Kërko

Salla Pali VI ne Vatikan Salla Pali VI ne Vatikan 

Shenjtorët e Javës 16 -23 shkurt

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu nënvizon se dashuria për Zotin e për të afërmin janë dy shtyllat, mbi të cilat përkryhet Ligji i Krishtit. E reja që solli Krishti duhet kërkuar në faktin se është vetë Ai, që i mbush dhjetë urdhërimet përplot me dashurinë e Hyjit Atë. Në faqen e Ungjillit të Mateut, Jezusi shpall Ligjin e Ri, Torah. E, sqaron se nuk erdhi ndërmjet njerëzve për ta shfuqizuar Ligjin, por për ta përkryer atë.

R.SH.- Vatikan

E diel më 16 shkurt, Kisha kremton të dielën e 6-të gjatë vitit, gjithnjë mё 16 shkurt, kalendari kujton shën Gjylianën, virgjër e martire. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu nënvizon se dashuria për Zotin e për të afërmin janë dy shtyllat, mbi të cilat përkryhet Ligji i Krishtit. E reja që solli Krishti duhet kërkuar në faktin se është vetë Ai, që i mbush dhjetë urdhërimet përplot me dashurinë e Hyjit Atë. Në faqen e Ungjillit të Mateut, Jezusi shpall Ligjin e Ri, Torah. E, sqaron se nuk erdhi ndërmjet njerëzve për ta shfuqizuar Ligjin, por për ta përkryer atë.

Të hënën më 17 shkurt, kalendari kujton Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Liturgjia e ditës na kujton se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.

Të martën më 18 shkurt, kalendari përkujton të Lumin Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të mërkurën më 19 shkurt, kalendari kujton Shën Konrrad Konfalonierin. Liturgjia e ditës na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Të enjten më 20 shkurt, kalendari kujton Shën Eleuterin e Shën Leonin e Katanies, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.

Të premten më 21 shkurt, kalendari kujton shën Pier Damianin, ipeshkëv i Ostia-s, kardinal e doktor të Kishës. Liturgjia e ditёs na flet për forcën e njeriut e për dobësinë e Hyjit. Fuqia e njeriut konsiston në besimin e tij në Hyjin, ndërsa dobësia e Hyjit qëndron në mëshirën e tij të pafundme për njeriun. Jezusi shëron një të gërbulur.

Të shtunën më 22 shkurt, sipas kalendarit kishtar bie festa e Katedrës së Shën Pjetrit Apostull dhe përkujtimi i shën Maksimianit të Ravenës e shën Margaritës së Kortonës.  Festa e Katedrës së Shën Pjetrit Apostull na tërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën e Shën Pjetrit dhe misionin e tij të veçantë që i besoi Krishti. Në të vërtetë historia na flet për dy katedra të Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në Romë, selia e magjisterit të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte këto dy seli të ndryshme në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt (në Antioki). Pas rishikimit të Kalendarit u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen në një datë të vetme, më 22 shkurt. Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin e Katedrës, vë në dukje misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti, mision që vijon ta kryejnë pasardhësit e tij e që është fillesë e themel i dukshëm i bashkimit të Kishës.

Tё dielën e ardhshme mё 23 shkurt, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn 7-tё gjatё vitit kishtar, gjithnjё mё 23 shkurt, kalendari pёrkujton Shёn Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir, nxënës i Shën Gjonit Apostull.

16 shkurt 2020, 14:08