Kërko

Imzot Frendo, në takimin e Barit: “Shqipëria, shembull për bashkëjetesën mes feve”.

Nisi sot, me lutjen drejtuar Shpirtit Shenjt, G20, takimi i Grupit të ipeshkvijve nga 20 vende të Mesdheut, në Bari. E nuk mund të ishte ndryshe për një forum që, në stil e metodë, i ngjet gati-gati një sinodi.

R. SH. - Vatikan

Nisi sot, me lutjen drejtuar Shpirtit Shenjt, G20, takimi i Grupit të ipeshkvijve nga 20 vende të Mesdheut, në Bari. E nuk mund të ishte ndryshe për një forum që, në stil e metodë, i ngjet gati-gati një sinodi.

Në orën 16.00 të pasdites së sotme, 58 barinj, nga 20 vende, që dalin në Mesdhe, ndërmjet të cilëve edhe përfaqësuesi i Konferencës Episkopale të Shqipërisë dhe kryetari i saj, imzot George Frendo, e hapën takimin në Kështjellën Svevo, ku zhvillohen punimet me temë “Mesdheu, kufi i paqes”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane.

Duke folur për takimin e ipeshkvijve të Mesdheut në Bari, imzot Frendo pohon se Shqipëria  mund të merret si shembull për bashkëjetesën ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme. Në intervistën e tij kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, kujton tema nga jeta e Kishës e jashtë saj, për t’u prekur  në Takimin, që do të organizohet në Bari nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane.

“Në të kaluarën - kujton imzot Frendo - mora pjesë në një sinod ipeshkvijsh. Ishte një përvojë stimuluese, që më pasuroi; mësova shumë nga sivëllezërit e pranishëm. Shpresoj të ndodhë e njëjta gjë edhe në Bari, gjatë takimit të reflektimit e të përshpirtërisë: “Mesdheu, kufi i paqes”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, me nismën e kryetarit, kardinalit Gualtiero Bassetti. Ne, ipeshkvijtë, si përfaqësues të Konferencave ipeshkvnore të vendeve që dalin në detin Mesdhe, kemi  mundësi të dëgjojmë e të mësojmë njëri nga tjetri. Së bashku, duke u ballafaquar me frymë vëllazërore, mund ta kuptojmë më mirë çfarë kërkon Zoti nga ne, në dobi të të gjithëve. Mesdheu, prej shekujsh rajon takimesh, por edhe ndeshjesh, po kalon një stinë delikate, plot me konflikte e pabarazi të rënda: duhet të punojmë të bashkuar”. Me këto fjalë  e hapi bisedën me Vatican Insider, domenikani me origjinë malteze, George Frendo: 73 vjeç, nga viti 2016 kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë".

Cilat tema jashtëkishtare e brendakishtare, që mund t’u interesojnë sivëllezërve, dëshironi të prekni në takimin e Barit?

“E para është ajo e migrimit: duhet të arsyetojmë së bashku për të kuptuar  si ta shmangim rrezikun, që Mesdheu të vijojë të shndërrohet në varrezë për qindra burra, gra e fëmijë; si t’i inkurajojmë popujt afrikanë, të shkatërruar nga konfliktet (mendoj për Libinë) ose nga varfëria e padurueshme. Duhet të studiojmë së bashku ç’mund të bëjmë për promovimin e drejtësisë së vërtetë, e vetmja bazë për paqen afatgjatë, për të cilën ka nevojë mbarë njerëzimi!

Një çështje tjetër, që e kam shumë për zemër, ka të bëjë me Evropën që, edhe për shkak të migrimeve, po bëhet gjithnjë më tepër me shumë fe: duke pasur parasysh dokumentin tejet të rëndësishëm kushtuar vëllazërimit njerëzor (nënshkruar nga Papa Françesku e nga Ahmad Al-Tayyeb, imam i madh pranë Universitetit Al-Azhar të Kairos) mendoj se duhet të impenjohemi më shumë për të promovuar bashkëjetesën e harmonishme e të qetë ndërmjet njerëzve dhe feve të ndryshme. Takimi i Barit do të jetë rast për të kuptuar së bashku cilat janë rrugët më të drejta që duhen zgjedhur për të arritur këtë objektiv, të cilin unë e shikoj si të dorës së parë”.

Me rastin e vizitës në Tiranë, më 21 shtator 2014, Papa Françesku  pati shprehur kënaqësinë e tij të thellë për bashkëjetesën e bashkëpunimin e feve të ndryshme në Shqipëri. E pati shtuar edhe: “Klima e respektit dhe e besimit reciprok ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmuar për vendin dhe fiton një vlerë të veçantë në kohët tona!”. Mendoni se përvoja e re Shqipërisë mund të jetë shembull edhe për të tjerët?

“Po, e dëshiroj t’ua transmetoj edhe vëllezërve të mi ipeshkvij. Feja, për vetë natyrën e saj, nxit paqen e drejtësinë, por politika mund ta manipulojë këtë për qëllimet e veta: në Shqipëri nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Në këtë vend, ku jetoj që prej 23 vjetësh, jetohet paqësisht, nuk ka pasur kurrë probleme ndërfetare: katolikët, ortodoksët e myslimanët bashkëpunojnë në fusha nga më të ndryshmet: shoqërore, asistenciale, bamirëse. Marrëdhëniet janë të qeta. Vite më parë u krijua edhe një Këshill Ndërfetar, në të cilim bëjnë pjesë liderët e krishterë dhe myslimanë: takohemi herë pas here, ballafaqohemi për problemet e vendit e hartojmë deklarata të përbashkëta, që priten gjithnjë shumë pozitivisht nga popullsia: kohë më parë, për shembull, kur dialogu politik ishte i nderë,  ndërhymë së bashku me një deklaratë, për të inkurajuar rifillimin e marrëdhënieve dhe për t’i nxitur partitë të shikojnë në radhë të parë të mirën e vendit. Mendoj se do të ishte e nevojshme të themelohen Këshilla Ndërfetare të tilla edhe në vendet e tjera evropiane”.

Po lidhur me temën e migrimeve, a mendoni t’u propozoni ndonjë nismë të veçantë sivëllezërve tuaj?

“Nuk kam menduar ndonjë nismë. Por dëshiroj të nxit një reflektim: është e nevojshme të promovohet më shumë integrimi i migrantëve: për këtë qëllim - e ky është mendimi im - duhet ndërhyrë në dy fronte. Nga njëra anë duhet punuar për t’i ndihmuar popullsitë evropiane ta zgjerojnë zemrën duke i kapërcyer paragjykimet, mbylljet e nacionalizmat përjashtuese; nga ana tjetër, duhen ndihmuar migrantët si për ta njohur kulturën e vendit mikpritës, ashtu edhe për të kuptuar sesi duhet të përshtaten, pa kërkuar gjëra të paarsyeshme. Për këtë duhet punuar seriozisht edhe në vendet  e nisjes. Kush dëshiron të emigrojë, duhet ta dijë ku po shkon e çka e pret!”.

Çfarë frytesh mendoni se do të sjellë Takimi i Barit? E a mendoni se duhet të bëhet takim periodik?

“Uroj që të mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Nëse takimi do të jetë, siç shpresoj, i frytshëm, mund edhe të përsëritet, të bëhet takim periodik. Shtoj edhe një mendim tjetër: në Shqipëri liderët fetarë të krishterë e myslimanë, që punojnë të bashkuar për të mirën e vendit, janë shembull për politikanët vendas. Shpresoj se edhe takimi i Barit, ku do të punojnë së bashku, për të mirën e të gjithëve, ipeshkvij të ardhur nga vende krejtësisht të ndryshme, do të jetë shembull për klasat e politikanëve të Mesdheut, që shpesh janë të përçara,  grindavece e të paafta për bashkëpunimin, që pritet prej tyre”.

19 shkurt 2020, 14:29