Kërko

Vatican News
 Imzot Charles Scicluna Imzot Charles Scicluna 

Papa në Maltë, rast për të përtërirë dhuratën e Shpirtit të dashurisë

Papa në Maltë: imzot Scicluna, “rast per ta ripagëzuar filantropinë tonë” e “për të rishëruar plagët, që e bënë copë-copë indin shoqëror”.

R. SH. - Vatikan

“Vizita e Papës Françesku mes nesh, më 31 maj, do të jetë rast i përshtatshëm për ta ripagëzuar filantropinë tonë, frymën e mikpritjes, dhuratë e Shpirtit Shenjt, Shpirtit të bujarisë e të dashurisë”. Kjo, deklarata e imzot Charles Scicluna-s, kryeipeshkëv i Maltës, në një video të realizuar me rastin e shtegtimit të ardhshëm apostolik të Papës, njoftuar sot nga Salla e Shtypit e Selisë Shenjtë.

Duke kujtuar moton e vizitës, shkëputur nga Veprat e Apostujve, imzot Scicluna thekson se na kujton pritjen aq miqësore që i bënë maltezët  Shën Palit Apostull dhe 275 shokëve të tij, kur barka me të cilën lundronin u përmbys në brigjet e Maltës. Nënvizon, më pas, në mënyrë të posaçme, vendimin e kreut të ishullit, Publicio, për ta strehuar këtë turmë të mbytyrish në vilën e tij pranë detit, për tri ditë me radhë. Në këtë ambient, tradita na kujton se Shën Pali e  predikoi Ungjillin e Krishtit tre muaj me radhë, gjatë qëndrimit të tij në Maltë.  Humanizmi i rrallë i maltezëve - kujton akoma ipeshkvi - është humanizmi që na e mëson Jezusi, i cili e deshi aq shumë njeriun, çdo njeri, sa të dhurojë edhe jetën për të. E edhe ne jemi të thirrur ta japim edhe jetën për të tjerët, për t’ua mjekuar plagët, që e bënë copë indin shoqëror, e për t’i pritur edhe të tjerët, që trokasin në brigjet e  ishujve tanë, duke lypur pakëz ndihmë, duke kërkuar që dikush t’i trajtojë me atë humanizëm, me të cilin u trajtua, shekuj më parë, një grup nga ndjekësit e Krishtit.

“Të lutemi - fton ipeshkvi maltez Scicluna - që  kjo vizitë të jetë inkurajim  për ungjillëzimin e ri”.

10 shkurt 2020, 14:39