Imzot Gjergj Meta: Shqipëria dëshiron të jetë anëtare aktive e BE-së
R.SH. - Vatikan
Familja, bashkëjetesa fetare dhe respekti për të moshuarit. Këto vlera përbëjnë kontributin kryesor, që Shqipëria mund të japë në gjirin e Bashkimit Evropian, nëse bëhet anëtare e tij. Kështu na tha javës së kaluar, në një intervistë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, ndërsa ai dhe sekretari i përgjithshëm, imzot Gjergj Meta, ndodheshin në Bruksel, të ftuar nga Comece (Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian), për takime me krerët evropianë e të Kishës. Më 3, 4 e 5 shkurt, ata shkëmbyen opinione mbi sfidat dhe mundësitë e integrimit të Shqipërisë në BE.
E ardhmja e integrimit evropian
Në samitin evropian të tetorit të kaluar, pas një diskutimi mbi zgjerimin e BE-së dhe mbi procesin e stabilizimit dhe të asocciimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Franca vuri veton kundër hapjes së negociatave për pranimin e të dyja vendeve. Por çështja do të diskutohet sërish në Takimin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor, planifikuar në maj, në Zagreb. Po javën e kaluar, kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ishte për vizitë në Tiranë, ku nënvizoi shpresën për fillimin e bisedimeve të integrimit të Shqipërisë.
Opinioni i imzot Gjergj Metës
Kisha Katolike ka punuar gjithnjë që Shqipëria të konsiderohet vend me aspirata perëndimore, pjesë e pandashme e Evropës. E ashtu si dikur për të kërkuar pavarësinë, troket edhe sot në dyert e saj për të drejtat e popullit shqiptar. Në këtë kuadër, mund të shihet edhe ftesa e Comece-s që Kisha në Shqipëri t’i ndihmojë krerët e Brukselit të kuptojnë pse Shqipëria duhet të jetë në BE. Javës së kaluar dëgjuam imzot George Frendon, ndërsa kësaj radhe, ju propozojmë opinionin e anëtarit tjetër të delegacionit, sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Metës, ipeshkëv i Rrëshenit. Ta dëgjojmë imzot Gjergj Metën..