Kërko

  Imzot Angelo Massafra Imzot Angelo Massafra 

Imzot Massafra: shpresojmë në konferencën e donatorëve në Bruksel, pas tërmetit në Shqipëri

Imzot Massafra (Karitas Shqipëria): shpresojmë në konferencën e donatorëve në Bruksel, pas tërmeti në Shqipëri. Emergjenca nuk ka përfunduar akoma, mbasi shumë njerëz vijojnë të jetojnë ende në çadra. Shumë nuk duan t’i braktisin tokat, shtëpitë, bagëtitë e tyre.

R. SH. - Vatikan

“Tërmeti, qershi mbi tortën gjysëm të prishur. Emergjenca nuk ka përfunduar akoma, mbasi shumë njerëz vijojnë të jetojnë në çadra. Shumë nuk duan t’i braktisin tokat, shtëpitë, bagëtitë e tyre. Kemi blerë e po vijojmë të blejmë kontejner e të vemë në dispozicion kisha e struktura baritore. Shpresojmë në rezultatin pozitiv të Konferencës së donatorëve, në Bruksel”. Kështu u shpreh imzot Angelo Massafra, kryetar i Karitas Albania, duke folur sot në mëngjes, në Romë, në seminarin e Karitasit italian me temë “Emergjenca dhe kriza humanitare: tërmeti në Shqipëri, situata libike dhe ajo ballkanike”.

E kujtojmë se sot nё Bruksel u mbajt konferenca ndërkombëtare e donatorёve  "Së bashku për Shqipërinë", organizuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur rindërtimin pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Në dritën e "vlerësimit të nevojave pas fatkeqësisë sё tёrmetit" (Pdna), përcaktuar nga BE-ja, OKB-ja, Banka Botërore dhe qeveria e Tiranёs, janё premtuar 1,15 miliard euro për të ndihmuar rindërtimin nё Shqipëri pas dëmeve qё ka shkaktua tërmeti i nëntorit tё kaluar.

Sipas raportit mbi dëmet e tërmetit të 26 nëntorit të kaluar, përhapur  në fillim të shkurtit, hartuar nga institucionet shqiptare, BE, OKB dhe Banka Botërore, mësohet se shtëpitë e rrënuara (ose për t’u shembur), janë 11. 490; 83.745 ato me dëmtime të rënda e të lehta; 321 shkolla të dëmtuara, 36 spitale, 42 ndërtesa komunale, 1 digë, 1 burg e 700 sipërmarrje. Shuma e përgjithshme e dëmeve arrin në rreth 1 miliard euro, 6,4 e Prodhimit të Brendshëm Brut.

“Shqipëria ka nevojë për ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, për t’i shëruar plagët e hapura nga tërmeti - deklaroi akoma Imzot Massafra në përfundim të punimeve. Për vendin është jetik pranimi në Bashkimin Evropian. E jo vetëm për rindërtimin pas tërmetit, por për gjithë jetën demokratike në vend. Duhet të lidhemi fort me Evropën. Regjimi komunist e çnjerëzoi Shqipërinë. Udha e integrimit në BE, pas ndalesës së vitit të kaluar, duhet të shkojë përpara, sepse është përgjigjja më e mirë që i jepet shkatërrimit të lënë pas nga komunizmi. Të rinjtë tanë kanë nevojë të thithin ajrin e përtëritjes e të demokracisë, që BE-ja mund të na e japë!”.

Kryetari i Karitas Albania foli, më pas, për situatën e krijuar pas tërmetit. “Përparësia e Karitasit Shqiptar dhe e partnerëve të tij, me në krye Karitasin italian është - shtoi imzot Massafra - të jenë konkretisht e moralisht pranë atyre, që humbën gjithçka: shtëpinë, punën e kujtimet. Eshtë themelore të nisemi mirë, duke rifituar besimin e duke  rindërtuar në përkim të plotë me ligjet në fuqi”. “Duhet, në radhë të parë, t’u japim besim e punë  të rinjve, që të mbeten në vend - nënvizoi imzot Massafra - të mbeten, për t’i dhënë një dorë rindërtimit të vendit. Ka shumë burime e aftësi profesionale, që mund t’i japin një hov të ri rilindjes së Shqipërisë, duke e zbutur kështu pritjen për të ikur nga vendi. Nuk duhet  të presim  që  të na bijnë ndihmat nga lart, por duhet t’i shpërvjelim mëngët, vetë e me ndihmën e të tjerëve!”.  

 

17 shkurt 2020, 18:16