Kërko

Imzot Gjergj Meta Imzot Gjergj Meta 

Imzot Gjergj Meta: Shqipëria dëshiron të jetë anëtare aktive e BE-së

Në kuadrin e debatit për të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE-së, Comece organizoi më 3 e 4 shkurt, në Bruksel, një takim të kryetarit dhe të sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë (imzot George Frendo dhe imzot Gjergj Meta) me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe të Kishës, për të shkëmbyer mendime mbi sfidat dhe mundësitë e integrimit evropian të vendit

R.SH. - Vatikan

Familja, bashkëjetesa fetare dhe respekti për të moshuarit. Këto vlera përbëjnë kontributin kryesor, që Shqipëria mund të japë në gjirin e Bashkimit Evropian, nëse bëhet anëtare e tij. Kështu na tha javës së kaluar, në një intervistë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, ndërsa ai dhe sekretari i përgjithshëm, imzot Gjergj Meta, ndodheshin në Bruksel, të ftuar nga Comece (Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian), për takime me krerët evropianë e të Kishës. Më 3, 4 e 5 shkurt, ata shkëmbyen opinione mbi sfidat dhe mundësitë e integrimit të Shqipërisë në BE.

E ardhmja e integrimit evropian

Në samitin evropian të tetorit të kaluar, pas një diskutimi mbi zgjerimin e BE-së dhe mbi procesin e stabilizimit dhe të asocciimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Franca vuri veton kundër hapjes së negociatave për pranimin e të dyja vendeve. Por çështja do të diskutohet sërish në Takimin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor, planifikuar në maj, në Zagreb. Po javën e kaluar, kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ishte për vizitë në Tiranë, ku nënvizoi shpresën për fillimin e bisedimeve të integrimit të Shqipërisë.

Opinioni i imzot Gjergj Metës

 Kisha Katolike ka punuar gjithnjë që Shqipëria të konsiderohet vend me aspirata perëndimore, pjesë e pandashme e Evropës. E ashtu si dikur për të kërkuar pavarësinë, troket edhe sot në dyert e saj për të drejtat e popullit shqiptar. Në këtë kuadër, mund të shihet edhe ftesa e Comece-s që Kisha në Shqipëri t’i ndihmojë krerët e Brukselit të kuptojnë pse Shqipëria duhet të jetë në BE. Javës së kaluar dëgjuam imzot George Frendon, ndërsa kësaj radhe, ju propozojmë opinionin e anëtarit tjetër të delegacionit, sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Metës, ipeshkëv i Rrëshenit. Ta dëgjojmë  imzot Gjergj Metën..

Dëgjo imzot Gjergj Metën...

10 shkurt 2020, 09:04