjerë, të kapur bashkë me të, qenë liruar.

Vijonë rrëmbimet

Sekuestrimet e priftërinjve dhe të rregulltarëve me qëllim grabitjeje,    vijojnë të shtohen në shtetet e ndryshme nigeriame, duke krijuar një atmosferë të rëndë pasigurie. Njoftimin e jep,  përmes Fondacionit Papnor Ndihmë për Kishën që Vuan, imzot Augustine Obiora Akubeze, kryeipeshkëv i Benin City. Në vitin 2019, vetëm në shtetin jug-perëndimor të Ondos, u rrëmbyen nëntë meshtarë. Në shumicën e rasteve pengjet u liruan. Fat tjetër pati Clement Rapuluchukwu Ugwu, që u mbyt nga rrëmbyesit në shtetin Enugu. E kjo ndodh, ndërsa vijojnë edhe vrasjet dhe sulmet kundër të krishterëve nga ana e ekstremistëve islamikë të Boko Haram e të barinjve Fulani. Episodet e fundit të rënda  janë ato të janarit, kur në qendër të vendit një drejtues i bashkësisë katolike vendase, së bashku me tre vetë të tjerë, mbeti i vrarë gjatë një sulmi të armatosur. Në veri-lindje të vendit, pastaj, u vra një lider fetar i krishterë, i sekuestruar nga një grup ekstremist islamik. Rëndimi i situatës në Niegri u denoncua me forcë këto ditë nga ipeshkvi i Sokotos, imzot Matthew Hassan Kukah, gjatë funeralit të seminaristit të vrarë.

16 shkurt 2020, 11:23