Kërko

Vatican News

Koronavirusi Covid-19, në Mesazhin Kreshmor të kardinalit të Hong Kongut

Kardinali i Hong Kongut propozon që, në këtë periudhë të koronavirusit, të heqim dorë nga informacioni i telefonave celularë dhe i platformave shoqërore, për t’iu kushtuar më shumë njerëzve. Në këtë “vetmi e izolim”, mund të provojmë se “shkretëtira nuk është më vend ku humbim besimin dhe shpresën, por shkollë stërvitjeje, ku vetëm duke dashur Zotin dhe të afërmin mund të realizojmë jetën e lumtur, që duam”.

R.SH. - Vatikan

Koronavirusi po detyron shumë njerëz të shmangin kontaktet e, nganjëherë, gjendja kthehet edhe në surreale, me zona të tëra të bllokuara në karantinë, ku nuk shihen njerëz nëpër rrugë. Natyrisht, kjo situatë është më e zakonshme në Kinë, vatra e përhapjes së virusit, por edhe në Italinë e afërt me Shqipërinë, për shembull, ku vijojnë të shtohen të infektuarit e, edhe viktimat.

Në Hong Kong nuk kremtohet meshë

Në Hong Kong, që megjithëse ndodhet më pranë Kinës se Italia, ka më pak raste me koronavirus, është vendosur të pezullohet kremtimi i meshës në të gjitha famullitë, së paku për 15 ditë me radhë. Nuk do të kremtohet as mesha e së Mërkurës së Përhime, më 26 shkurt. Administratori apostolik i Hong Kongut, kardinali John Tong, në Mesazhin e tij Kreshmor, i nxit besimtarët “të mos shkurajohen dhe të mos lejojnë t’i kapë ndonjë panik i pajustifikueshëm”. Ai u kërkon ta shfrytëzojnë këtë rast për të qenë më pak egocentrikë dhe për “të pasur shpresë në dashurinë e Atit Qiellor”.

Dy ekstreme

Kardinali shkruan: “Në këtë çast epidemie serioze, për të shmangur përhapjen e koronavirusit dhe infektimin me të, shumica e qytetarëve përpiqen të qëndrojnë larg turmave dhe të mbrohen. Situata është shumë e ngjashme me largimin nga bota për të shkuar në shkretëtirë”. Kardinali vëren edhe ekstremin tjetër: “njerëzit nxitojnë të blejnë ilaçe dhe ushqime, për shkak të panikut dhe humbjes së besimit”.

“Jo” egocentrizmit, të zbulojmë fuqinë e Fjalës së Zotit

Që këtej, ftesa për ta “shfrytëzuar këtë mundësi” që të mos e dëgjojmë “zërin e brendshëm të egoizmit dhe të zbulojmë fuqinë e Fjalës së Zotit”. Vetëm kështu, “mund të përjetojmë Kreshmë të frytshme”. Kardinali propozon edhe që, në këtë periudhë, të heqim dorë nga informacioni i telefonave celularë dhe i platformave shoqërore, për t’iu kushtuar më shumë njerëzve. Në këtë “vetmi e izolim”, mund të provojmë se “shkretëtira nuk është më vend ku humbim besimin dhe shpresën, por shkollë stërvitjeje, ku vetëm duke dashur Zotin dhe të afërmin mund të realizojmë jetën e lumtur, që duam”.

Gjendja aktuale në Hong Kong

         Banorët e Hong Kongut dalin shumë pak dhe kryesisht punojnë nga shtëpia. Për ata, të cilët detyrohen të punojnë në zyrë, parashikohet kontrolli i temperaturës sa herë që hyjnë nga jashtë. Studentët i bëjnë leksionet nga shtëpia, të lidhur me kompjuter me mësuesit dhe me shokët e tyre, në një lloj klase virtuale. Gjithsesi, nuk vërehet asnjë histeri kolektive. Ashensorët dhe shkallët e lëvizshme sterilizohen çdo dy orë. Nuk ka panik, por të gjithë janë të vetëdijshëm se epidemia mund të mundet vetëm me kontributin e të gjithëve.

24 shkurt 2020, 17:32