Kërko

 Tutti i Santi Tutti i Santi 

Shenjtorët e javës 2-9 shkurt

Më 2 shkurt Kisha katolike kremton festёn e kushtimit të Jezu Krishtit në tempullin e Jeruzalemit, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave.

R.SH. - Vatikan

E diel, 2 shkurt, Kisha katolike kremton festën e kushtimit të Jezu Krishtit në tempullin e Jerusalemit, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave.  Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin

Të hënën më 3 shkurt,  kalendari përkujton Shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastes e martir, shën Ansgarin, ipeshkëv i Hamburgut dhe i Bremës, apostull i Skandinavisë.  Shën Vlashi, sipas traditës, ka qenë ipeshkëv i Sebastes, në Armeni, gjatë paqes konstantiniane. U martirizua në vitin 316. Meqë pati shëruar për mrekulli një fëmijë, të cilit i kishte mbetur në fyt një halë peshku, thirret në ndihmë për sëmundjet e fytit. Për këtë arsye behet edhe bekimi i fytit me dy qirinjtë e kryqëzuar. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!

Të martёn më 4 shkurt, kalendari kujton Shën Eutikin, martir e Shën Jozefin nga Leonesa, meshtar kapuçin. Liturgjia e ditёs na kujton se në jetën e shenjtorëve e gjejmë Jezusin që tregon një pushtet aq të fuqishëm mbi forcat e natyrës, sa t’i nxisë dishepujt t’i bëjnë vetes pyetjen: “Kush është ky?”. Përgjigjen e gjejmë në fe, që na i hapë sytë për të kuptuar kush është në të vërtetë Jezu Krishti e për të lëvduar Zotin, që e mbajti premtimin

Të mërkurën më 5 shkurt, kalendari kujton Shën Agën, virgjër e martire; Shën Adelajden, abateshë e Shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje.  Liturgjia e ditёs na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.

Të enjten më 6 shkurt, kalendari kujton Shën Pal Mikit me shokë, martirë japonezë dhe Shën Dorotesë, virgjër e martire.  Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, kundër dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të premten më 7 shkurt, kalendari kujton shën Partenin, shën Rikardin e të Lumin Piun IX, Papë.  Liturgjia e ditës na kujton se dishepujve që nuk arrijnë ta kuptonin Jezusin, shën Marku ungjilltar i kundërvë ata njerëz, që e njohin menjëherë Jezu Krishtin dhe ngarendin drejt Tij, pasi e shihnin tek Ai “shpëtimin”.

Të shtunën më 8 shkurt, kalendari kujton edhe shën Jeronim Emilianin e shën Jozefina Bakiten.  Leximet biblike të kësaj dite na mësojnë se ligjet rituale janë të rëndësishme e duhen respektuar, por nuk duhet të bëhen pretekst për të kapërcyer Urdhërimet e Tënzot. Kjo do të ishte hipokrizi.

Të  dielën e ardhshme mё 9 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 5-të gjatë vitit e po më 9 shkurt, kalendari kishtar pёrkujton shёn Apoloninë. Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi i krahason dishepujt e vet me kripën dhe dritën. Ai është drita e botës, e kështu edhe i krishteri është dritë e botës nëse vihet gjurmëve të Mësuesit e Shpëtimtarit Hyjnor dhe nëse vepron, me e si Ai, për lavdinë e Atit Qiellor.

02 shkurt 2020, 09:43