Congresso Eucaristico Internazionale Budapest Card. Peter Erdo  Congresso Eucaristico Internazionale Budapest Card. Peter Erdo  

Kardinali Erdö shpreson në praninë e Papës në Kongresin Eukaristik të Budapestit

Kardinali Erdö: prania e Atit të Shenjtë në Kongresin eukaristik, do të ndihmonte për pajtimin e popujve të Evropës qendrore.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Péter Erdö, Kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit, u prit nga Ati i Shenjtë më 19 shkurtin e kaluar. Primati i Hungarisë i tregoi, më pas, Programit hungarez të Radio Vatikanit se kërkoi audiencë private, posaçërisht që t’i fliste Papës për përgatitjet e Kongresit të 52-të Eukaristik Ndërkombëtar, që do të kremtohet në Budapest, shtatorin e ardhshëm.

“I paraqita me kënaqësi botimin italian të dokumentit të Kongresit, që ka në kapak një fotografi panoramike të Budapestit. Nënvizova se prania e tij  do të ishte një mesazh i posaçëm, që do të mund të shëronte plagët shpirtërore të shumë popujve. Do të jepte ndihmesë jo vetëm për pajtimin e popujve të Evropës Qendrore, por do t’i ndihmonte edhe për të bashkëpunuar, mbi bazën e vlerave të përbashkëta”.

Jam i bindur - theksoi kardinali Péter Erdö - se do të ishte  mundësi e rast për përforcimin e dëshmisë  katolike, në se Ati i Shenjtë do të mund të vinte në Kongresin e Budapestit!

28 shkurt 2020, 18:17